LIVE: Raketat “Javelin” po shkatërrojnë tanket ruse/ Rrezik nga lufta bërthamore, aleati i Putinit bën thirrje për t’i dhanë fund luftës

Bota

LIVE: Raketat “Javelin” po shkatërrojnë tanket ruse/ Rrezik nga lufta bërthamore, aleati i Putinit bën thirrje për t’i dhanë fund luftës

Më: 21 korrik 2022 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 09:59 më 21.07.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Gjermania planifikon të transportojë me trena drithërat ukrainase

Hekurudha kombëtare gjermane, Deutsche Bahn, planifikon që të nisë shërbimet e trenave të mallrave për të transportuar eksportet e drithërave ukrainase në portet gjermane, që më pas dërgesat të mund të ngarkohen nëpër anije.

Drithërat do të sillen me trena në portet gjermane, përfshirë portet në Rostok, Hamburg dhe Brake, tha kompania e hekurudhave.

Detajet se sa do të jetë kapaciteti i eksporteve të drithërave nuk është bërë publik, por planifikohet që disa trena brenda javës të transportojnë drithin. Këta trena kryesisht do të marrin drithin ukrainas në Rumani.

Deutsche Bahn ka operuar trena nga Gjermania, të cilat kanë qenë të mbushura me ndihma për Ukrainën dhe planifikon që trenat e njëjtë tani të mbushen me drithëra në rrugën e tyre të kthimit.

Eksportet e drithërave të Ukrainës ishin 2.5 milionë tonë në qershor, krahasuar me 6 milionë tonë eksporte në muaj që shteti kishte para se Rusia të niste pushtimin më 24 shkurt.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se mungesa e drithërave ukrainase, që kryesisht eksportohen në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, po kërcënojnë që të ketë uri dhe migrim në masë “në një shkallë të paprecedentë”.

Shumica e eksporteve të Ukrainës aktualisht po transportohet përmes kamionëve dhe anijeve përmes lumenjve për në shtetet fqinje, përfshirë Rumaninë dhe Poloninë. Më pas ato dërgohen në portet detare.

Ukraina ka nevojë urgjente që të eksportojë drithërat para se të nisin korrjet e reja gjatë verës dhe fermerët po përballen me mungesë të hapësirës për t’i ruajtur produktet e tyre.

Për shkak të bllokadës së eksporteve po zhvillohen bisedime që kanë për synim të krijojnë një korridor të sigurt në Detin e Zi, përmes së cilit do të mund të kalonin dërgesat e Ukrainës.

Ukrainasit thonë se raketat amerikane po e bëjnë dallimin

Sistemet raketore amerikane HIMARS kanë kontribuuar në dobësimin e fuqisë së ushtrisë ruse, duke hedhur në erë depo municionesh, qendra komanduese dhe objektiva tjerë të rëndësishëm.

Ushtarët ukrainas në lindje të Ukrainës thonë se situata ka ndryshuar pas përdorimit të armëve amerikane në fushëbetejë. 

A është Vladimir Putin i sëmurë? Flet shefi i CIA-s dhe bën deklaratën e fortë

Nuk ka informacione të inteligjencës që thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, është në gjendje të keqe shëndetësore, tha drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns.

Ka pasur spekulime të pankofirmuara mediatike se Putin, i cili këtë vit mbush 70 vjet, nuk është mirë me shëndet dhe ndoshta vuan nga kanceri.

Por, Burns tha se nuk ka asnjë të dhënë që sugjeron për një gjë të tillë, dhe me të qeshur tha se Putin duket “shumë mirë me shëndet”.

“Ka plot thashetheme lidhur me shëndetin e presidentit Putin dhe deri më tani ne mund të themi se ai është plotësisht shumë i shëndetshëm”, tha Burns gjatë Forumit të Sigurisë Aspen në Kolorado.

Pasi publiku reagoi me të qeshura ndaj kësaj deklarate, ai shtoi se ky nuk ishte një gjykim zyrtar i inteligjencës.

Burns ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Moskë dhe për dy dekada ka vëzhguar dhe është marrë me liderin rus.

Putin është “një besimtar i madh në kontroll, frikësim dhe hakmarrje” dhe këto veti janë forcuar gjatë dekadës së fundit, pasi rrethi i tij i këshilltarëve është tkurrur, tha shefi i CIA-s.

“Ai është i bindur se fati i tij si udhëheqës i Rusisë është për të rivendosur Rusinë si një fuqi të madhe. Ai beson se çelësi për ta bërë këtë është të rikrijojë një sferë ndikimi në fqinjësinë e Rusisë dhe ai nuk mund ta bëjë këtë pa e kontrolluar Ukrainën”, shtoi Burns.

Shefi i CIA-s kishte vizituar Moskën nëntorin e kaluar dhe kishte paralajmëruar Rusinë për pasoja serioze nëse e pushton Ukrainën, pasi inteligjenca amerikane kishte mbledhur informacione për planet e Moskës. Por, Burns tha se nga ai udhëtim ishte kthyer më i shqetësuar sesa ishte para se të nisej për në Rusi.

Në pushtimin që ka nisur pesë muaj më parë, Rusia ka arritur të pushtojë pjesë në lindje dhe jug të Ukrainës, por ka dështuar që ta përmbushë qëllimin fillestar që ishte marrja nën kontroll e Kievit dhe që atëherë pretendon se objektivi kryesor që në fillim ka qenë “çlirimi” i rajonit lindor të Donbasit.

SHBA-ja ka akuzuar Rusinë se po përgatitet që të aneksojë më shumë pjesë të Ukrainës.

Gjenerali i lartë amerikan: Ukrainasit po i detyrojnë rusët të paguajnë për çdo centimetër territor

Rajoni i Donbasit të Ukrainës nuk është “humbur ende”, tha gjenerali Mark Milley, gjatë një konference për shtyp në Pentagon pas një takimi virtual të Grupit të Kontaktit të Ukrainës.

“Përfundimi është se kostoja është shumë e lartë, fitimet janë shumë të ulëta, ka një luftë rrënuese që po ndodh në rajonin e Luhansk, Donbas”, tha Milley. “Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj rreth ‘a është Donbasi i humbur?’ Jo, nuk ka humbur ende. Ukrainasit po i detyrojnë rusët të paguajnë për çdo centimetër territor që ata fitojnë”, tha ai.

Ndryshimi i territorit midis forcave ukrainase dhe forcave ruse në rajonin e Donbasit “matet fjalë për fjalë në qindra metra. Disa ditë ju mund të merrni një ose dy kilometra nga rusët, por jo shumë më tepër se kaq”, shtoi Milley.

Pas fushatës 90-ditore që Rusia ka bërë për t’u fokusuar në pushtimin e rajonit të Donbasit, forcat ruse kanë fituar “shumë, shumë pak” terren, u tha ai gazetarëve. Megjithatë, ai vuri në dukje se lufta është shumë intensive.

“Është shumë intensive, shumë dhunë – dhjetëra mijëra raunde artilerie çdo 24 orë, shumë viktima nga të dyja anët, shumë shkatërrime fshatrash, e kështu me radhë”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas: Fjalimi i Zelenska-s në Kongresin Amerikan “një nder” për vendin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se fjalimi i gruas së tij, Olena Zelenska të mërkurën në Kongresin amerikan është një nder për Ukrainën.

“Ishte hera e parë në histori që Zonja e Parë bëri një fjalim të tillë në Kongres dhe sigurisht që është një nder për Ukrainën, për të gjithë popullin tonë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës për ukrainasit.

“Fjalimi ishte sa më praktik dhe i sinqertë – në fakt në emër të të gjitha familjeve tona. Olena foli për viktimat e terrorit rus dhe për mundësinë reale që miqtë tanë amerikanë të na ndihmojnë të ndalojmë këtë terror. Kjo mund të jetë fitorja jonë e përbashkët – e kombeve ukrainase dhe amerikane.”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky u shpreh se shpreson që fjalimi të ketë rezultate, duke iu referuar kërkesave që ai dhe zonja e parë i bënë Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për t’i siguruar Ukrainës sistemet e mbrojtjes ajrore.

“Kërkohet një shpejtësi dhe shkallë krejtësisht e ndryshme mbrojtjeje. Por gjithçka varet, për fat të keq, jo nga ne, por nga vendimet politike që mund të merren në kryeqytetet kryesore”, shpjegoi ai, shkruan CNN. Dhe kjo është arsyeja pse kjo temë e mbrojtjes ajrore u bë kyçe sot në fjalimin e zonjës së parë të Ukrainës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shpresoj se përgjigjet për kërkesat tona do të jepen së shpejti. Terrori rus duhet të humbasë”, tha ai.

Zelensky deklaroi se për të zvogëluar barrën mbi familjet evropiane, Ukraina duhet të jetë në gjendje të mposht Rusinë.

“Rusia po teston në Ukrainë gjithçka që mund të përdoret kundër vendeve të tjera evropiane. Filloi me luftërat e gazit dhe përfundoi me një pushtim të plotë, terror me raketa dhe qytete të djegura të Ukrainës. Dhe në mënyrë që kjo të mos ndodhë me askënd tjetër, ne duhet të sigurojmë një fitore të prekshme të përbashkët ndaj Rusisë në Ukrainë.”, shtoi ai.

“Rusët më vodhën kujtimet e fëmijërisë”/ Nusja ukrainase pozon në gërmadhat e shtëpisë që iu shkatërrua nga bombat

E shqetësuar por sfiduese, një nuse është fotografuar ndërsa qëndron e palëvizur, e veshur me fustanin e saj të nusërisë, simbol i së ardhmes së saj, mes gërmadhave të asaj që ka mbetur nga shtëpia ku ajo u rrit.

Shtëpia e fëmijërisë së Daria Steniukova u godit nga një raketë ruse gjatë një sulmi ajror në qytetin qendror të Vinnytsia, për shkak të të cilit u vranë të paktën 24 njerëz javën e kaluar. Mësuesja 31-vjeçare e jogës po përgatitej për martesën e saj me bashkëshortin e tanishëm Vitaly Zavalniuk, një shitës 30-vjeçar pijesh, kur ndodhi sulmi.

Çifti u martua të premten e kaluar, por i shtynë festimet për të nesërmen sepse “kishte zi në qytetin tonë”, tha nusja. Ajo tha për Daily Mail se ka pozuar për fotografin e dasmave Oleksandr Demianiv “sepse e gjithë bota duhet të dijë se çfarë po bën Rusia”.

Në një postim në Instagram, Steniukova tha se rusët i kanë grabitur kujtimet e fëmijërisë.

“Ne donim të tregonim se mund të jetosh gjatë luftës,” shtoi ajo.

Lavrov: Qëllimet e Rusisë në Ukrainë nuk janë më të kufizuara në Donbas

Objektivat e “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë nuk janë më të kufizuara në rajonin e Donbasit, por përfshijnë një numër rajonesh të tjera, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, sipas Reuters.

Lavrov shtoi se qëllimet e Rusisë do të zgjeroheshin edhe më tej nëse Perëndimi do të vazhdonte të furnizonte Ukrainën me armë me rreze të gjatë veprimi. Kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, Presidenti Vladimir Putin mohoi çdo qëllim për të pushtuar territoret ukrainase, duke thënë se qëllimi i tij ishte të çmilitarizonte dhe “denazifikonte” vendin – një deklaratë që është hedhur poshtë nga Kievi.

Pasi u përpoq të merrte në kontroll kryeqytetin Kiev, ministria ruse e mbrojtjes tha më 25 mars se faza e parë e operacionit special kishte përfunduar dhe tani do të fokusohej në “arritjen e qëllimit kryesor, çlirimin e Donbasit”.

Pothuajse katër muaj më vonë, Rusia ka marrë në kontroll Luhanskun, një nga dy rajonet që përbëjnë Donbasin. Megjithatë, forcat e saj tashmë kanë marrë në kontroll rajonet jugore të Zaporizhzhia dhe Kherson, dhe vazhdojnë sulmet me raketa në të gjithë Ukrainën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat