Më shumë se 100,000 njerëz janë të bllokuar në Mariupolin e pushtuar, tha kryetari i bashkisë së qytetit Vadym Boichenko për BBC.
"Ata nuk kanë ujë të pastër. Nuk ka ushqim, rrymë, mjekime. Spitalet janë dëmtuar, mjekët janë vrarë. Njerëzit nuk jetojnë atje, ata mbijetojnë, duke luftuar për ushqim," thotë kryebashkiaku.
Forcat ruse morën kontrollin e qytetit port jugor në maj pas muajsh bombardimesh të pamëshirshme.
Boichenko, i cili është larguar nga Mariupol, thotë se trupat e shumë viktimave ende qëndrojnë në ndërtesa të bombarduara, raporton BBC, përcjell Bota sot.
"Ka shumë të vdekur në Mariupol. Rusët nuk i kanë pastruar trupat e atyre që vranë në bombardime. Shumë trupa janë ende nën rrënoja... Sipas mjekëve, kjo verë në Mariupol do të jetë e tmerrshme."
Mariupol është në rrezik të një shpërthimi të madh kolere, thotë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Kryebashkiaku e përshkruan situatën në qytet si katastrofike dhe u bën thirrje organizatave ndërkombëtare që të ndihmojnë në organizimin e “korridoreve të gjelbërta” për evakuim.
"Nuk ka spitale, nuk ka mjekë. Rusët vjedhin pajisje nga spitalet që nuk u dëmtuan në luftime dhe i çojnë në Donetsk.
"Njerëzit janë duke pritur për disa ditë në një radhë për ujë dhe duke luftuar për ushqim. Rusët i detyruan njerëzit të pastrojnë rrënojat në këmbim të ujit. Qyteti është i mbyllur. Askush nuk lejohet të hyjë apo të dalë."