LIVE: Rriten shpresat mbi eksportimin e grurit, Zelensky në Odesa; Rusia po dështon në shumë fusha

Bota

LIVE: Rriten shpresat mbi eksportimin e grurit, Zelensky në Odesa; Rusia po dështon në shumë fusha

Nga: BOTA SOT Më: 29 korrik 2022 Në ora: 06:09 Përditësuar në ora: 18:40 më 29.07.2022
Presidenti Zelenskyy viziton portin e Odesës

Ukraina kërkon hetim për “ushtarin e torturuar” nga forcat ruse

Zyrtarët ukrainas kanë bërë thirrje për hetim pas publikimit të disa videove në mediat sociale, të cilat duket se tregojnë ushtarët rusë që kastrojnë dhe më pas vrasin një të burgosur lufte nga Ukraina.

Avokati i Popullit, Dmytro Lubinets tha më 29 korrik se kishte kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të nisë një hetim mbi videot e tmerrshme, të cilat u shfaqën në disa kanale në gjuhën ruse dhe ukrainase të rrjetit të mediave sociale Telegram, një ditë më parë.

Detajet e videos, si ku dhe kur është filmuar, ende nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga burime zyrtare. Radio Evropa e Lirë, e cila ka vendosur të mos e publikojë videon për shkak të përmbajtjes së saj të rëndë, gjithashtu nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë vërtetësinë dhe detajet e videos.

“Kam kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës për të verifikuar faktin dhe të dhënat e një krimi lufte, të shkeljes së Konventës së Gjenevës”, tha Lubinets.

“Gjithashtu, ne po përgatisim një komunikatë për Komitetin e OKB-së kundër Torturës për të organizuar një vizitë urgjente në Federatën Ruse dhe territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës, si dhe në Komitetin Evropian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor (CPT)”, shtoi ai.

Duke iu referuar videove, këshilltari presidencial ukrainas, Mykhaylo Podolyak u zotua se Ukraina do të identifikojë "të gjithë" të përfshirët në incident, duke thënë se "mjegulla e luftës nuk do t'i ndihmojë kasapët rusë të shmangin dënimin".

Zyrtarët rusë ende nuk e kanë komentuar zyrtarisht videon.

Prej kur Moska filloi pushtimin e saj të paprovokuar në fund të shkurtit, Ukraina thotë se ka identifikuar mijëra krime lufte të kryera nga trupat ruse.

Hetuesit nga disa vende, si dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare, gjithashtu kanë mbledhur dhe shqyrtuar prova për të përcaktuar nëse janë kryer krime lufte.

Rusia thotë se nuk ka shënjestruar qëllimisht civilët në operacionet e saj ushtarake, pavarësisht se ka video dhe prova konkrete që tregojnë shkatërrimin e ndërtesave të banimit, spitaleve, objekteve kulturore dhe objekteve të tjera jo-ushtarake.

Ajo gjithashtu ka akuzuar ushtarët ukrainas për kryerjen e krimeve të luftës.

Eksperti amerikan analizon shtatë faktorë të luftës, parashikon humbjen e Putinit

Për shumë vëzhgues, lufta midis Rusisë dhe Ukrainës duket si një betejë midis Davidit dhe Goliathit. Historiani i njohur amerikan Timothy Snyder tani ka shqyrtuar konfliktin bazuar në shtatë faktorë - dhe ka arritur në një përfundim që Vladimir Putin kurrsesi nuk do t´i pëlqente.

Për Timothy Snyder, autor dhe profesor i historisë në Universitetin e famshëm Yale, Rusia është gati të humbasë luftën në Ukrainë. Pushtime e Putinit në Ukrainë nuk janë vetëm një krim, por edhe një gabim. Pranimi i këtij gabimi është i vështirë, veçanërisht për Putinin, fuqia e të cilit qëndron në imazhin e tij si një njeri i fortë: "Në këtë luftë, Rusia ka arritur fazën në të cilën po lufton, sepse do të ishte e turpshme të mos luftosh", shkruan historiani amerikan.

Ai beson se ka të ngjarë që ukrainasit tani do të jenë në gjendje të marrin vrullin e nevojshëm në fushën e betejës, për t'u përballur me ushtrinë e Putinit. Ndërsa luftërat janë të paparashikueshme, Snyder beson se Ukraina ka shumë të ngjarë të fitojë. Si dëshmi për tezën e tij, eksperti amerikan analizon shtatë faktorë të luftës që janë vendimtarë për rrjedhën e konflikteve të armatosura.

1. Lufta e Putinit dhe faktori kohë

Lajmin e plotë lexojeni KËTU

Maqedonia e Veriut i dhuron tanke të vjetra Ukrainës

Maqedonia e Veriut i ka dhuruar tanke Ukrainës, të cilat, sipas Armatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë tanke të gjeneratës së tretë, dhe duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë, ato konsiderohen jo konkurruese dhe jo kompatibile.

Autoritetet nuk kanë saktësuar se sa tanke i janë dhuruar Ukrainës, por bëjnë të ditur se në periudhën në vijim duhet të shpenzohen mjete edhe për asgjësimin e tankeve tjera që i kan në dispozicion, pasi ato konsiderohen të padobishme për ushtrinë.

“Republika e Maqedonisë së Veriut, si një anëtare e besueshme e NATO-s, në përputhje me aleatët dhe partnerët e saj, duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe të drejtën e vetëmbrojtjes së Ukrainës, duke dënuar ashpër agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, vendosi dërgimin e ndihmës për Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës, me sasi të burimeve materiale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Maqedonia e Veriut i ka dhuruar më parë Ukrainës pajisje mjekësore dhe ndihma tjera për popullatën civile.

Në deklaratën e ministrisë, thuhet se Maqedonia e Veriut në periudhën e ardhshme do të transformojë, përkatësisht do të shpërbëjë batalionin e tankeve dhe do të fillojë ngritjen e kapaciteteve moderne kundër takneve.

Gjithashtu thuhet se është në vazhdim e sipër projekti i prokurimit të mjeteve të blinduara të lehta, sipas marrëveshjes së vitit 2019 ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Maqedonia e Veriut që në ditët e parë të agresionit rus i ka dhënë mbështetje qeverisë në Kiev, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa ka mbështetur të gjitha vendimet për sanksione ndaj Rusisë.

Presidenti Zelenskyy viziton portin e Odesës, inspekton anijet e grurit

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, ambasadorët e vendeve të grupit të G7-ës në Ukrainë, përfaqësues të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara vizituan të premten një nga portet kryesore të Ukrainës në Detin e Zi dhe inspektuan anijet që do të transportojnë grurin. Vizita e tij vjen një javë pas arritjes së marrëveshjes me Rusinë, Turqinë dhe Kombet e Bashkuara për krijimin e korridoreve të sigurta për eksportin e grurit të bllokuar në vend që nga fillimi i sulmit rus kundër Ukrainës, pesë muaj më parë.

Vizita e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në njërin nga portet e rajonit të Odesës vjen ndërsa punëtorët filluan punën në terminalet e eksportimit të grurit të domosdoshëm për miliona njerëz në mbarë botën që vuajnë nga uria.

“Kjo është anija e parë që po ngarkohet që nga fillimi i luftës. Kjo anije turke nënkupton se porti filloi punën”, tha zoti Zelenskyy në një nga portet kryesore të Ukrainës në Detin e Zi.

Vizita e zotit Zelenskyy me ambasadorët e vendeve të grupit të shatëshes në Ukrainë dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë në Odesa është një përpjekje e Kievit për t’i treguar botës se janë pothuajse gati të rifillojnë të eksportojnë miliona tonë drithë në botë, pas marrëveshjes me Rusinë, Turqinë dhe Kombet e Bashkuara javën që shkoi për krijimin e korridoreve që mundësojnë kalimin e sigurt të anijeve.

Megjithatë ekzistojnë shqetësime për sigurinë e ekipeve të transportit detar, gjë që ka çuar në një fillim të ngadaltë dhe të kujdesshëm të zbatimit të marrëveshjes.

"Shpresojmë që të gjitha palët e përfshira të mbajnë premtimet dhe garancitë e tyre. Shpresojmë që si anijet ashtu edhe njerëzit të jenë të sigurt. Njerëzit e përfshirë po rrezikojnë jetët e tyre, sepse rezultati i procesit është i panjohur dhe e dimë se me kë kemi të bëjmë, Rusinë”, tha zoti Zelenskyy.

Një javë pas nënshkrimit të marrëveshjes ende asnjë sasi gruri nuk është nisur nga portet. Por palët po përballen me trysninë e kohës, pasi marrëveshja është e vlefshme vetëm për 120 ditë.

Ambasadorja e Britanisë në Ukrainë, Melkinda Simmons, falenderoi Kievin për përpjekjet e tij që të zbatojë mbarrëveshjen, ndërsa i bëri thirrje Rusisë që të veprojë në të njëjtën mënyrë.

Së bashku me të gjithë të tjerët, presim që Rusia të luajë rolin e saj për t’u siguruar se marrëveshja do të zbatohet”, tha ajo në një konferencë shtypi.

Larisa Galadza, ambasadorja kanadeze në Ukrainë tha se në këtë vizitë pa se anijet janë të ngarkuara dhe gati për t’u nisur.

“Siç mund t’i shihni, anijet janë këtu, të ngarkuara dhe gati për t’u nisur. Anije të tjera kanë filluar të ngarkohen sot. Pra, ne i bëjmë thirrje Rusisë që të pajtohet me hapjen e korridoreve të duhura për dërgimin e grurit”, tha ajo.

Kjo marrëveshje është përparimi i parë diplomatik në konflikt, ndërsa çmimet e grurit në Azi ranë këtë javë për shkak të pritjeve për furnizime më të larta. Por luftime te ashpra e bëjnë procesin jashtëzakonisht të vështirë.

Javën që shkoi raketat ruse goditën portin jugor në Odesa, duke kërcënuar marrëveshjen që ishte nënshkruar një ditë para sulmit.

Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink tha se shpreson që më vonë të premten të hapet rruga për dërgesën e parë.

Ndërsa bllokimi i drithërave të Ukrainës, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, ka çuar në rritjen e çmimeve të ushqimit në mbarë botën, reduktimet e gazit rus kanë shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë në Evropë dhe frikë për mungesa të mëdha gjatë dimrit.

Synimi është që gjatë katër muajve të ardhshëm të nisen rreth 20 milionë tonë drithë nga portet e Ukrainës, duke ndihmuar miliona njerëz të varfër në mbarë botën të përallen me urinë.

Ukraina pret sinjalin e OKB-së për të nisur dërgesat e grurit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Ukraina është gati të nisë transportimin e miliona tonëve drithë në portet e saj jugore dhe po pret nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, të cilat kanë rënë dakord të mbikëqyrin dërgesat, të fillojnë operacionin.

"Ne jemi plotësisht e përgatitur. Ua kemi dërguar të gjitha sinjalet partnerëve tanë, OKB-së dhe Turqisë, dhe ushtria jonë garanton situatën e sigurisë", tha Zelensky, thuhet në njoftimin e zyrës së tij më 29 korrik.

Zelensky ka vizituar personalisht njërin nga portet, Chornomorsk, prej ku do të nisen dërgesat e grurit, për të vlerësuar situatën, thuhet në njoftim.

Kievi dhe Moska nënshkruan marrëveshje më 22 korrik, me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së, për të çliruar tri nga portet e Ukrainës: Odesa, Chernomorsk dhe Yuzhny, të cilat ishin bllokuar që kur Rusia nisi pushtimin e fqinjit të saj në fund të shkurtit.

Marrëveshja e nënshkruar në Stamboll mundëson bartjen e eksporteve të grurit nga Ukraina, teksa bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, kryesisht për shkak të sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.

Më shumë se 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.

Nis beteja për jugun, ukrainasit në kundërofensivë, armët amerikane i bëjnë gjëmën rusëve

Forcat ukrainase kanë krijuar terrenin e duhur për një kundërofensivë të madhe, që ata shpresojnë se do të arrijë t’i dëbojë pushtuesit rusë nga Kherson në jug të vendit, duke e hapur rrugën drejt Krimesë. Javët e fundit, ekipet e artilerisë, forcat speciale dhe ato guerile kanë hedhur themelet e këtij kundërsulmi, duke shkatërruar bazat kryesore ruse, duke sulmuar hekurudhat dhe urat jetike.

Shumë trupa dhe furnizime janë grumbulluar përgjatë vijës së frontit jugor, që kalon midis qyteteve Mykolayiv dhe Kherson. Sipas institutit me qendër në SHBA, Instituti për Studimin e Luftës, kundërofensiva e shumëpritur mund të ketë nisur tashmë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se forcat e tij po lëvizin “hap pas hapi” për çlirimin e plotë të Kherson-it.

Ish-Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Andriy Zagorodnyuk, thotë për Newsweek se luftëtarët ukrainas “duhet t’i largojnë forcat ruse nga Kherson sa më shpejt që të jetë e mundur”. Hanna Shelest, drejtore e programit të studimeve të sigurisë në grupin e ekspertëve për politikën e jashtme dhe sigurinë, Ukrainian Prism, deklaron se Kherson është një objektiv logjik për kundërsulmin e madh të Ukrainës.

“Të gjitha territoret janë të rëndësishme. Ne nuk po i japim përparësi një zone apo një tjetre. Por fakt është se Kherson është vendi më i përshtatshëm për ta nisur kundërsulmin”- deklaroi Shelest nga qyteti portual i Odessa-s në jug.

Vija e frontit në veri, afër Kharkiv, shkon deri afër kufirit Ukrainë-Rusi, duke u ofruar forcave ruse rrjete të mira furnizimi. Në lindje, Rusia ka angazhuar shumë trupa dhe armë në fushëbetejat e Donbass-it, duke arritur disa fitore të kufizuara. Por në jug, forcat ruse nuk kanë bërë asnjë përparim që nga javët e para të pushtimit.

Linjat e furnizimit nga Krimea janë shumë të shtrira, forcat e tyre janë dobësuar si pasojë e  kërkesave nga Donbass, dhe autoritetet pushtuese nuk po arrijnë ta shtypin kryengritjen që vlon nën sipërfaqe.

Sistemet e reja të artilerisë perëndimore me rreze të gjatë veprimi – veçanërisht HIMARS – të prodhuara në SHBA, dhe municionet e tyre me saktësi shumë të madhe, dhe me rreze veprimi prej rreth 80 km – i kanë dhënë mundësi ukrainasve të ndryshojnë ekuilibrat në terren, duke i lënë pushtuesit pa municione, karburant dhe furnizimet e tjera që i nevojiten për të mbajtur pozicionet aktuale.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, tha se forcat e tij kanë shkatërruar 50 depo municionesh dhe karburantesh me sistemet HIMARS vetëm javët e fundit. Po ashtu ukrainasit kanë goditur 3 ura mbi lumin Inhulets, që kalon në jug të qytetit Kherson.

Të martën në mbrëmje, forcat ukrainase goditën më shumë se 12 herë Urën Antonivskiy, duke e dëmtuar rëndë strukturën strategjike dhe detyruar mbylljen e saj nga autoritetet pushtuese ruse. Urat e dëmtuara, thotë Shelest, janë një paralajmërim për rusët.

“Shumë gjëra varen nga këto ura. Ukrainasit arritën të mos i shkatërrojnë plotësisht, por po ne po tregojmë se mund ta bëjmë këtë…Dhe kjo ka një efekt të madh psikologjik”- shton ajo. Alexander Khara, një ish-këshilltar sigurie i qeverisë ukrainase, shprehet për Newsweek se për shkak të moralit të dobët të trupave ruse në jug, një kundërofensivë “ka një shans të shkëlqyer për të pasur sukses”.

Ndërkohë aktiviteti gueril, po e dëmton moralin e pushtuesve në të gjithë Ukrainën Jugore. Bashkëpunëtorët e rangut të lartë janë vrarë, dhe trupat ruse po sulmohen rregullisht. “Kjo është shumë e rëndësishme. Pasi e bën shumë të ndryshme gjendjen nga ajo që kishim në Donbass në vitin 2014”- thekson Shelest.

Po pse ka kaq shumë rëndësi Kherson? Me një popullsi para pushtimit prej gati 300.000 banorësh, ky qytet do të jetë objektivi kryesor i kundërsulmit të ushtrisë ukrainase. Suksesi atje, do të krijonte mundësi për fitore në pjesën tjetër të rajonit. Dhe një triumf i madh në jug, i jep Ukrainës përfitime të shumta strategjike.

Sprapsja e forcave ruse më në lindje, përtej Kherson, do t’i mbajë ato edhe më larg nga qyteti port kyç i Odesa-s, dhe nga anijet tregtare që veprojnë atje. “Odesa është porta jonë drejt botës. Rëndësia e saj ndihet shumë përtej Ukrainës. Me bllokimin e saj nga Rusia, miliona njerëz në të gjithë globin po vdesin nga uria”- thotë Khara

Edhe Andriy Zagorodnyuk, ish-ministri i mbrojtjes, thotë se është shumë e rrezikshme që Kherson të lihet në duart e Rusisë. “Nëse Rusia mban Kherson, do të kërcënojë Mykolaiv. Odessa do të jetë gjithnjë në rrezik. Rusët donin dhe duan ende të pushtojnë gjithë bregun e Detit të Zi, ndaj ne duhet t’i largojmë ata sa më shpejt nga atje”- thekson ai.

Çlirimi i jugut, do të nënkuptonte gjithashtu rifitimin e qasjes tek industritë bujqësore dhe industriale të këtij rajoni; edhe pse që të dyja janë dëmtuar rëndë nga lufta. Ndërsa Rusia kontrollon jugun, Moska ka një urë tokësore nga gadishulli i Krimesë përmes Donbasit të pushtuar dhe deri në Rusi.

Rimarrja e jugut nga ukrainasit, do ta prishte të ashtuquajturën e “strategjia Novorossiya”.

Rusisë i duhen ato territore për të siguruar një urë tokësore për në Krime, dhe një furnizim të pandërprerë me ujë për gadishullin”- nënvizon Khara.

Po ashtu forcat pushtuese, po synojnë të ridrejtojnë furnizimin me energji elektrike nga termocentrali bërthamor Zaporizhzhia përgjatë lumit Dnieper. “Edhe nëse ne arrijmë të marrin vetëm qytetin Kherson, kjo do të jetë një goditje e madhe për rusët. Por nëse marrim marrin të gjithë rajonin, kjo do ta shkëputë Krimenë nga pjesa tjetër e trupave ruse”- thotë Zagorodnyuk.

Pak njerëz në Ukrainë besojnë se çdo armëpushim apo marrëveshje paqeje me Rusinë do të respektohet nga kjo e fundit. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e bëri të qartë këtë javë se qëllimet e Kremlinit në këtë luftë shtrihen shumë përtej Donbasit. Nëse Moska lejohet të diktojë fundin e këtij raundi luftimesh, mendojnë shumë ukrainas, kjo vetëm se do të krijojë terrenin për luftën e ardhshme.

Mposhtja e rusëve në jug, do të jetë një goditje tjetër për ambiciet perandorake të Putinit. “Edhe një histori tjetër suksesi është vendimtare për moralin e ukrainasve dhe partnerëve tanë, të cilët duhet të inkurajohen në besimin e tyre se Ukraina do të fitojë. Ne do të jemi

në gjendje të zhvendosim disa burime në lindje. Edhe kjo mund të dekurajojë plotësisht presidentin e Bjellorusisë Lukashenko nga përfshirja e mundshme në luftë”- thotë Khara.

Qeveria e Ukrainës, beson se ka një imperativ moral për të çliruar ata që jetojnë tashmë nën pushtimin rus. Por Moska po përpiqet të vendosë kontrollin e saj mbi territoret e pushtuara. Këtë javë, zyrtari i lartë rus në Kherson tha se një referendum rajonal për bashkimin me Federatën Ruse  -një votim i manipuluar për të zyrtarizuar kontrollin e Moskës – do të mbahej pavarësisht nga “frikësimet” nga Kievi dhe forcat e tij. Autoritetet pushtuese në Kherson dhe Zaporizhzhia, pritet të mbajnë zgjedhje të tilla farsë më 11 shtator.

Newsweek kontaktoi Ministrinë e Jashtme ruse lidhur me këtë çështje. Reznikov deklaroi javën e kaluar:”Unë shpresoj që ukrainasit të qëndrojnë në shtëpi atë ditë. Por ku i dihet, ndoshta deri atëherë qyteti do të çlirohet”.

Ndërkohë, pushtuesit po u japin banorëve pasaporta ruse, po vendosin në krye të organeve lokale zyrtarë rusë, dhe po zhdukin këdo që dyshohet për rezistencë. “Ne kemi gjithnjë e më shumë prova për abuzimet e vazhdueshme të rusëve në zonat e pushtuara”- thotë Shelest.

Trupat ukrainase që po përparojnë në jug, mund të ndeshen me pamje të tmerrshme, të ngjashme me ato në veri të Kievit, në qytete si Irpin, Bucha dhe Hostomel. ”Përveç llogaritjeve ushtarake, ka edhe kosto njerëzore. Çdo sukses do të vijë me një kosto të lartë. Edhe pse të dobësuar, rusët po përgatiten prej muajsh”- shton Khara.

Ndërkohë edhe Zagorodnyuk deklaron se Rusia ka ende shumë pajisje me fuqi zjarri me rreze të gjatë. “Ata e kanë përforcuar Kherson me linja mbrojtëse të blinduara. Ata përdorën 2 fabrika çimentoje në qytet për të prodhuar blloqe betoni të blinduara. Nuk ka dyshim se humbja e personelit ushtarak është një rrezik i madh për Ukrainën, ndaj çdo hap duhet të planifikohet me shumë kujdes. Rusia është duke i shteruar aftësitë e saj, por mbetet ende shumë e rrezikshme”- thotë ai.

Udhëheqësit austriakë dhe hungarezë diskutojnë migrimin, luftën në Ukrainë

Kancelari austriak Karl Nehammer mirëpriti kryeministrin hungarez Viktor Orban në Vjenë të enjten për bisedimet dypalëshe që u fokusuan në migrimin si dhe në luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj.

Takimi i dy liderëve të Evropës Qendrore erdhi vetëm disa ditë pasi një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Orban dha dorëheqjen në shenjë proteste për atë që ai e quajti një fjalim “të pastër nazist” të mbajtur nga kryeministri hungarez, në të cilin ai kundërshtoi shndërrimin e Evropës në një shoqëri “race të përzier”.

Nehammer u përpoq të distancohej shpejt nga komentet e diskutueshme të Orbanit, duke u thënë gazetarëve në Vjenë se ai ia bëri të qartë kryeministrit hungarez se “ne në Austri refuzojmë, dënojmë me termat më të fortë, çdo formë banalizimi ose relativizimi të racizmit apo edhe antisemitizmit”.

Ndërsa qëndrimi anti-migrant i Orbanit dhe kritikat ndaj vlerave liberale perëndimore kanë shkaktuar prej kohësh një reagim, fjalimi i së shtunës ndezi një valë të re zemërimi në të gjithë Evropën dhe nga opozita në Hungari. Në të, Orban deklaroi se vendet me migrim në shkallë të gjerë nga jashtë Evropës “nuk janë më kombe”.

Ndërsa Orban nuk i përsëriti në mënyrë eksplicite këto komente në Vjenë të enjten, ai theksoi axhendën e tij kundër emigracionit dhe këmbënguli në atë që ai e shihte si nevojën për të mbrojtur kulturën e vendit të tij kundër ndikimit të jashtëm.

“Unë nuk dua që Hungaria të bëhet një vend imigrimi dhe nuk dua që migrimi të bëhet më i fortë në Hungari,” tha ai. “Unë kam mbajtur gjithmonë këtë këndvështrim dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. Kjo nuk është një çështje racore për ne. Kjo është një çështje kulture. Thjesht, qytetërimi ynë duhet të ruhet siç është tani.”

Nehammer, nga ana e tij, e përshkroi migrimin si një “sfidë” që duhet luftuar.

Austria ka pranuar mbi 80,000 refugjatë nga Ukraina dhe rreth 30,000 kërkesa shtesë për azil gjatë gjysmës së parë të vitit, vuri në dukje kancelari, duke e quajtur ardhjen e këtyre njerëzve “sfida me të cilat Austria po përballet aktualisht, përveç krizës energjetike, në përveç inflacionit, përveç pandemisë.”

Në krahasim, Gjermania ka regjistruar më shumë se 900,000 refugjatë vetëm nga Ukraina që nga shpërthimi i luftës.

Udhëheqësit austriak dhe hungarez thanë se vendet e tyre po planifikonin një konferencë me Serbinë se si të “frenohet migrimi i parregullt”.

Nehammer dhe Orban thanë se diskutuan gjithashtu pushtimin rus të Ukrainës dhe pasojat e tij në Evropë, veçanërisht në lidhje me sanksionet kundër eksporteve ruse të energjisë, si dhe lidhjet ekonomike të dy vendeve.

Ngarkesat e para me grurë mund të nisen nga Ukraina që nesër, çfarë thotë zyrtari i OKB

Shefi i ndihmës i OKB-së, Martin Griffiths, ka thënë se shpreson që dërgesa e parë e drithit nga një port ukrainas i Detit të Zi mund të ndodhë që të premten, por detajet vendimtare për kalimin e sigurt të anijeve janë ende duke u përpunuar.

Griffiths tha se zyrtarët ushtarakë turq, rusë dhe ukrainas po punonin me një ekip të OKB-së në një qendër të përbashkët koordinimi në Stamboll për të hartuar procedurat standarde të funksionimit për marrëveshjen e rënë dakord nga katër palët më 22 korrik.

Ai pranoi se “djalli ishte në detaje”, por tha se deri më tani nuk ishin shfaqur probleme të mëdha. Griffiths tha se një aspekt që po negociohet janë koordinatat e sakta të kanaleve të sigurta të transportitm bën me dije Al Jazeera.

Ne shpresojmë … që lëvizjet e para të anijeve të ndodhin brenda disa ditësh – shpresojmë nesër – jashtë atyre porteve”,  tha Griffiths. 

Polonia shton arsenalet e armatimeve

Për shkak të luftës në Ukrainë Polonia po armatoset. Marrëveshjet e fundit me Korenë e Jugut përfshijnë qindra avionë luftarakë, tanke dhe armë artilerie.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjet për blerjen e armëve, sepse Polonia ka nxjerrë mësime nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. "Koha është e shkurtër dhe ne duhet të pajisim ushtrinë polake." - tha ai.

Sipas marrëveshjeve Polonia do të marrë rreth një mijë tanke, rreth 650 topa dhe mortaja dhe 48 avionë luftarakë. Dymbëdhjetë avionët e parë luftarakë të tipit FA-50  planifikohet të mbërrijnë në Poloni në vitin 2023 dhe do të zëvendësojnë avionët e vjetër të prodhimit sovjetik. Koncerni koreano-verior i armatimeve, Korea Aerospace Industries, njoftoi se do ta zhvendoste gradualisht prodhimin e avionëve luftarakë FA-50 në Poloni.

Informacione në lidhur me kostot e marrëveshjes për armët nuk u dhanë, por sipas njoftimeve nga Koreja e Jugut bëhet fjalë për disa miliardë dollarë amerikanë.

Përgatitje ndaj një kërcënimi të mundshëm nga Rusia

Polonia, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetësit më të mëdhenj ushtarakë dhe politikë të Ukrainës dhe po armatoset shumëkundër një kërcënimi rus. Muajt e fundit Polonia ka porositur më shumë se 300 tanke amerikane dhe sisteme raketash tokë-ajër nga konsorciumi evropian MBDA si dhe më shumë se 30 helikopterë ushtarakë të prodhimit italian.

Po ashtu qeveria e Varshavës ka nisur që vitin e kaluar të rrisë ndjeshëm numrin e ushtarëve, madje edhe para sulmit rus në Ukrainë. Nëse duam të shmangim më të keqen, pra luftën, duhet të veprojmëa sipas rregullit të vjetër të parandalimit, e justifikoi asokohe vendimin Jaroslav Kazhinski, lideri i partisë në pushtet PIS./DW

​Rusia godet zonën e Kievit ndërsa Ukraina kërkon të rimarrë jugun

Rusia ka kryer sulme vdekjeprurëse në Ukrainë, ndërsa Kievi ka shtuar përpjekjet e saj për të rimarrë rajonin e pushtuar jugor të Khersonit.

Pesë persona u vranë dhe 26 u plagosën kur raketat goditën qytetin qendror të Kropyvnytskyi, thanë zyrtarët. Tre persona vdiqën në Bakhmut, në lindje, raporton BBC.

Pranë Kievit, 15 persona u plagosën në një bazë ushtarake. Rajonet veriore dhe jugore të Ukrainës u goditën gjithashtu.

Kjo vjen pasi Ukraina kërkon të izolojë trupat ruse në jug të vendit.

Një urë kyçe në qytetin Kherson është jashtë funksionit pasi forcat ukrainase e goditën atë me raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga ShBA-ja. Kjo e bën të pamundur për Rusinë dërgimin e dislokimeve dhe armatimit mbi Urën Antonivsky.

Zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar thonë se i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas i kapur që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, tani është "praktikisht i shkëputur nga territoret e tjera të okupuara".

Megjithatë, ushtria ukrainase ka paralajmëruar se Moska tani po ridislokon forcat e saj nga Ukraina lindore për të mbrojtur rajonin Kherson.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat