Përse po rriten tensionet Rusi – Lituani?
![](/media/botasot.info/images/2022/June/23/auto_651656017465.png)
Tensione të reja mes Moskës dhe Perëndimit po shfaqen pasi Lituania vendosi të ndalë transportin e disa mallrave përmes territorit të saj drejt rajonit rus Kaliningrad, në kuadrin e sanksioneve të vendosura ndaj Kremlinit, nga Bashkimi Evropian.
Moska paralajmëroi se do të kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve që vijnë si pasojë e sulmit të tij ndaj Ukrainës, në një mënyrë që do të ketë “ndikim domethënës negativ” mbi popullin lituanez, duke rritur kështu frikën për një përplasje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s.
Por cilat janë arsyet e rritjes së tensioneve për Kaliningradin, një territor i Rusisë në Detin Baltik, por që është i ndarë nga pjesa tjetër e vendit?
TERRITORI MË NË PERËNDIM I RUSISË
Rajoni i Kaliningradit ishte dikur pjesë e provincës gjermane Prusia Lindore, që u mor nga Bashkimi Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, në përputhje me marrëveshjen e Potsdamit të vitit 1945 mes fuqive aleate. Kryeqytetit të Prusisë Jugore, Konigsberg, iu ndërrua emri në Kaliningrad, sipas emrit të udhëheqësit bolshevik Mikhail Kalinin.
Mendohet se rreth 2 milionë gjermanë u larguan nga ky territor në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe ata që qëndruan u dëbuan me forcë pasi përfundoi konflikti i armatosur.
Autoritetet sovjetike e shndërruan Kaliningradin në një port kryesor, si dhe një qendër peshkimi, duke inkurajuar njerëz nga rajonet e tjera që të zhvendoseshin aty. Që nga periudha e Luftës së Ftohtë, Kaliningradi gjithashtu shërbeu si një bazë kryesore për flotën ruse në Detin Baltik.
Por, që nga rënia e Bashkimit Sovjetik dhe me pavarësinë e vendeve të Baltikut, Kaliningradi u gjend i veçuar nga pjesa tjetër e Rusisë, dhe i rrethuar nga Lituania, Letonia dhe Estonia, tashmë të gjitha vende anëtare të NATO-s. Në jug të tij gjendet Polonia, gjithashtu vend anëtar i NATO-s./VOA
Lajmi e plot mund ta lexoni KETU