Zyrtarët rusë sigurojnë se Nord Stream 1 do të kthehet në funksion të enjten

Bota

Zyrtarët rusë sigurojnë se Nord Stream 1 do të kthehet në funksion të enjten

Më: 19 korrik 2022 Në ora: 18:40
Foto ilustrim

Flukset e gazit rus përmes gazsjellësit Nord Stream 1 do të rifillojnë në kohë të enjten pasi të përfundojë mirëmbajtja e planifikuar, i thanë Reuters dy burime të njohura me planet e eksportit.

Tubacioni i gazit natyror përmes të cilit kryhet më shumë se 30% e eksporteve të gazit natyror rus në Bashkimin Evropian, kishte ndërprerë furnizimin me gaz natyror më 11 korrik për një periudhë dhjetëditore për mirëmbajtjen e tij vjetore.

Më herët sot, Wall Street Journal, duke cituar Komisionerin Evropian për Buxhetin Johannes Hahn, raportoi se Komisioni Evropian nuk pret që tubacioni të rihapet pas punës së mirëmbajtjes.

Burimet, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, i thanë Reuters se tubacioni pritej të rifillonte funksionimin me kohë, por me një kapacitet të reduktuar prej rreth 160 milionë metra kub (mcm) në ditë.

Gjigandi energjetik i kontrolluar nga Kremlini, Gazprom, uli eksportet e gazit me 40 për qind muajin e kaluar, duke përmendur vonesat në kthimin e një turbine Siemens Energy që ishte dërguar në Kanada për mirëmbajtje.

“Ata (Gazprom) do të kthehen në nivelet e para 11 korrikut”, tha një nga burimet për vëllimet e gazit që priten përmes Nord Stream 1 nga e enjtja.

Gazeta Kommersant raportoi dje, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje, se Kanadaja e transportoi turbinën në Gjermani më 17 korrik pasi përfundoi puna e riparimit.

Një nga burimet tha se turbina nuk mund të riinstalohet deri më 21 korrik. Gazprom dhe Nord Stream 1 nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat