LIVE: Vazhdon terrori i ashpër rus mbi Ukrainën/ Vitali Klitschko paralajmëron BE-në: Lufta nuk është larg...

Bota

LIVE: Vazhdon terrori i ashpër rus mbi Ukrainën/ Vitali Klitschko paralajmëron BE-në: Lufta nuk është larg...

Nga: Bota sot Më: 12 qershor 2022 Në ora: 06:03 Përditësuar në ora: 00:55 më 13.06.2022
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Në Mariupol, të vrarët po varrosen pa u identifikuar

Qindra varre janë hapur së fundmi në afërsi të fshatit Manhush, jo fort larg qytetit strategjik të Ukrainës, Mariupol. Disa prej tyre kanë kryqe dhe emra, por shumica prej tyre janë shënjuar vetëm me numra.

Sipas një banori të Manhushit, traktorët nga autoritetit ukrainase kanë nisur të mihin varre në fushë afër varrezave të fshatit në shkurt, kur nisi pushtimi rus i Ukrainës.

Disa prej varreve janë të zbrazëta, megjithëse ditëve të fundit janë rralluar ceremonitë funerale. Trupat ukrainase ndërkaq po luftojnë në fabrikën e preparateve kimike në Severodonjeck, ka bërë të ditur drejtuesi i të ashtuquajturës Republika Popullore e Luhanskut.

I pyetur për numrin e të burgosurve të luftës në territorin e Republikës Popullore të Luhanskut, nuk ka qenë në gjendje të japë ndonjë shifër të saktë, duke theksuar se sillet nga 200 deri në 300 syresh.

Vitali Klitschko paralajmëron vendet e BE-së: Nëse dikush mendon se lufta është shumë larg...

Në një intervistë për "Bild", kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko paralajmëron vendet e tjera evropiane për rrezikun e një sulmi nga Rusia. Ai e përmend në mënyrë eksplicite Gjermaninë, përcjell "Bota sot".

Vendi nuk duhet të harrojë: “Një pjesë e Gjermanisë ishte pjesë e Perandorisë Sovjetike.” Me këtë, Klitschko nënvizon edhe një herë dëshirën për mbështetje ushtarake.

Ai thotë: "Jam i bindur plotësisht se Putini do të shkojë aq larg sa ne e lejojmë." Prandaj, Ukraina ka nevojë urgjente për armë moderne. “

Nëse rusët vazhdojnë të marshojnë, do të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme për çdo evropian.

Nëse dikush në Gjermani mendon se lufta është shumë larg. Kjo nuk është e vërtetë, mund të prekë këdo në BE”.

Lidhur me një vizitë të mundshme në Kiev të kancelarit Olaf Scholz (SPD) me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin italian Mario Draghi, kryebashkiaku thotë

: “Nëse tre krerët e shteteve e shohin situatën me sytë e tyre dhe flasin me njerëzit, atëherë ata do të kuptojnë edhe emocionalisht se sa e rëndësishme është të na mbështesin.

Me gjithçka – me armë, me para, me mbështetje humanitare.” Është gjithashtu thelbësore të ndalohen pagesat për Rusinë.

“Çdo qindarkë e dërguar në Rusi është para e përgjakshme. Sepse paratë investohen menjëherë në ushtri”./M.L.

Ukrainë, sanatoriumi në Kharkiv kthehet në strehë për ata që humbën shtëpitë e tyre në luftë

Sanatoriumi Klinik “Roshcha” i cili funksionon prej shumë vitesh në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, është bërë strehë për qindra civilë të cilët kanë humbur shtëpitë e tyre në luftën që Rusia filloi më 24 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).

Sanatoriumi i cili ndodhet në Kharkiv në lindje të Ukrainës pranë vijës së frontit të luftës Rusi-Ukrainë ka strehuar qindra civilë që nga fillimi i luftës e deri më tani.

I vizituar nga shumë të huaj për trajtim në periudhën kur nuk kishte luftë, sanatoriumi është bërë derë shprese për qytetin e Kharkivit që mbart shenja të rënda të luftës si dhe për njerëzit në nevojë për ndihmë që dynden nga fshatrat në rajon.

Stanislav Paziy, zv/drejtori i Sanatoriumit Klinik Roshcha, në një deklaratë për AA tha se këtu janë strehuar shumë persona nga lagjja Saltivka në të cilën janë përjetuar sulmet më të rënda ajrore të ndërmarra në Kaharkiv nga forcat ruse.

“Këtu janë evakuuar njerëz edhe nga vendbanimet ku forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin më pas”, shtoi Paziy.

Paziy ndau informacionin se në sanatorium qëndrojnë 400 persona dhe se në mesin e atyre që janë evakuuar në sanatorium janë edhe persona me aftësi të kufizuara fizike, të plagosur dhe ata që kanë pësuar trauma psikologjike.

“Këta njerëz kanë kaluar ditë shumë të vështira. Çdo njëri prej tyre është hero. Po ashtu në mesin e tyre ka edhe rreth 10 fëmijë”, tha Paziy.

Për njerëzit në sanatorium ofrohet ushqim tre herë në ditë dhe shërbime shëndetësore, theksoi Paziy i cili tha se këta njerëz mund të qëndrojnë sa të dëshirojnë në këtë qendër.

– Banesa ku jetonim u sulmua 5 herë me raketa

Vladimir Andryenko 76-vjeç, i cili qëndron në sanatorium me bashkëshorten, tha se në ditët kur filloi lufta në banesën e tyre ku ata jetonin u shkaktuan dëme si pasojë e sulmeve të shumta me raketa.

“Ne bashkë me gruan u fshehëm në shtëpinë e dëmtuar deri më 7 prill. U frikësuam shumë por rezistuam”, tha më tej Andryenko.

Ndërsa Viktor Drobotenko 69-vjeç, që është strehuar me gruan e tij në sanatorium, shpjegoi se janë transferuar në sanatorium dje pas shembjes së shtëpisë së tyre në fshatin Tsukovka në Kharkiv ku forcat ruse sulmuan në muajin mars.

“U detyruam të largohemi prej andej si pasojë e shembjes së shtëpisë sonë më 3 qershor”, u shpreh ai.

Evgenya, bashkëshortja 67-vjeçare e Drobotenkos tha se rusët kanë vrarë 5 civilë në fshatin e tyre.

“Njëri nga personat e vrarë është burri i motrës”, tha Evgenya e cila shtoi se trupin e tij e kanë varrosur në kopshtin para shtëpisë.

Ndërkohë, Albina Chuchkalova 69-vjeçe e cila qëndron në sanatorium me burrin e saj me aftësi të kufizuara, tha se burri i saj ka pësuar traumë në vitet e mëparshme dhe si pasojë e kësaj bashkëshorti as nuk mund të flasë dhe as nuk mund të ecë.

Ajo thekson se me burrin e saj në këtë gjendje, kanë kaluar dy javë në depon e apartamentit në ditët e para të luftës.

Pamje/ Gratë ukrainase sfidojnë rrezikun nga granatimet e rënda ruse

Luftimet e ashpra vazhdojnë në Donbass të Ukrainës lindore dhe qytetin e Lysychansk, i cili mbahet nga trupat ukrainase.

Ky qytet u vu nën zjarr të fortë rus gjatë fundjavës, shkruan Focus.de transmeton "Bota sot".

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë ushtarët ukrainas duke transportuar një civil të plagosur në siguri në një makinë.

Në të njëjtën kohë, gra të tjera sfidojnë rrezikun.Sipas shtabit të përgjithshëm ukrainas në Kiev, trupat ruse në zonën e nyjës së rëndësishme të trafikut të Bakhmutit janë shtyrë mbrapsht gjatë luftimeve të ashpra në Donbass. Deri në 150 sulmues u "shkatërruan". Ky informacion nuk mund të kontrollohej në mënyrë të pavarur.

Shtabi i përgjithshëm në Kiev raportoi një numër të madh luftimesh në lindje të vendit, duke përfshirë veçanërisht në rajonin Sloviansk në rajonin e Donetskut.

Vazhdimisht ka sulme ajrore kundër civilëve dhe ndërtesave./M.L.

Video nga ngjarja këtu

Zelensky: Askush nuk e di se sa do të zgjasë lufta

Në fjalimin e tij të përditshëm me video, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se askush nuk e di se sa do të zgjasë lufta në Ukrainë, por ai vlerësoi sesi forcat e tij të armatosura po pengonin trupat ruse të pushtonin lindjen e vendit.

Zelensky, deklaroi se ishte krenar për ukrainasit që po frenonin përparimin rus në rajonin e Donbasit.

Mos harroni se si në Rusi, në fillim të majit, ata shpresonin të pushtonin të gjithë Donbasin? Është tashmë dita e 108 e luftës, tashmë qershori. Donbasi po vazhdon”.

Forcat pushtuese ruse nuk arritën të kapnin kryeqytetin Kiev, në ditët e para të luftës, duke e detyruar atë të përqendrohej në Donbas, duke u përpjekur të kapte pjesët e rajonit kryesisht rusishtfolës, që ishin ende nën kontrollin e Kievit.

Ukraina krijon rrugë eksporti të grurit për të shmangur krizën globale të ushqimit

Ukraina ka krijuar dy rrugë përmes Polonisë dhe Rumanisë për të eksportuar grurë dhe për të shmangur një krizë globale ushqimore, tha zëvendësministri i Jashtëm i Kievit, Dmytro Senik.

Ai tha se siguria globale e ushqimit ishte në rrezik për shkak se pushtimi i Rusisë kishte ndalur eksportet e grurit të Ukrainës në Detin e Zi, duke shkaktuar mungesë të gjerë dhe rritje të çmimeve.

Ukraina është eksportuesi i katërt më i madh në botë i drithërave  ndërsa miliona tonë drithë  në magazina dhe portet e Ukrainës  nuk mund të eksportohen për shkak të luftës.

Ukraina ishte në bisedime me shtetet baltike për të shtuar një korridor të tretë për eksportet e ushqimit, tha Senik.

“Këto rrugë nuk janë perfekte sepse krijon disa pengesa, por ne po bëjmë çmos për t’i zhvilluar ato rrugë,” tha zyrtari për  Reuters.

Separatistët pro-rusë nuk tërheqin dënimin me vdekje për tre luftëtarë të huaj

Një udhëheqës separatist pro-rusë në lindje të Ukrainës tha të dielën se nuk do të ndryshonte dënimet me vdekje të shqiptuara për dy britanikë dhe një maroken që u zunë robër duke luftuar krah forcave ukrainase.

"Ata erdhën në Ukrainë për të vrarë civilë për para. Kjo është arsyeja pse unë nuk shoh asnjë kusht për ndonjë zbutje apo modifikim të dënimit", u tha gazetarëve Denis Pushilin, udhëheqësi i rajonit separatist Donetsk, rajon ky në të cilin ata u gjykuan.

Pushilin tha se gjykata "kishte dhënë një dënim krejtësisht të drejtë" për tre luftëtarët e huaj.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin britanik Boris Johnson se ka injoruar fatin e tyre dhe se nuk ka kontaktuar me autoritetet separatiste.

Pushilin po fliste në një konferencë shtypi të ndjekur nga agjencia e lajmeve AFP, në Mariupol, kryeqyteti i zonës së shkëputur, si pjesë e një udhëtimi të organizuar nga ministria ruse e mbrojtjes në qytetin ukrainas të shkatërruar nga luftimet, i cili u pushtua nga forcat ruse dhe separatiste në maj.

Të shtunën, zëdhënësi i kryeministrit britanik tha se ai ishte "i tmerruar" nga dënimet me vdekje të shqiptuara ndaj britanikëve Aiden Aslin dhe Shaun Pinner dhe marokenit Brahim Saadun.

"Është e qartë se ata ishin anëtarë të forcave të armatosura ukrainase dhe për këtë arsye janë robër lufte" dhe jo mercenarë siç i akuzojnë autoritetet separatiste në Donetsk, tha zëdhënësi.

Sipas familjeve të Aslin dhe Pinner, dy burrat kanë jetuar në Ukrainë që nga viti 2018.

Të premten, Kombet e Bashkuara shprehën shqetësimin për dënimet me vdekje kundër të burgosurve nga rebelët pro-rusë./REL

Putin u bën thirrje njerëzve të qëndrojnë të bashkuar në fjalimin e Ditës së Rusisë

Presidenti rus Vladimir Putin u ka bërë një thirrje rusëve që të qëndrojnë të bashkuar dhe të ndërtojnë "ndjenjat e thella të patriotizmit" dhe "themelet shpirtërore" që përshkojnë historinë e Rusisë, gjatë një fjalimi që ai mbajti për të përkujtuar Ditën e Rusisë, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Dita e Rusisë, festa kombëtare e Federatës Ruse, festohet çdo vit më 12 qershor që nga viti 1992 për të përkujtuar miratimin zyrtar të Deklaratës së Sovranitetit të Federatës Ruse më 12 qershor 1990, e cila shpalli "pavarësinë" e Rusisë nga BRSS.

Në një fjalim në Kremlin, Putin bëri edhe një herë homazhe për Pjetrin e Madh, të cilin e kremtoi në një fjalim në fillim të së njëjtës javë, që shënon 350 vjetorin që nga lindja e carit rus.

“Sot, ne jemi veçanërisht të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është që Atdheu, shoqëria dhe njerëzit tanë të jenë të bashkuar”, tha Putin.

Ish-ushtar britanik vritet në luftime në Severodonetsk

Një ish-ushtar britanik ka vdekur duke luftuar forcat ruse në qytetin ukrainas të Severodonetsk, ka thënë familja e tij, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Jordan Gatley u largua nga ushtria britanike në mars dhe iku për në Ukrainë menjëherë pas kësaj për të ndihmuar në shmangien e forcave ruse dhe për të trajnuar ushtarët ukrainas.

Duke bërë të ditur lajmin në Facebook, babai i tij Dean shkroi: “Dje (10/06/22) morëm lajmin shkatërrues se djali ynë, Jordan, është qëlluar dhe vrarë në qytetin Severodonetsk të Ukrainës.

“Ekipi i tij thotë se të gjithë e donin atë, ashtu si ne, dhe ai bëri një ndryshim masiv në jetët e shumë njerëzve, jo vetëm duke u ushtuar, por edhe duke trajnuar forcat ukrainase.

“Jordani dhe ekipi i tij ishin aq krenarë për punën që po bënin dhe ai shpesh më thoshte se misionet që po bënin ishin të rrezikshme, por të nevojshme.

"Ai e donte punën e tij dhe ne jemi shumë krenarë për të. Ai ishte me të vërtetë një hero dhe do të jetë përgjithmonë në zemrat tona."

Rusia shkatërron urën e dytë që lidh Severodonetsk dhe Lysychansk

Ushtria ruse ka shkatërruar një urë të dytë që lidh qytetet fqinje Severodonetsk dhe Lysychansk dhe po bombardon të tretën, tha Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit të Luhansk, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Rusët shkatërruan urën e Pavlogradit midis Severodonetsk dhe Lysychansk në rajonin Luhansk të Ukrainës më 22 maj.

Haidai tha se situata në Severodonetsk është jashtëzakonisht e vështirë dhe dy ditët e ardhshme do të jenë vendimtare, por ai shtoi se deri më tani trupat ruse nuk kanë qenë në gjendje të marrin qytetin.

"Ata duan të shkëputin plotësisht Severodonetsk nga mundësia për të nxjerrë njerëz ose për të sjellë municion dhe përforcime atje," tha Haidai.

Ai shtoi se Rusia do të përdorë të gjitha rezervat e saj sot ose nesër për të kapur Severodonetsk dhe thotë se ata mund të avancojnë në drejtime të tjera për të shkëputur plotësisht qytetin duke marrë nën kontroll autostradën Lysychansk-Bakhmut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat