Ndërsa plumbat dhe bombat bien mbi Ukrainë, Rusia po zhvillon një luftë të zgjeruar informacioni në të gjithë Evropën Lindore, duke përdorur llogari të rreme dhe propagandë për të përhapur frikën për refugjatët dhe rritjen e çmimeve të karburantit, ndërsa e quan Perëndimin një aleat të pabesueshëm.
Në Bullgari, një zyrtar i lartë zbuloi këtë muaj se Kremlini pagoi gazetarë, analistë politikë dhe qytetarë të tjerë me ndikim 2,000 euro në muaj për të postuar përmbajtje pro-ruse në internet. Studiuesit kanë zbuluar gjithashtu rrjete të sofistikuara të llogarive të rreme, në një përhapje të përshkallëzuar të dezinformatave dhe propagandës në vend.
Përpjekje të ngjashme po zhvillohen në vende të tjera në rajon, ndërsa Rusia kërkon të zhvendosë fajin për sulmin e saj në Ukrainë, krizën e refugjatëve që pasoi dhe rritjen e çmimeve të ushqimit dhe karburantit.
Sipas Graham Brookie, drejtor i lartë në Laboratorin e Kërkimeve Ligjore Dixhitale të Këshillit Atlantik, për udhëheqësit e Rusisë, fushatat e përhapura të propagandës dhe dezinformimit janë një alternativë me kosto shumë efektive ndaj mjeteve tradicionale të luftës apo diplomacisë.
"Nxitja e këtyre reagimeve është efikase për operacionet e informacionit rus," tha zoti Brookie. "Media e tyre shtetërore bën analizën e audiencës më mirë se shumica e kompanive mediatike në botë. Kjo propagandë kan patur sukses në vendet ku ka më shumë tregje të polarizuara mediatike.”
Bullgaria konsiderohej prej kohësh një aleat i fortë rus, megjithëse vendi me 7 milionë banorë e ka kthyer vëmendjen drejt perëndimit në dekadat e fundit, duke iu bashkuar NATO-s në 2004 dhe Bashkimit Evropian tre vjet më vonë.
Kur Bullgaria, Polonia dhe vendet e tjera të ish-Traktatit të Varshavës u rreshtuan me aleatët e tyre të NATO-s në mbështetje të Ukrainës, Rusia u përgjigj me një valë dezinformimi dhe propagande që kërkonte të shfrytëzonte debatet publike mbi globalizimin dhe zgjerimin e perëndimit.
Për Poloninë, kjo mori formën e propagandës anti-perëndimore dhe teorive konspirative. Njëra, e përhapur nga një grup hakerash aleat me Rusinë në një përpjekje të dukshme për të ndarë Ukrainën dhe Poloninë, sugjeroi se bandat polake po merrnin organet e refugjatëve ukrainas.
Sulmi i Rusisë vjen ndërsa qeveritë e Evropës Lindore, si të tjerat në mbarë botën, përballen me pakënaqësinë dhe trazirat e shkaktuara nga rritja e çmimeve të karburantit dhe ushqimit.
Bullgaria është në një pozitë veçanërisht të cenueshme. Kryeministri properëndimor Kiril Petkov humbi një votë mosbesimi muajin e kaluar. Shqetësimet për ekonominë dhe çmimet e karburantit u rritën vetëm kur Rusia ndërpreu furnizimin e Bullgarisë me gaz natyror pranverën e kaluar. Trazirat e shtynë presidentin Rumen Radev të thotë se vendi i tij po hynte në një "krizë politike, ekonomike dhe sociale".
Marrëdhënia e qeverisë me Moskën është një tjetër ndërlikim. Së fundmi Bullgaria dëboi 70 anëtarët të personelit diplomatik rusë lidhur me shqetësimet për spiunazh, duke bërë që Kremlini të kërcënojë se do t'i japë fund marrëdhënieve diplomatike me Sofjen.
Të njëjtën javë, ambasada e Rusisë në Sofje postoi një apel për grumbullim fondesh duke u kërkuar qytetarëve bullgarë të dhurojnë fondet e tyre private për të mbështetur ushtrinë ruse dhe sulmin e saj në Ukrainë.
Qeveria e Bullgarisë reagoi me zemërim ndaj përpjekjes së Rusisë për të kërkuar donacione për luftën e saj nga një vend i NATO-s.
"Kjo është skandaloze", shkroi në Twitter Bozhidar Bozhanov, i cili shërbeu si ministër i qeverisjes elektronike në kabinetin e zotit Petkov. "Nuk është e drejtë të përdoret platforma për të financuar agresorin"./VOA
Artikullin e plotë mund ta lexoni KETU