Derisa Rusia pretendon se ka për objektiv vetëm infrastrukturën ushtarake dhe ushtarët ukrainas, dëshmitë e civilëve ukrainas e dëshmojnë krejt të kundërtën.
I fundit është Mykhailo Orlovskyi, i cili ishte rrëmbyer nga rusët derisa po punonte si taksist në vendlindjen e tij – Ukrainë.
Atë e kishin zënë rusët në mars, ku për dy ditë e kishin mbajtur në një gropë të thellë në male, dhe më pas ishte transferuar me helikopter për në një burg në Rusi.
Atje ishte rrahur e torturuar në format më të rënda të mundshme – madje atij i janë marrë të gjitha gjësendet – duke filluar nga dokumentet e identifikimit e deri te telefoni mobil e unaza e martesës.
Megjithatë ai kishte fatin që të rikthehet në familje pasi ishte pjesë e shkëmbimit të burgosurve rusë me ata ukrainas. Ajo çfarë e gëzon më shumë është fakti që lirimi i tij ndodhi në ditën kur e ëma e tij kishte ditëlindjen.
Thotë se ndihet më fat që akoma është gjallë, madje shpesh viziton vendin ku ishte zënë nga forcat ruse. Por, fatin e tij nuk e patën shumë ukrainas që për fatin e tyre akoma nuk dihet asgjë.
Orlovskyi pretendon se qindra civilë janë marrë nga rusët dhe janë dërguar nëpër burgje të Rusisë. E kamera e vendosur brenda Mercedesit të tij ka kapur momentin kur rusët e ndalin.
Pas lirimit kishte shkuar në vendin ku ishte marrë dhe kishte gjetur ato pak copëza të metalit nga vetura e tij e djegur.