LIVE: Ukraina akuzon Rusinë për shkatërrimin e raketave amerikane/ Rusia jep deklaratë të ashpër për SHBA-në

Bota

LIVE: Ukraina akuzon Rusinë për shkatërrimin e raketave amerikane/ Rusia jep deklaratë të ashpër për SHBA-në

Nga: BOTA SOT Më: 6 korrik 2022 Në ora: 05:58 Përditësuar në ora: 11:50 më 06.07.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Blinken në G20 do të kërkojë zhbllokimin e eksporteve të Ukrainës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do t’iu bëjë thirrje anëtarëve të G20, për t’i bërë presion Rusisë që të mbështesë përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të rihapur rrugët detare që janë bllokuar nga konflikti në Ukrainë.

Gjatë takimit të G20-s, Blinken pritet po ashtu të përsërisë paralajmërimet ndaj Kinës që të mos e mbështesë Moskën në luftën kundër Ukrainës.

Blinken është nisur më 6 korrik për në Azi, për të marrë pjesë në takimin e 8 korrikut të G20-s në Bali. Ai pritet të takohet me homologun e tij kinez, Wang Yi, por asnjë takim nuk pritet të ndodhë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ramin Toloui, ndihmëssekretar i Shtetit për Ekonomi dhe Çështje Biznesore, u tha gazetarëve se Blinken do ta ngrehë çështjen e sigurisë së energjisë dhe nismave të OKB-së për të zhbllokuar eksportet e Rusisë dhe Ukrainës të produkteve bujqësore në tregjet botërore.

“Shtetet e G20 duhet ta mbajë përgjegjëse Rusinë dhe të insistojë në mbështetjen e përpjekjeve të OKB-së për të rihapur rrugët detare për dërgesat e drithërave”, tha ai.

“Nëse kjo do të ndodhë në nivel të G20-s apo në nivel të shteteve individuale, ajo që është më e rëndësishme është qëndrimet që do të paraqesë sekretari Blinken”, tha Toloui.

Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po vjedh drithërat e saj teksa po vazhdon pushtimi i shtetit dhe se ka bllokuar protet ukrainase, ku gjenden dërgesat me drithëra. Këto bllokada Kievi ka thënë se po ndikojnë në mungesën e furnizimeve globale.

Ukraina tha se gjatë kësaj jave do të mbajë bisedime me Turqinë dhe OKB-në për të marrë garanci të sigurisë për eksportet e drithërave.

Moska ka mohuar se po vjedh drithërat e Ukrainës, por imazhet satelitore dhe të dhënat e tjera tregojnë se Rusia po transporton drithëra nga Ukraina përmes portit të Sevastopolit në Krime.

Putin fillon të arrestojë edhe këshilltarët e tij

Bota akademike ruse u trondit dje nga arrestimi i atij që cilësohej si një nga ekonomistët më të njohur të vendit, ndër të tjera edhe këshilltar i presidentit Vladimir Putin.

Bëhet fjalë për Vladimir Mau, anëtar bordi i Gazprom dhe kreu i Akademisë Presidenciale të Ekonomisë dhe Administratës Publike, instituti që ka formuar pjesën më të mirë të drejtuesve pas rënies formale të komunizmit.

Pikërisht Mau ishte një nga bashkëpunëtorit e ish-kryeministrit ekonomist Yegor Gaidar, që aplikoi të ashtuquajturën “terapia e shokut”, që për disa varfëroi shtresat e mesme, por për të tjerë shpëtoi vendin nga kolapsi në vitet ’90.

Mau akuzohet për mashtrim dhe përvetësim fondesh nga Instituti që drejton, të rreth 4000 mijë dollarëve.

Arrestimi i bujshëm vjen si pasojë e një hetimi antikorrupsion që ka vënë në pranga edhe një ish-zëvendësministre të Arsimit, Marina Rakova, dhe personalitete të ndryshme akademike.

Sipas kritikëve, në fakt akuzat për korrupsion janë një fasadë ku Putin fsheh vullnetin e tij për të izoluar pjesën liberale të akademisë ruse, që mund të kundërshtojë hapur gjendjen ku ndodhet vendi pas vendimit të pushtimit të Ukrainës, që praktikisht ka izoluar Moskën zyrtare nga tregjet perëndimore.

Lavrov paralajmëron botën: Ruani ligjet ndërkombëtare

Ministri i Jashtëm i Rusisë u ka bërë thirrje të gjitha palëve në botë që të bëjnë përpjekje për të mbrojtur ligjet ndërkombëtare pasi “bota po evoluon në një mënyrë të ndërlikuar”.

Lavrov po fliste përmes një përkthyesi në një takim me homologun e tij vietnamez Bui Thanh Son në Hanoi. Komentet e tij vijnë pasi vendet perëndimore kanë akuzuar Rusinë për shkelje të ligjit ndërkombëtar përmes pushtimit të Ukrainës.

Vietnami është një partner kyç i Rusisë në ASEAN  dhe marrëdhëniet e të dy vendeve bazohen në historinë dhe luftën e tyre të përbashkët për drejtësi,” tha Lavrov në takim, duke iu referuar Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore.

Vietnami dhe Rusia kanë lidhje të ngushta që datojnë që nga epoka sovjetike dhe Hanoi deri më tani nuk e ka dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë, të cilën Moska e quan një “operacion special”. 

Vizita e Lavrov në Hanoi vjen pasi të dy vendet shënojnë 10 vjetorin e “partneritetit strategjik gjithëpërfshirës”

Ushtria ruse bombardon tregun qendror në Slovyansk, vriten 2 civilë, plagosen shtatë të tjerë

Bombardimet ruse kanë djegur një treg qendror në qytetin lindor të Ukrainës, Slovyansk, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur shtatë, njofton një zyrtar ukrainas.

“Ky është terrorizëm i pastër!”, tha Kreu rajonal i Donetsk, Pavlo Kyrylenko.

Kryebashkiaku Vadym Lyakh tha se Slovyansk po goditet nga sulmet e artilerisë ruse nga pozicione më të afërta, pasi u bë qytet i vijës së parë, raporton BBC.

Ai postoi foto të zjarrit të së martës në Facebook, duke përshkruar bombardimet masive dhe duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë në strehimore.

Rusia po kërkon të pushtojë të gjithë zonën industriale lindore të Donbasit.

Zona përbëhet nga dy rajone, Luhansk dhe Donetsk.

Pasi njohjes së dy shteteve të vetëshpallura rebele atje, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një pushtim total të Ukrainës më 24 shkurt.

Javën e kaluar, ushtria e Ukrainës tha se i duhej të tërhiqej nga Lysychansk, bastioni i fundit i saj i mbetur në Luhansk, pasi zona ishte rrethuar nga të gjitha anët nga ushtria ukrainase.

Kreu rajonal i Luhansk, Serhiy Haidai tha të martën se “luftimet e ashpra po zhvillohen në skajin e rajonit të Luhansk pranë Lysychansk”.

“Armiku ka dislokuar forca të konsiderueshme,” tha ai, duke shtuar se Rusia po përpiqej të dërgonte më shumë nga forcat e saj përtej një lumi.

Rusia akuzohet për “bastisje biznesi” dhe “vjedhje drithi” në rajonin e pushtuar

Këshilltari presidencial i Ukrainës Mykhailo Podolyak ka dhënë një përditësim për rajonin Kherson, i cili është nën kontrollin rus.

Ai tha se rajoni po qeveriset nga shtetas rusë dhe punonjës të FSB-së, shkruan Sky news, përcjell “Bota sot”.

Duke i akuzuar pushtuesit për "bastisje biznesi" dhe "vjedhje të grurit".

Një listë në rritje e provave sugjeron se Rusia po merr ilegalisht burimet e Ukrainës - dhe ju mund të lexoni hetimin tonë për këtë këtu./M.H.

Luftimet e ashpra derisa trupat ruse lëvizin në Donetsk, thotë guvernatori rajonal

Majlinda Haziri Majlinda Haziri

Trupat ruse janë të përfshira në luftime të ashpra teksa hyjnë në rajonin Donetsk të Ukrainës pasi kanë marrë kontrollin e dy qyteteve të fundit në Luhansk fqinj, ka thënë guvernatori rajonal i Luhansk.

Serhiy Gaidai tha se trupat ruse kishin pësuar humbje të mëdha në luftën e gjatë për të kapur qytetet binjake të Sievierodonetsk dhe Lysychansk, por tani po i kanalizonin përpjekjet e tyre për të lëvizur drejt jugut, shkruan Sky news, përcjell “Bota sot”.

"Luftime të ashpra po zhvillohen në skaj të rajonit të Luhanskut... Të gjitha forcat e ushtrisë ruse dhe rezervat janë ridrejtuar atje... Ata po pësojnë humbje të mëdha," tha zoti Gaidai për televizionin ukrainas.

"Një sasi e madhe pajisjesh po dërgohet drejt rajonit të Donetskut. Sigurisht, pas rajonit të Luhanskut, Donetsk është në krye të listës së tyre."

OKB: 270 raste të ndalimit arbitrar dhe zhdukjes së detyruar në Ukrainë

Të paktën 270 raste të marrjes së civilëve nga forcat ruse janë dokumentuar që nga fillimi i pushtimit, ka thënë OKB.

“Pavarësisht kufizimeve në akses, ne kemi dokumentuar 270 raste të ndalimit arbitrar dhe zhdukjes së detyruar. Tetë nga viktimat u gjetën të vdekur”, tha komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet.

Ndërkohë, zëvendësministrja e Jashtme e Ukrainës, Emine Dzhaparova, akuzoi Rusinë për rrëmbime në një shkallë masive.

Zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut nuk i është dhënë akses në territorin e pushtuar nga forcat ruse.

Moska ka thënë se pretendimet e OKB-së ishin pjesë e një fushate dezinformimi për të “mbuluar krimet e regjimit të Kievit”.

Separatistët pro-rusë thonë se Ukraina bombardoi Donetsk

Forcat ukrainase bombarduan qytetin e Donetskut në Donbas të martën, tha përfaqësuesi i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut (DPR) në Qendrën e Përbashkët për Kontrollin dhe Koordinimin e armëpushimit, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti.

U qëlluan dhjetë predha të artilerisë së kalibrit 155 mm”, raporton RIA Novosti.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar ende mbi sulmet e supozuara, por videot e postuara në mediat sociale dhe të vendosura nga CNN tregojnë tymin nga qendra Kamaz, në Donetsk, në të njëjtën zonë që sulmet u raportuan nga zyrtari i DPR.

Videot tregojnë gjithashtu shpërthime të vazhdueshme, duke sugjeruar se municionet mund të ishin ruajtur në objekt.

Kryediplomatët e G20-s mblidhen këtë javë, Blinken nuk do ta takojë ministrin rus

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të takohet me ministrin e Jashtëm kinez, Wangi Yi, në margjinat e një takimi të ministrave të jashtëm të G20 në Bali këtë javë, ka njoftuar të martën Departamenti i Shtetit.

Takimi me Wang, që pritet të realizohet të shtunën, do të jetë kontakti i fundit i nivelit të lartë midis zyrtarëve amerikanë dhe kinezë, teksa presidenti Joe Biden po e shqyrton heqjen e tarifave për disa mallra kineze për ta frenuar inflacionin, raportoi “Al Jazeera”.

“Sekretari Blinken fillimisht do të udhëtojë në Bali të Indonezisë për të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të G20-s, ku ai do të përforcojë angazhimin tonë për të punuar me partnerët ndërkombëtarë për të përballuar sfidat globale, duke përfshirë pasigurinë ushqimore dhe energjetike dhe kërcënimin që paraqet lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës”, njoftoi të martën Departamenti i Shtetit.

Ky njoftim ndodhi pasi ministrat e jashtëm nga 20 ekonomitë më të mëdha do të takohen në ishullin indonezian të Balit të premten përpara një samiti të liderëve të G20 në nëntor, që gjithashtu do të mbahet në Indonezi.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov gjithashtu do të marrë pjesë në takimin e ministrave në Bali, por një takim mes tij dhe Blinkenit nuk pritet të ndodhë.

Zelanda e Re njofton ndalimin e importeve të arit rus

Qeveria e Zelandës së Re njoftoi ndalimin e importeve të arit rus si pjesë e sanksioneve të saj kundër Moskës për luftën në Ukrainë.

Në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Zelandës së Re, ministrja Nanaia Mahuta tha se nuk dëshiron që vendi i saj të bëhet një strehë e sigurt për asetet ruse, duke shtuar se ndalimi do të hyjë në fuqi nga 25 korriku.

Vendimi i sotëm sinjalizon më tej dënimin e Zelandës së Re për shkeljen flagrante të bërë nga Rusia ndaj sovranitetit të Ukrainës”, tha Mahuta.

Vendimi gjithashtu mbështet përpjekjet ndërkombëtare për të siguruar që Rusia të mos anashkalojë sanksionet ndërkombëtare duke përdorur rezervat e saj të mëdha të arit për të financuar luftën e saj të paligjshme”, shtoi ajo.

Sipas Ministrit të Tregtisë dhe Eksportit të Zelandës së Re, Damien O’Connor, vendimi synon të parandalojë që Kremlini të mbështetet në zotërimet e arit për të mbështetur rublën, pasi sistemi financiar i Moskës tashmë është i shkëputur nga tregjet ndërkombëtare.

Banka Qendrore e Rusisë ka rezerva të mëdha ari, të vlerësuara në vlerë deri në 140 miliardë dollarë. Njëzet për qind e rezervave të Bankës Qendrore Ruse mbahen në ar. Sipas Aktit të Sanksioneve ndaj Rusisë, ne po e bëjmë të paligjshëm importimin e arit me origjinë ruse nga qytetarët tanë”, tha O’Connor.

Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi ndalimin e importeve të arit rus, por masa vlen vetëm për arin me origjinë ruse, jo edhe për arin që ndodhet jashtë Rusisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat