Zyrtarët u bëjnë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë, veçanërisht gazin. Në Gjermani ekziston frika se Rusia mund të përdorë mirëmbajtjen e Nord Stream si pretekst për të bllokuar gazin.
Presidenti i Agjencisë Federale të Rrjeteve të Gjermanisë, Klaus Müller, ka frikë nga ndërprerja e plotë e dërgesave të gazit rusdhe u bën thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë tani.
Së shpejti do të fillojnë punët në rregullimet dhe kontrollet vjetore të mirëmbajtjes së gazsjellësit Nord Stream 1, i cili lidh drejtpërdrejt mes dy vendeve. Në këtë kohë gazi rus nuk rrjedh, ndërsa punimet zakonisht zgjasin dhjetë ditë.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/July/04/auto_62143815_4011656916769.jpg)
Por, siç paralajmëron ai, këtë herë mund të jetë "mirëmbajtje politike afatgjatë". Në një rast të këtillë, Gjermania duhet "të mendojë seriozisht për kursime”, tha ai, duke qenë se sezoni i ngrohjes fillon zyrtarisht pas dymbëdhjetë javësh.
Të enjten, ministri i Ekonomisë Robert Habeck paralajmëroi se punimet e rregullta në Nord Stream (që do të fillojnë me 11 korrik) mund të përdoren si një justifikim politik nga Kremlini që të ndalojë transportin e gazit në Gjermani.
Siç tha Habeck, furnizimi me gaz për periudhën e verës është i siguruar, por më pas do të vijnë problemet.
Agregatët si zgjidhje?
Kreu i Agjencisë për Rrjete, e cila është përgjegjëse edhe për energjinë, u bën thirrje qytetarëve që të kontrollojnë sa më shpejt sistemet e ngrohjes, të bëjnë riparimet e domosdoshme dhe të kursejnë gaz. Ai u bëri thirrje teknikëve që të përqendrohen në instalimet e ngrohjes dhe ujit të ngrohtë në periudhën e ardhshme.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/July/04/auto_62262691_4011656916767.jpg)
Familjet, thotë Müller, "duhet të diskutojnë tashmë nëse do të ruajnë temperaturën e zakonshme në çdo dhomë gjatë dimrit, apo nëse mund të jetë më ftohtë në ndonjë dhomë apo vend."
Sipas tij, shteti do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për furnizimin me gaz dhe për pajisjen e familjjeve, spitaleve dhe institucioneve të domosdoshme. Por nuk dihet nëse kjo do të mjaftojë për furnizim me sasi të mjaftueshme të gazit. /DW