LIVE: Koha ende në favor të Ukrianës – Lavrov mesazh sfidues Britanisë së Madhe

Bota

LIVE: Koha ende në favor të Ukrianës – Lavrov mesazh sfidues Britanisë së Madhe

Nga: Bota sot Më: 16 qershor 2022 Në ora: 06:03 Përditësuar në ora: 15:09 më 16.06.2022
Sergei Lavrov

Zelensky takohet në Kiev me liderët evropianë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është takuar në Kiev me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin italian Mario Draghi si dhe presidentin rumun Klaus Iohannis.

“Ditë e ngjeshur. Takime të rëndësishme”, ka thënë Zelensky në kanalin e tij zyrtar në Telegram, ku u shpreh i kënaqur për vizitën që ia kanë bërë liderët evropianë.

Ndryshe presidenti francez pas vizitës në Irpin, tha para gazetarëve se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë.

E kancelari gjerman theksoi se Irpini dhe Bucha, janë simbol i mizorisë së paimagjinueshëm të luftës ruse. 

Scholz: Irpini dhe Bucha simbol i mizorisë së paimagjinueshme

Kancelari gjerman Olaf Scholz pas vizitës që e realizoi në Irpin, në periferi të Kievit, tha para gazetarëve se Irpini dhe Bucha janë simbol i mizorisë së paimagjinueshme të luftës ruse.

Ky është udhëtimi i parë i Scholzit në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në këtë vend.

“Shkatërrimi brutal në këtë qytet është një kujtesë se kjo luftë duhet të përfundojë”, tha Scholz në një postim të bërë në Tëitter.

E presidenti rumun Klaus Iohannis që gjithashtu po viziton Kievin, ka shkruar në Twitter se Rumania kërkon “të gjithë përgjegjësit rusë të dalin para gjykatës ndërkombëtare”. 

 

Nga Rusia refuzojnë të përgjigjen nëse do të fillojnë luftën nukleare për shkak të Ukrainës

Dimitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, nuk u përgjigj në pyetjen se a ekziston mundësia e luftës nukleare, pavarësisht këmbënguljes se lufta e Putin në Ukrainë nuk do të duhet të pengojë asnjë marrëveshje mes Rusisë dhe SHBA-së për “frenimin” e garës të armëve bërthamore.

Petkov, si dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, më herët kishin thënë se në luftën e Ukrainës do të përdoren vetëm armët konvencionale, megjithëse televizioni shtetëror rus, i cili reflekton mendimet e Kremlinit, gjatë gjithë kohës ka folur për mundësinë e një lufte bërthamore, shkruan Newsweek.com.

Por gjatë të enjtes, Peskov i u shmang pyetjes për mundësinë e një lufte bërthamore, ndërsa për RIA Novosti tha: “unë besoj se një media duhet të jetë aq profesionale sa që të mos bëjë pyetje të tilla, e edhe ata që janë duke u intervistuar duhet të jenë aq të mençur sa të mos përgjigjen në këto pyetje”.

Spektri i armëve bërthamore ka mbetur si hije në luftën e Ukrainës, prej se Putin me 27 shkurt, vetëm tre ditë pas fillimit të luftës, urdhëroi forcat e tij nukleare që të jenë në gjendje të lartë gatishmërie.

Në prill, Rusia e kreu me sukses testin e raketës Sarmat, një raketë nukleare balistike me kapacitet veprimi ndërkontinental, raketë kjo për të cilën Putin tha se do t’i bëjë kundërshtarët e tij të mendojnë dy herë para se të veprojnë.

Ndërsa ekspertët kanë hedhur dyshimet e tyre në çështjen se nëse Putin do t’i përdorte armët nukleare në rast se lufta do të kthehej kundër tij.

Kremlini: Rusia dhe SHBA duhet të diskutojnë zgjatjen e traktatit të armëve bërthamore

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të diskutojnë zgjatjen e traktatit START për reduktimin e armëve bërthamore, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton CNN, përcjell "Bota sot".

Peskov tha se diskutimet për zgjerimin duhet të kishin filluar tashmë sepse çështja është e rëndësishme për sigurinë globale. Bisedimet e çdo lloji midis SHBA-së dhe Rusisë janë tensionuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Kjo është një temë që nuk mund të shmanget”, tha Peskov për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti në një intervistë të enjten.

“Ky diskutim është i rëndësishëm jo vetëm për popujt e dy vendeve tona, por edhe për të gjithë botën, për sigurinë globale”, shtoi ai.

Udhëheqësi separatist në Donetsk kërkon referendum për bashkimin me Rusinë

Udhëheqësi i mbështetur nga Rusia i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut (DPR) thotë se dëshiron të shohë një "referendum" të mbajtur për rajonin e tij për t'u bashkuar me Rusinë, raporton CNN, përcjell "Bota sot".

“Vendimi për një referendum për bashkimin e DPR me Rusinë do të merret pasi të përfundojë operacioni special ushtarak”, tha Denis Pushilin për median shtetërore ruse RIA Novosti. Ai tha se shpreson se lufta do të përfundon "deri në fund të vitit".

"Ukraina si shtet thjesht mund të mos ekzistojë në të ardhmen e parashikueshme," tha ai.

Rusia e njohu DPR-në si një shtet të pavarur pak para pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Luftëtarët e DPR, tha Pushilin, nuk do të ndalen në kufijtë e Donetskut, pjesë të mëdha të të cilit ende kontrollohen nga forcat ukrainase.

"Furnizimet e Perëndimit me armë të reja në Ukrainë po i detyrojnë trupat e DPR të mos ndalen në kufijtë e Republikës së Donetsk," tha ai.

Dhjetëra mijëra ukrainas janë vrarë që nga pushtimi rus

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov ka thënë se beson se dhjetëra mijëra ukrainas janë vrarë që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt.

Duke folur për Matthew Chance të CNN në një intervistë ekskluzive, Reznikov refuzoi të jepte shifra të sakta të humbjeve të Ukrainës, por ai tha se "shpreson" që shifra të jetë nën 100,000.

Reznikov tha se nuk ishte dakord me vlerësimin më të fundit të SHBA-së se 16,000 ushtarë rusë janë vrarë që nga pushtimi, duke thënë se ai beson se numri i viktimave të tyre është dukshëm më i lartë.

Që nga 15 qershori, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), regjistroi 4,452 të vrarë që nga pushtimi, nga të cilët 280 ishin fëmijë. Rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut -- ku bombardimet e Rusisë kanë qenë të vazhdueshme -- panë 2,583 nga totali i vdekjeve të regjistruara. OHCHR beson se shifrat aktuale janë "dukshëm më të larta".

Miliona ukrainas janë zhvendosur nga lufta, me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) më 14 qershor që regjistroi 5,094,531 refugjatë të shpërndarë vetëm nëpër Evropë. Në pjesën tjetër të botës, ata vlerësojnë se ka 6.1 milionë refugjatë ukrainas.

Rusia intensifikon sulmet në Severodonjeck teksa tre liderë evropianë vizitojnë Kievin

Forcat ruse kanë intensifikuar sulmet e tyre në Severodonjeck, në përpjekje e sipër për të marrë kontrollin e këtij qyteti kyç në rajonin lindor, Donbas.

Ndërkohë tre liderët evropianë, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministri italian, Mario Draghi janë nisur të enjten me tren nga Polonia për në Kiev.

Ukraina ka kritikuar Francën, Gjermaninë dhe më pak Italinë për atë që është konsideruar si hezitim për të mbështetur Kievin dhe për të nisur më shpejt armët.

Sa i përket fushëbetejës, Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valeriy Zaluzhny, ka thënë se Rusia ka koncentruar forcat kryesore në rajonin Luhansk dhe po tenton të sulmojë vazhdimisht nga nëntë drejtime.

“Vazhdon lufta e ashpër për rajonin Luhansk”, ka thënë Zaluzhny përmes një mesazhi online.

Rusët janë duke sulmuar nga ajri, me granata dhe artileri, ka shtuar ai.

Luftimet për Severodonjeckun janë duke vazhduar tash e disa javë, teksa Rusia avancon në rajonin e Donbasit.

Marrja e Severodonjeckut – qytetit më të madh në Luhansk - do t’i mundësonte Moskës që të avanconte në Sllovjansk dhe Kramatorsk, rajone më afër perëndimit të Ukrainës.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 16 qershor se ndonëse situata vazhdon të jetë jashtëzakonisht e vështirë për mbrojtësit e Severodonjeckut, Ukraina duket se ka arritur të largojë një pjesë të madhe të forcave luftarake që kanë qenë në këtë qytet.

Gjenerali amerikan, Mark Milley, ka thënë më 15 qershor se pavarësisht faktit që Rusia ka më shumë forca ushtarake dhe pajisje ndaj forcave ukrainase në rajonin e Donbasit, kontrollimi i lindjes së Ukrainës nga ana e palës ruse, “nuk është gjë e kryer”.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se rreth 12,000 civilë janë të bllokuar në Severodonjeck, pa furnizime, dhe shumë prej tyre janë duke u strehuar në bunkerët afër centralit kimik Azot, që gjendet në qytet.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL

OKB: Shifra rekorde të refugjatëve më 2021

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), ka thënë se numri i njerëzve që kanë ikur nga shtëpitë e tyre më 2021 ka arritur në nivelet më të larta, prej nisjes së regjistrimit të tyre.

Në raportin e saj të fundit, të lëshuar më 16 qershor, agjencia ka thënë se 89.3 milionë individë në gjithë botën janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre më 2021, si rezultat i persekutimit, konfliktit, dhunës apo shkeljes së të drejtave të njeriut.

Kjo shifër është për 8 për qind më e madhe sesa vitin paraprak, dhe dyfish më e madhe sesa një dekadë më parë.

Agjencia ka thënë se pushtimi rus në Ukrainë – i cili ka nisur më 24 shkurt – ka nxitur një prej krizave më të mëdha të shpërnguljes, prej Luftës së Dytë Botërore, derisa edhe “emergjencat tjera” në Afrikë, Afganistan dhe pjesë tjera të botës, e kanë rritur shifrën në mbi 100 milionë më 2022.

“Secilin vit të dekadës së fundit, numrat janë rritur”, ka thënë Komisionari i OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi.

“Ngjarjet e radhës varen nga ne. Ose duhet të veprojmë për të adresuar këtë situatë dhe të gjejmë zgjidhje, ose vazhdojmë të rrisim shifrat”, ka shtuar ai.

Sipas raportit, rreth 7.1 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda shtetit të tyre prej nisjes së luftës në Ukrainë, derisa më shumë se 6 milionë refugjatë kanë dalë krejtësisht nga shteti.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë, ka thënë se mungesat e ndryshme, inflacioni dhe kriza klimatike, janë duke vështirësuar edhe më shumë situatën.

Në raport është përmendur se Afganistani ka shënuar 4 për qind ulje sa u përket refugjatëve më 2021, pavarësisht tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga shteti, dhe marrjes së kontrollit nga talibanët./REL

Do t’i jepet kaq shpejt Ukrainës statusi i kandidates në BE?

Para vendimit për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE, ka dallim në qëndrimet e vendeve anëtare. Në kohë paqeje Ukraina zor se do të kishte shansin për statusin e vendit kandidat.    

Gjithçka mund të ndodhë shumë shpejt tani. Në Bruksel llogaritet me atë që Komisioni Europian që këtë javë të japë vlerësimin e tij për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE. Për të sqaruar ende disa çështje në lidhje me këtë kërkesë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen udhëtoi fundjavën e shkuar në Kiev. Von der Leyen lëvdoi progresin e qeverisë, por u shpreh për nevojën e reformave të mëtejshme në drejtim të shtetit ligjor dhe luftimit të korrupsionit. Edhe nëse Komisioni Europian jep rekomandimin, vendimin për këtë e marrin krerët e shteteve dhe qeverive të BE në samitin në fund të qershorit.

Aty kërkohet një vendim unanim. Sepse bëhet fjalë për çdo votë, prandaj Volodymyr Zelensky ka dërguar këshilltarët e tij më të afërt në kryeqytetet europiane. Nuk dua ta fsheh, tha kreu i parlamentetit ukrainas, Ruslan Stefantshuk në Parlamentin Europian në Straburg, se ndjek një qëllim. "Ne kemi nevojë për statusin e vendit kandidat. Këtë duhet ta dëgjojë populli ynë nga BE, si mesazh që përpjekja jonë të mos jetë më kot." Stefantshuk e ka mbështetjen e eurodeputetëve.

Vendet anëtare të ndara

Por vendet anëtare kanë vlerësime të ndryshme. Në një kohë që anëtaret europiano-lindore të BE nuk duan të humbasin kohë, për disa vende të tjera ky është një zhvillim shumë i shpejtë.

kryeson skeptikët. Presidenti francez nuk e shikon si ide të mirë të negociohet në mesin e luftës. "Edhe sikur nesër t'i japim Ukrainës statusin e vendit kandidat", tha Macron në fjalimin e tij më 9 Maj, Ditën e Europës, çdokush e di, se procedura do të zgjasë, "në të vërtetë disa dekada".

Prej vitesh Macron paralajmëron partnerët që të përmirësohet më parë aftësia vepruese e BE para sfidave të reja të zgjerimit të saj. Por ai shikon edhe rrezikun, se vende si Ukraina, nëse nuk lidhen me BE mund të humbasin interesin. Prandaj ai propozon një partneritet të privilegjuar, "një bashkësi politike europiane" jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Gjeorginë, Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë.

Status brenda dhe jashtë?

Ka 20 vjet që diskutohet varianti, që BE mjaft vendeve që duan të anëtarësohen t'u ofrojë një opcion tjetër në vend të anëtarësimit, një status mes jashtë dhe brenda. Por Macron do të shkojë më tej. Ai do t'u ofrojë këtyre vendeve më shumë bashkëpunim në fushën e sigurisë, transportit, lëvizjes së lirë të njerëzve e të tjera. Macron kërkon bashkëpunëtorë për planin e tij dhe do të fitojë kohë nga debati emocional që zhvillohet për Ukrainën. Kancelari gjerman e quajti idenë e Macron "një propozim shumë interesant, në kohën e sfidave të mëdha që duhet të përballemi."

Çfarë do të thotë kjo? Do të flasë Scholz për apo kundër statusit të vendit kandidat në udhëtimin e tij të pritshëm në Kiev? Zelensky kërkon shumë: Ai është shprehur se pret që personalisht kancelari gjerman të mbështesë anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Kriteret e Kopenhagës të vitit 1993 përcaktojnë kuadrin që duhet përmbushur, që të merret biletae hyrjes në BE: një shtet funksionues ligjor me mbrojtje të pakicave, ekonomi tregu transparente, edhe vende që duan të jenë vende kandidate duhet të ofrojnë një bazë të tillë. Sipas disa vendeve europiane, Ukraina është larg këtyre kritereve. Para luftës, në publikimin e Transparency International Ukraina renditej në vendin e 122 nga 180 vende të listuara për perceptimin e korrupsionit në një vend nga qytetarët. Në publikimet e Pandora Papers të oazeve tatimore në botë gjenden shumë ukrainas, mes tyre edhe presidenti Zelensky dhe bashkëpunëtorë të tij me firmat e tyre fiktive. Në fund të vitit 2021, Gjykata Europiane e Auditimit publikoi një raport me përfundime shumë kritike për influencën e oligarkëve në vend. Sipas raportit, ndihmat e BE "janë thjesht pa efekt në luftimin e korrupsionit në nivel të lartë".

Në kohë paqeje Ukraina nuk do të kishte shanse për marrjen kaq shpejt të statusit të vendit kandidat, por lufta i ka ndryshuar marrëdhëniet. Ky vend lufton për mbijetesën si komb, e kush nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE do të guxonte të dilte kundër dhënies së statusit kandidat? Përgjigja do dihet pas një jave në Bruksel./DW

Zelensky falënderon Biden për ndihmën ushtarake

Volodymyr Zelensky falënderoi Uashingtonin në fjalimin e tij të natës vonë të mërkurën dhe tha se Ukraina do të presë me padurim ndihmën ushtarake të premtuar nga Joe Biden.

“Kam pasur një bisedë të rëndësishme me presidentin amerikan Biden sot. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një fuqizim të ri të mbrojtjes sonë, një paketë të re mbështetjeje prej 1 miliard dollarësh, duke përfshirë mbrojtjen bregdetare, artilerinë dhe sistemet moderne të raketave. Ne do ta presim me padurim”, tha Zelensky.

Ai shtoi: “Unë jam mirënjohës për këtë mbështetje, është veçanërisht e rëndësishme për mbrojtjen tonë në Donbas".

“Jam mirënjohës edhe për udhëheqjen në mobilizimin e ndihmës së të gjithë partnerëve. Ekziston gjithashtu një paketë e re e mbështetjes humanitare për Ukrainën - një çerek miliardë dollarë amerikanë, "tha Zelensky.

Zelensky potencoi se ai diskutoi zhvillimet e fundit në terren me zotin Biden. “Ne diskutuam gjithashtu me Presidentin Biden situatën taktike në fushën e betejës dhe mënyrat për të përshpejtuar fitoren tonë. Sanksionet, politika, bashkëpunimi ekonomik – po përgatitemi për hapa të rinj”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat