Kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se Grupi i Shtatë vendeve kryesore demokratike (G7) do ta bëjë të qartë në samitin e tyre të ardhshëm se Ukraina mund të presë të marrë mbështetjen që i nevojitet "për aq kohë sa të jetë e nevojshme".
Në një intervistë me agjencinë gjermane të lajmeve DPA të botuar të shtunën (18 qershor), Scholz tha se dëshiron të përdorë takimin e javës së ardhshme me liderët e tjerë të G-7 në fshatin bavarez të Elmau për të diskutuar perspektivat afatgjata të Ukrainës, raporton Independent, përcjell "Bota sot".
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, citohet të ketë thënë Scholz. “Ne duam të sigurohemi që llogaritjet e presidentit rus (Vladimir Putin) të mos funksionojnë".
"Putin padyshim shpreson se gjithçka do të bjerë në vend pasi të ketë pushtuar mjaft tokë dhe komuniteti ndërkombëtar do t'i kthehet biznesit si zakonisht," shtoi ai. "Ky është një iluzion."