Një ekip epidemiologësh është dërguar me urgjencë në një provincë në Korenë e Veriut, e cila po përballet me shpërthimin e një sëmundje misterioze të zorrëve.
Lajmi është konfirmuar nga media shtetërore e Koresë së Veriut këtë të diel. Deri tani, të paktën 800 familje në provincën Hwanghae janë duke vuajtur nga sëmundja që media shtetërore e quajti “epidemi akute enterike”.
Ndërkohë, zyrtarë nga Koreja e Jugut kanë thënë se mund të ketë një shpërthim të kolerës ose tifos.
“Daily Mail” shkruan se kjo sëmundje vjen në një moment tejet të vështirë për Korenë e Veriut kur shteti komunist është duke u përballur me mungesën e ushqimeve dhe një vale infeksionesh nga Covid-19.
Media shtetërore KCNA raportoi të dielën se autoritetet kanë vendosur menjëherë në karantinë personat e infektuar, ndërsa testime të vazhdueshme janë duke u bërë personave të kontaktit.