Ndizet situata në Ukrainë, rusët kapin dy ushtarë armeikanë / SHBA: Kina, në anën e gabuar të historisë

Bota

Ndizet situata në Ukrainë, rusët kapin dy ushtarë armeikanë / SHBA: Kina, në anën e gabuar të historisë

Nga: BOTA SOT Më: 15 qershor 2022 Në ora: 05:59 Përditësuar në ora: 16:19 më 15.06.2022
Pamje nga Ukraina

Jini me ne: Zelensky iu drejtohet deputetëve çekë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua anëtarëve të parlamentit çek përmes videolidhjes dhe e krahasoi gjendjen e vendit të tij me pushtimin e Çekosllovakisë të udhëhequr nga sovjetikët në vitin 1968.

Presidenti Zelensky falënderoi çekët për mbështetjen e tyre - ofrimin e armëve të rënda në një pikë vendimtare të konfliktit.

"Ne jemi me ju, jini me ne," tha ai, duke cituar një rresht të famshëm nga një prej transmetimeve të fundit radiofonike në 1968 përpara se ushtarët rusë të merrnin ndërtesën e Radios Çekosllovake.

Ai tha se Ukraina tani po përdor të njëjtat fjalë për t'u bërë thirrje të gjitha kombeve demokratike të botës.

Zelensky gjithashtu paralajmëroi Vladimir Putin nuk do të ndalet në Ukrainë dhe e gjithë Evropa Qendrore dhe Lindore ishte në rrezik nga agresioni rus.

Rusia dhe Kina rrisin bashkëpunimin ekonomik

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping kanë biseduar sot në telefon.

Ata kanë rënë dakord të rrisin bashkëpunimin ekonomik përballë sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, thotë Kremlini, raporton BBC, përcjell Bota sot.

"U ra dakord të zgjerohet bashkëpunimi në energji, financiar, industrial, transport dhe fusha të tjera, duke marrë parasysh situatën në ekonominë globale që është bërë më e ndërlikuar për shkak të politikës së paligjshme të sanksioneve të Perëndimit," tha Kremlini. 

Macron zotohet të “bëjë gjithçka” për të ndaluar makinerinë ruse të luftës në Ukrainë

Presidenti francez Emmanuel Macron mbajti një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë të mërkurën, duke u zotuar se do të bëjë gjithçka" për të ndaluar luftën e nisur ndaj Ukrainës, në një kthesë të dukshme nga qëndrimi i tij i mëparshëm ndaj Moskës, që ngjalli shqetësim në Kiev dhe mes aleatëve evropianë për sa i përket angazhimit të Francës për t'iu kundërvënë Moskës.

Macron, i cili mbërriti në Rumani më 15 qershor për një udhëtim tre-ditor në krahun jugor të NATO-s dhe në Moldavi, është kritikuar nga Ukraina dhe aleatët e Evropës Lindore për atë që ata e perceptuan si mungesë të mbështetjes ndaj Ukrainës ndërsa ajo lufton për të zmbrapsur trupat ruse.

"Ne do të bëjmë gjithçka për të ndaluar forcat e luftës ruse, për të ndihmuar ukrainasit dhe ushtrinë e tyre dhe të vazhdojmë të negociojmë," u tha Macron trupave franceze, amerikane, britanike dhe atyre të tjera aleate në bazën ushtarake të NATO-s pranë portit të Konstancës të Rumanisë në Detin e Zi.

Macron do të udhëtojë më pas në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, për konsultime me presidenten pro-perëndimore Maia Sandu. Disa raportime në media, të cilat nuk janë konfirmuar nga zyra e Macron, thonë se ai të enjten, më 16 qershor do të shkojë në Kiev për një vizitë, së bashku me kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin italian Mario Draghi dhe presidentin rumun Klaus Iohannis.

"Ne duhet të mbështesim Ukrainën," tha Macron në një konferencë të përbashkët shtypi me Iohannis më 15 qershor.

Që nga dita e parë Franca tha qartë se Rusia është agresori”, tha Macron kur u pyet për deklaratat e tij të përsëritura se Rusia nuk duhet të poshtërohet gjatë përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit.

Por ne duhet të jemi të qartë: ne nuk jemi në luftë me Rusinë”, shtoi Macron, i cili ka vazhduar të mbajë të hapura kanalet e komunikimit me Kremlinin që nga fillimi i pushtimit.

"Presidenti ukrainas dhe zyrtarët e tij do të duhet të negociojnë me Rusinë," tha ai.

Franca drejton një grup ushtarak të NATO-s në Rumani me rreth 800 trupa, ku përfshihen 500 ushtarë francezë, dhe ka vendosur gjithashtu një sistem raketash tokë-ajër.

Vizita e Macron në Kiev, nëse konfirmohet, do të vijë një ditë përpara se Komisioni Evropian të bëjë një rekomandim për statusin e Ukrainës si kandidate të mundshme në Bashkimin Evropian.

Disa vende të BE-së, përfshirë Francën, kanë shprehur skepticizëm rreth pranimit të Ukrainës si një vend kandidat për t'iu bashkuar bllokut prej 27 anëtarësh./REL

Macron ashpërson gjuhën ndaj Rusisë për para vizitës së mundshme në Ukrainë

Presidenti i Francës Emmanuel Macron u shfaq me një gjuhë më të ashpër ndaj Rusisë të mërkurën pasi vizitoi trupat franceze dhe ato aleate në një bazë të NATO-s në Rumani, në përpjekje për të ulur shqetësimet në Ukrainë dhe midis disa aleatëve evropianë për qëndrimin e tij të mëhershëm ndaj Moskës.

Presidenti Macron arriti në Rumani në kuadër të një udhëtimi treditësh në krahun jugor të NATO-s, përfshirë Moldavinë, përpara një vizite të mundshme në Kiev të enjten bashkë me kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin italian Mario Draghi dhe presidentin rumun Klaus Iohannis, thanë dy burime diplomatike.

Vizita simbolike do t'i paraprinte rekomandimit të Komisionit Evropian për statusin e Ukrainës si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një synim për të cilin vendet më të mëdha evropiane kanë qenë të vakët dhe që do të diskutohet në një takim të udhëheqësve të bllokut me 23 dhe 24 qershor.

"Jemi në një pikë kur ne, evropianët, duhet t'u dërgojmë sinjale të qarta politike Ukrainës dhe popullit të saj ndërsa ajo po reziston heroikisht", tha presidenti Macron, pa dhënë hollësi.

Udhëheqësi francez është kritikuar nga Ukraina dhe aleatët e Evropës Lindore për atë që ata e shohin si mbështetjen e tij të paqartë për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Zyrtarët francezë ditët e fundit janë vënë në përpjekje për të forcuar mesazhet publike, ndërsa presidenti Macron u duk me një qëndrim më të ashpër të martën në mbrëmje kur ishte me trupat e tij.

"Ne do të bëjmë gjithçka për të ndaluar forcat ruse, për të ndihmuar ukrainasit dhe ushtrinë e tyre dhe të vazhdojmë të negociojmë", u tha ai trupave franceze dhe atyre të NATO-s në një bazë ushtarake në Rumani.

Macron në javët e fundit ka theksuar disa herë se ështe jetike që Rusia të mos "poshtërohej", në mënyrë që të mund të gjendej një zgjidhje diplomatike kur të mbaronin luftimet dhe ai ka vazhduar të mbajë hapur kanalet e komunikimit me Kremlinin, duke inatosur aleatët e vijës më të ashpër.

Duke folur së bashku me presidentin rumun Iohannis, presidenti Macron i minimizoi ato komente, por këmbënguli se Ukraina, e cila shpreson se do të fitojë luftën, përfundimisht do të duhet të negociojë me Rusinë.

"Ne ndajmë një kontinent. Gjeografia është kokëfortë dhe në fund të fundit, Rusia është aty. Ishte dje, është aty sot dhe do të jetë aty nesër", u tha ai gazetarëve.

Franca drejton një grup të NATO-s në Rumani prej rreth 800 trupash, duke përfshirë 500 trupa franceze së bashku me trupa të tjerë nga Holanda dhe Belgjika. Parisi ka vendosur gjithashtu një sistem raketash tokë-ajër.

Vëmendja mund të mund të përqendrohet në Kiev të enjten, ndërsa burime diplomatike thonë se udhëheqësit evropianë mund të shkojnë në kryeqytetin e Ukrainës.

Presidenti Macron nuk pranoi të komentojë mbi "çështjet logjistike", por tha se është e rëndësishme të zhvillohen bisedime të reja me Ukrainën për çështjet ushtarake, financiare dhe çështjet që lidhen me eksportimin e drithërave nga ky vend.

Presidenti Iohannis i Rumanisë tha se mbështetja duhet të përfshijë ofrimin e statusit të kandidatit për Ukrainën.

Për mendimin tim, statusi i kandidatit duhet të jepet sa më shpejt që të jetë e mundur. Është një zgjidhje korrekte nga pikëpamja morale, ekonomike dhe e sigurisë”, tha presidenti Iohannis, duke shtuar se ka pasur përpjekje për të gjetur një zgjidhje të mundshme për të tejkaluar dallimet midis fuqive evropiane rreth kësaj çështjeje./VOA

Rusia kontrollon shumicën e Severodonetsk

Rusia ka nën kontroll pjesën më të madhe të Severodonetsk pas një muaji luftimesh intensive, të cilat kanë krijuar “dëm të gjerë kolateral” në qytetin kyç lindor, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Ministria gjithashtu vuri në dukje se ishte “shumë e pamundur që Rusia të priste një kundërshtim të tillë të fortë” ose “konflikt të ngadaltë dhe të pakëndshëm”.
Përditësimi prek gjithashtu gjendjen e vështirë të “disa qindra civilëve” të cilët janë strehuar në bunkerë nëntokësorë në një fabrikë kimike, së bashku me ushtarët ukrainas.

Rusia ka thënë se do të lejojë kalimin e sigurt për civilët sot dhe u ka kërkuar ushtarëve të lënë armët dhe të dorëzohen.

Konferenca e Ministrisë së Mbrojtjes sugjeron që nëse luftëtarët qëndrojnë dhe vazhdojnë të qëndrojnë në uzinën kimike të Azot, kjo do të “ndalojë përkohësisht Rusinë që të ricaktojë këto njësi për misione diku tjetër”.

Ukraina thotë se Rusia humbi 250 trupa në 24 orë

Ushtria e Ukrainës thotë se luftëtarët e saj kanë mbrojtur me sukses përpjekjet e trupave ruse për të sulmuar pozicionet e tyre në qytetet lindore të Severodonetsk dhe Toshivka.

Ushtria ruse përdori mortaja, artileri dhe sisteme raketash të shumëfishta (MLRS) për të bombarduar disa qendra popullsie në zonën e Severodonetsk, duke përfshirë Severodonetsk, Lysychansk, Toshkivka, Ustynivka, Borivske dhe Metyolkine.

“Luftëtarët ukrainas zmbrapsin me sukses përpjekjet e armikut për të sulmuar pozicionet e tyre në Severodonetsk dhe Toshkivka, luftimet vazhdojnë,” tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në përditësimin e tij të fundit.

Në anën tjetër Rusia ka thën♪7 se do të lejojë civilët të largohen, duke shtuar se do t’u japë trupave ukrainase të ngujuara në fabrikën kimike  një shans për t’u dorëzuar.

Rusia thotë se ka shkatërruar depon e armëve të NATO-s në Ukrainë

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se raketat e saj shkatërruan një depo municioni në rajonin e Lvivit në Ukrainë, ku sipas saj ndodheshin armë dhe municione të dhuruara nga vendet e NATO-s.

Ndërkohë, përparimet ushtarake të Rusisë në rajonin e Donbasit janë shoqëruar me kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarë të lartë ukrainas për më shumë armë perëndimore.

SHBA-ja dhe Britania e Madhe tashmë janë zotuar të furnizojnë Ukrainën me një numër të vogël raketash për t’i bërë ballë fuqisë dërrmuese të arsenalit rus.

Por Ukraina thotë se ka nevojë për më shumë armë dhe artilieri në betejën e saj ndaj ushtrisë së dytë më të madhe në botë . Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin do të kryesojë një takim në Bruksel prej pothuajse pesëdhjetë vendesh, të angazhuar për të mbështetur Ukrainën për të marrë parasysh se çfarë mund të bëhet më shumë.

Ushtria ukrainase po pëson "humbje të dhimbshme" në rajonin lindor të Donbasit dhe zona të tjera të vijës së frontit në Ukrainë, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një mesazh video mbërmjen e së martës.

Ai theksoi se Ukraina kishte nevojë për armë moderne anti-raketore për të mbrojtur territorin e saj.

Zelensky tha gjithashtu se ai priste inspektime të logjistikës në ushtri pas raportimeve se disa ushtarakë ukrainas nuk kishin pajisje të mjaftueshme ushtarake.

Ai tha se është jetike të mbrohet rajoni i Donbasit, pasi kjo do të jetë "thelbësore për përcaktimin se kush do të dominojë betejën në javët e ardhshme"./REL

Papa Francesku: Lufta ruse në Ukrainë “ndoshta e provokuar” nga NATO

Një deklaratë e fortë është bërë nga Papa Francesku në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Sipas tij pushtimi rus i Ukrainës ishte pjesërisht i “provokuar” nga NATO, por mohoi se ai po e mbështet Presidentin Putin ndërsa denoncoi “mizorinë” e ushtarëve rusë.

Në një intervistë Papa dyfishoi pretendimet që bëri në prill se zgjerimi i NATO-s në Evropën Lindore “lehtësoi” zemërimin rus, shkruan The Times.

Kreu i Kishës Katolike tha se një kryetar shteti “shumë i mençur” e kishte vizituar atë disa muaj para luftës dhe i tha se ishte “shumë i shqetësuar për mënyrën se si po funksiononte NATO”. “Po lehin në dyert e Rusisë. Dhe ata nuk e kuptojnë se rusët janë perandorakë dhe nuk do të lejojnë asnjë fuqi të huaj t’u afrohet atyre. Ai kreu i shtetit dinte të lexonte shenjat e asaj që po ndodhte”, tha Papa.

Papa më parë iu referua NATO-s që “leh” në Rusi në një intervistë në prill me Corriere della Sera të Italisë.

Ukraina mori 10% të ndihmës ushtarake të kërkuar nga partnerët perëndimorë

Ukraina ka marrë vetëm 10% të ndihmës ushtarake të kërkuar nga partnerët perëndimorë, sipas zëvendësministrit të mbrojtjes të vendit.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, duke folur në një fjalim televiziv, tha: “Çfarëdo përpjekje që të bëjmë, pavarësisht sa profesionale është ushtria jonë, pa ndihmën e partnerëve tanë perëndimorë Ukraina nuk do të jetë në gjendje ta fitojë këtë luftë”.

Më herët sot  CNN raportoi  se SHBA pret më shumë njoftime për paketat e armëve dhe pajisjeve në Ukrainë gjatë një takimi kyç të gati 50 vendeve të njohur si Grupi i Kontaktit të Ukrainës të mërkurën, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes amerikane.  

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se Rusia po fiton terren në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, veçanërisht në qytetin Severodonestk, i cili ka parë disa nga luftimet më të ashpra kohët e fundit. Pa një fluks më shumë armësh, disa zyrtarë ukrainas kanë thënë se do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ndalet përparimi në rritje i Rusisë ose të rimarrë tokën e pushtuar në rajon. 

“Ne dëgjojmë çfarë thonë ata, dëgjojmë absolutisht çfarë po thonë”, tha zyrtari i lartë i mbrojtjes, i cili foli për “urgjencën” e takimit të grupit në Bruksel. 

Zyrtari nuk do të detajonte se cilat vende do të shpallnin paketa të reja sigurie ose çfarë do të përfshinin ato dërgesa, por vuri në dukje se SHBA punon “shumë ngushtë” me vendet e tjera për të kuptuar se çfarë kanë nevojë forcat e armatosura të Ukrainës dhe më pas për të gjetur ato sisteme për t’i dërguar.

Presidenti ukrainas kërkon sisteme të armëve antiraketë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vendi nuk ka një sasi të mjaftueshme të sistemeve moderne të armëve anti-raketë dhe zvarritja në marrjen e tyre nuk mund të justifikohet.

Në një fjalim të martën, Zelensky iu lut partnerëve të Ukrainës që të sigurojnë armë moderne kundër raketave dhe tha se këtë javë do të ketë shumë bisedime të rëndësishme jo vetëm me politikanët evropianë, të cilët janë në gjendje t’i ofrojnë Ukrainës një sistem modern anti-raketë.

“Edhe pse ka gjithnjë e më pak raketa moderne në Rusi çdo ditë që kalon, nevoja e Ukrainës për sisteme të tilla mbetet. Sepse Rusia ka ende mjaft lloje raketash sovjetike, të cilat janë edhe më të rrezikshme. Ato janë shumë herë më pak të sakta, dhe për këtë arsye shumë herë më kërcënuese për objektet civile dhe ndërtesat e zakonshme të banimit”, tha Zelensky.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat