LIVE: Luftë dramatike në Ukrainë/ Mësohen prapaskenat e takimit Erdogan-Putin – ja çfarë po synon presidenti turk!

Bota

LIVE: Luftë dramatike në Ukrainë/ Mësohen prapaskenat e takimit Erdogan-Putin – ja çfarë po synon presidenti turk!

Nga: BOTA SOT Më: 19 korrik 2022 Në ora: 06:17 Përditësuar në ora: 22:15 më 19.07.2022
Rexhep Tajip Erdogan dhe Vladimir Putin

Udhëtimi i Putinit në Iran “tregon sa është izoluar Rusia”

Udhëtimi i presidentit rus, Vladimir Putin në Iran tregon sa e izoluar është bërë Rusia, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, ka thënë John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara.

Putin ka zhvilluar bisedime me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke realizuar vizitën e tij të parë jashtë ish-Bashkimit Sovjetik prej pushtimit rus në Ukrainë, të nisur më 24 shkurt.

Në samitin e mbajtur në Teheran ka marrë pjesë edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Qëllimi zyrtar i samitit ka qenë situata në Siri, ndonëse edhe lufta në Ukrainë ka qenë temë diskutimi.

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike të luftës civile në Siri.

Putin, në anën tjetër, ka bërë thirrje për më shumë unitet në politikat rreth Sirisë dhe e ka akuzuar Perëndimin për ndërhyrje.

Perëndimi ka synim “të gdhendë vendin”, ka thënë Putin në disa deklarime televizive ne Teheran.

Kjo gjë sipas tij duhet të kundërshtohet nga Rusia, Turqia dhe Irani, pasi, sipas Putinit, këto shtete kanë rol kyç në krijimin e të ardhmes së Sirisë.

Të tria shtete kanë zhvilluar bisedime për Sirinë edhe të kaluarën.

Rusia dhe Irani kanë mbështetur qeverinë e presidentit Bashar al-Assad në luftën civile të Sirisë, derisa Turqia ka mbajtur lidhje me forcat opozitare në këtë shtet.

Siria është shkatërruar nga një konflikt që ka shpërthyer pasi Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad është përgjjgjur me forcë vdekjeprurëse ndaj protestave pro-demokracsë në mars të vitit 2011.

Sipas Kombeve të Bashkuara, luftimet kanë lënë të vdekur të paktën 350,000 persona, dhe kanë nxitur gjysmën e popullsisë që të ikë nga shtëpitë e tyre, duke përfshirë gati gjashtë milionë refugjatë jashtë shtetit./REL

Rusia bën përparime të mëtejshme në Donbas

Forcat ruse kanë arritur përfitime të mëtejshme në terren në luftimet rreth Donbasit në Ukrainën lindore, sipas burimeve ukrainase.

“Armiku ka kryer një sulm në zonën e Pokrovskoe, duke arritur sukses të pjesshëm, dhe po forcohet në skajin jugor të lokalitetit”, tha shtabi i përgjithshëm ukrainas në raportin e tij të situatës.

Pokrovskoe është një vendbanim 10 kilometra në lindje të qendrës së rëndësishme të transportit të Bakhmut në rajonin e Donetskut.

Linja Siversk-Soledar-Bakhmut konsiderohet linja e radhës e mbrojtjes së Ukrainës përballë qyteteve kryesore të Slovyansk dhe Kramatorsk.

Ukrainë: Ofrohen 100 dollarë në këmbim të informacionit për bashkëpunëtorët e Rusisë

Guvernatori i rajonit Mikollaiv në Ukrainë, Vitaliy Kim, ka premtuar se do të ndajë 100 dollarë për secilin që ndihmon në identifikimin e njerëzve që bashkëpunojnë me Rusinë.

Kim ka ofruar kompensim në këmbim të informacionit për “njerëzit që u tregojnë pushtuesve se ku janë të poziconuara trupat ukrainase”, apo që u ndihmojnë në krijimin e koordinatave për shënjestra potenciale.

“Pas një verifikimi të kujdesshëm dhe konfirmimit të informacionit, ju do të përfitoni 100 dollarë”, ka thënë ai përmes një deklarate të publikuar në llogarinë e tij në Telegram.

Kim po ashtu ka përmendur planet për “mbyllje” të rajonit Mikollaiv për disa ditë, në mënyrë që të neutralizohen “tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e Rusisë”.

“Jemi duke konsideruar masat e izolimit. Kemi bazë të madhe të të dhënave. Ne do të mbyllim qytetin për disa ditë”, ka thënë Kim.

Ky njoftim vjen pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar zyrtarët në krye të inteligjencës dhe prokurorisë, duke i akuzuar për përpjekje të pamjaftueshme për luftim të spiunëve dhe bashkëpuntorëve të Moskës.

Zelensky ka thënë se ekzistojnë më shumë se 650 raste të përfshirjes së zyrtarëve të dyshuar në tradhti, apo që kanë ofruar ndihmë për Rusinë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL

Parlamenti i Ukrainës shkarkon shefin e sigurimit dhe prokuroren e përgjithshme

Ligjvënësit ukrainas shkarkoi shefin e sigurisë së brendshme dhe prokurorin e përgjithshëm të martën, dy ditë pasi presidenti Volodymyr Zelenskiy i pezulloi ata për dështimin për të çrrënjosur spiunët rusë, përcjell Bota sot.

Ivan Bakanov u shkarkua nga pozicioni i tij në krye të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) me një shumicë të rehatshme, thanë disa ligjvënës në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Kreu i fraksionit politik të Zelenskiy tha se Iryna Venediktova gjithashtu ishte votuar si prokurore e përgjithshme.

Ukraina do të sulmojë forcat ruse për të rimarrë Krimenë

Ukraina po përgatitet të sulmojë gadishullin e Krimesë në Detin e Zi, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014 dhe është shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi, sipas një zyrtari qeveritar.

“Ne kemi aftësi kundër anijeve dhe herët a vonë do të synojmë flotën”, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Volodymyr Havrylov gjatë vizitës në Londër.

“Rusia do të duhet të largohet nga Krimea nëse dëshiron të ekzistojë si shtet”, tha ai, raporton thetimes.

Havrylov tha se çlirimi i ishullit të gjarpërinjve, i cili u pushtua nga Moska në ditët e para të pushtimit, ishte hapi i parë.

“Ne jemi të gatshëm t’i shënjestrojmë ata përgjatë gjithë Detit të Zi nëse kemi mundësi”, tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka reaguar duke thënë se deklaratat e Havrilovit konfirmojnë domosdoshmërinë e një “operacioni special ushtarak”.

Ndryshe, Rusia ka vazhduar edhe sot me sulme drejt Ukrainës duke shkaktuar dëme materiale dhe viktima.

Ukraina nënshkruan pakt me mbikëqyrësin e energjisë në linjë me SHBA

Ukraina i është bashkuar Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë të lidhur me SHBA-në si një vend asociimi, njoftoi mbikëqyrësi, duke e lidhur Kievin më afër vendeve kryesisht perëndimore që kundërshtojnë pushtimin e Rusisë, përcjell Bota sot.

IEA me bazë në Paris përbëhet nga 31 vende anëtare të mëdha konsumuese të energjisë, por jo Rusia dhe ka një nivel të dytë prej 11 shtetesh të ashtuquajtura shoqatë, si Kina, India dhe Indonezia.

“Në këto kohë veçanërisht sfiduese pas pushtimit të paprovokuar të Rusisë, ne po forcojmë më tej marrëdhëniet për të mbështetur nevojat e rëndësishme të rindërtimit të Ukrainës dhe për ta ndihmuar atë të ndërtojë një të ardhme të re energjetike”, tha drejtori ekzekutiv i IEA-s Fatih Birol në një ceremoni nënshkrimi në Varshavë.

Synimet e Erdoganit në takimin e nivelit të lartë në Teheran

Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Iran të martën në një vizitë që synon të thellojë lidhjet me vendet e rajonit si pjesë e sfidës së Moskës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës gjatë fushatës së saj të ashpër në Ukrainë. Ky është vetëm udhëtimi i tij i dytë jashtë vendit që kur tanket ruse u futën në vendin fqinj në shkurt. Zoti Putin do të zhvillojë bisedime me presidentin e Iranit Ebrahim Raisi dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për disa nga çështjet më të ngutshme me të cilat përballet rajoni. Kjo përfshin konfliktin në Siri dhe një propozim të mbështetur nga OKB për të rifilluar eksportet e grurit ukrainas për të lehtësuar krizën globale të ushqimit. 

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dëshiron të kapërcejë kundërshtimet iraniane dhe ruse ndaj operacionit ushtarak të Turqisë në Siri. Takimi vjen gjithashtu ndërsa zoti Erdogan kërkon të finalizojë një marrëveshje për eksportin e grurit ukrainas të bllokuar nga Rusia. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli. 

Një operacion ushtarak turk kundër militantëve kurdë në Siri pritet të jetë në krye të axhendës së Presidentit Recep Tayyip Erdogan në takimet me homologët iranianë dhe rusë në Teheran të martën. 

Ushtria turke po dislokon trupa për të goditur luftëtarët kurdë të grupit YPG në Siri, për të cilët Ankaraja pretendon se janë të lidhur me kryengritësit kurdë që luftojnë Turqinë. 

“Irani ka qenë mjaft i zëshëm në kundërshtimin e fushatës ushtarake turke në Siri; ndoshta Erdogani do të kërkojë ta zgjidh atje çështjen”, thotë Atilla Yesilada me organizatën Global Source Partners. 

Me forcat turke që tashmë kontrollojnë një pjesë të madhe të Sirisë përgjatë kufirit të Turqisë, Teherani është i kujdesshëm ndaj ndikimit në rritje të Ankarasë në një vend që e konsideron një aleat të ngushtë. 

Përpjekjet e Erdoganit për të kapërcyer kundërshtimin iranian ndërlikohen nga përpjekjet e tij për afrimin me Izraelin dhe Arabinë Saudite, të dy rivalë të Iranit. 

Irani dhe Turqia kanë një histori të gjatë rivaliteti mes tyre, por analistët e shohin faktin që presidenti Erdogan po viziton Teheranin si një shenjë se mund të arrihet një marrëveshje. 

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Putin mbërrin në Teheran për bisedime me Turqinë dhe Iranin për Ukrainën

Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Teheran në vizitën e tij të dytë jashtë Rusisë që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.

Atje, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, me homologët e tij nga Turqia dhe Irani ai do të zhvillojë bisedime për heqjen e bllokadës së grurit të Ukrainës, të ardhmen e Sirisë dhe shanset për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit.

Bisedimet trepalëshe të presidentit rus me Ebrahim Raisi të Iranit dhe Recep Tayyip Erdogan të Turqisë do të paraqiten nga Kremlini si një shenjë e ndikimit të vazhdueshëm të Putinit në rajon, pas vizitës së fundit në Lindjen e Mesme nga presidenti amerikan, Joe Biden, shkruan The Guardian.

Veç kësaj, të tre liderët pritet të takohen edhe me njëri-tjetrin në mënyrë dypalëshe.

Erdogan do të kërkojë një sinjal nga Putin se ai është i gatshëm të heqë bllokadën detare ruse që parandalon daljen e grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi.

Turqia, një anëtare e NATO-s, ka një përgjegjësi të veçantë sipas Konventës së Montreux të vitit 1936 për trafikun detar që hyn në Detin e Zi.

Ajo po propozon që Rusia të lejojë anijet ukrainase të grurit të largohen nga Odesa në rrugët e përcaktuara për sa kohë të bëhen kontrolle që anijet nuk mbajnë armë.

“Çështja e dërgesës së grurit ukrainas do të diskutohet me Erdoganin… Ne jemi gati të vazhdojmë punën në këtë rrugë”, ka thënë të hënën Yuri Ushakov, këshilltar i Putinit për politikën e jashtme.

Agresioni rus mbi Ukrainë – furnizuesi kryesor në botë i grurit – ka bërë që çmimet e grurit të rriten në të gjithë botën.

E Hulusi Akar, ministri turk i mbrojtjes, ka thënë se Rusia, Ukraina, Turqia dhe OKB-ja do të nënshkruajnë një marrëveshje këtë javë për korridorin e eksportit të grurit pas bisedimeve në Stamboll.

Një qendër koordinimi do të hapet në Stamboll që do të lejojë rrugëtimin e këtyre eksporteve nëpërmjet Detit të Zi.

Bisedimet mund të prekin gjithashtu përvojën e gjatë të Iranit për anashkalimin e sanksioneve të SHBA-së dhe nëse ka hapësirë për bashkëpunim midis Moskës dhe Teheranit “për të mposhtur” masat e SHBA-së.

Vizioni afatgjatë është që të dy vendet të reduktojnë varësinë nga dollari për tregti, por në afat të shkurtër mund të ketë diskutime mbi blerjen e dronëve iranianë nga Rusia për përdorim në Ukrainë.

Për Sirinë, tre garantuesve të procesit të paqes pritet t’i bashkohet edhe ministri i jashtëm sirian, Faisal al-Miqdad.

Turqia mbështet grupet e opozitës dhe po kërcënon një ofensivë të re në Sirinë veriore, një veprim i kundërshtuar nga Teherani dhe Moska.

​Polonia sërish kërkon sanksione më të ashpra ndaj Rusisë

Polonia i ka bërë thirrje sërish BE-së të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Rusisë mbi gazin, naftën, bankat, shërbimet, IT dhe transportin tokësor dhe detar.

Ambasadori polak në BE, Andrzej Sados i përcolli kërkesat në një takim të të dërguarve shtetërorë të BE-së, të thirrur për të diskutuar propozimet e fundit të sanksioneve të Komisionit Evropian, të miratuara të premten e kaluar.

Ndër të tjera, paketa e re e sanksioneve ndalon importet e arit rus dhe kufizon eksportet e teknologjisë së lartë në Rusi.

Ai gjithashtu bëri thirrje për një embargo ndaj LNG-së ruse dhe produkteve që mund të merren lehtësisht diku tjetër, të tilla si gjysmëproduktet e çelikut, përbërjet bituminoze dhe mobiliet.

Sados sugjeroi gjithashtu sanksione ndaj kompanive ushtarake ruse dhe agjencive propagandistike dhe kufizime më të rrepta në sektorin energjetik rus, veçanërisht tubacionet e naftës dhe gazit.

Polonia gjithashtu dëshiron sanksione më të ashpra financiare kundër Moskës, në veçanti përjashtimin e bankave të tjera ruse nga sistemi SWIFT.

Putin në Teheran për bisedime me liderët e Iranit dhe Turqisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, arriti në Teheran më 19 korrik dhe pritet të mbajë bisedime me homologët e tij iranian dhe turk, Ebrahim Raisi dhe Recep Tayyip Erdogan.

Bisedimet pritet të përqendrohen në propozimin e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, që ka për qëllim rikthimin e eksporteve të drithërave ukrainase për të lehtësuar krizën globale ushqimore.

Në agjendë të bisedimeve pritet të jetë edhe konflikti në Siri.

Kjo vizitë është pjesë e të ashtuquajturit format të bisedimeve të Astanës, që lidhen me Sirinë.

Putin po ashtu është paraparë të takohet me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Kjo është vizita e parë e liderit rus jashtë ish-shteteve të Bashkimit Sovjetik, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Yury Ushakov, këshilltari për politikë të jashtme i Putinit, u tha gazetarëve në Moskë se bisedimet e Putinit me Erdoganin do të përfshijnë edhe planin për të zhbllokuar dërgesat e drithërave ukrainase.

“Çështja e dërgesave të drithërave ukrainase do të diskutohet me Erdoganin... Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë punën në këtë drejtim”, citohet të ketë thënë Ushakov.

Rusia ka marrë kontrollin e disa prej porteve në Detin e Zi dhe ka bombarduar disa të tjera, përfshirë edhe portin e Odesës, ndërsa Ukraina ka vendosur mina në afërsi të disa porteve, me qëllim që të parandalojë sulmet tokësore ruse.

Negociatat midis Rusisë, Ukrainës, Turqisë dhe OKB-së raportet se janë afër arritjes së një marrëveshjeje që do të mundësonte nisjen e eksporteve të drithërave ukrainase përmes porteve.

Negociatorët rusë dhe ukrainas pritet të takohen me diplomatët turq dhe të OKB-së në Stamboll më 20 korrik për të diskutuar për marrëveshjen e mundshme.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka lënë të kuptohet më 15 korrik se dokumenti final do të jetë gati së shpejti dhe do të mundësojë rikthimin e eksporteve të drithërave ukrainase dhe të drithërave dhe plehrave artificiale që eksporton Rusia.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka konfirmuar se “marrëveshja në parim është arritur” midis Ukrainës dhe Rusisë, që sipas tij, do të krijojë një korridor të sigurt detar për të mundësuar transportin e drithërave.

Sipas Ushakov, një qendër koordinuese do të hapet në Stamboll, që do të lejojë rrugëtimin e mallrave përmes Detit të Zi.

Diplomatët kanë thënë se në planin e diskutuar përfshihet edhe lejimi që anijet ukrainase të përcjellin dërgesat me drithë jashtë porteve. Negociatorët shpresojnë se kjo zgjidhje do të mundësojë që të zbrazen depotë me drithëra në Ukrainë, para sezonit të ri të korrjeve.

Bllokada e eksporteve të drithërave ka bërë që çmimet globale të ushqimit të rriten dhe janë rritur shqetësimet për përhapjen e urisë në Afrikë dhe Lindje të mesme, zona që varen nga dërgesat ukrainase të drithërave./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat