LIVE: Shefi i NATO-s jep alarmin, tregon çka do të ndodhë nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë

Bota

LIVE: Shefi i NATO-s jep alarmin, tregon çka do të ndodhë nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë

Më: 4 gusht 2022 Në ora: 08:50 Përditësuar në ora: 22:58 më 04.08.2022
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg

Shefi i NATO-s: Bota do të jetë një vend më i rrezikshëm, nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të enjten se aleanca ushtarake perëndimore ka si detyrë të përbashkët të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, si dhe të parandalojë përhapjen e konfliktit në një luftë mes Rusisë dhe NATO-s.

Duke folur në një kamp veror në vendin e tij të lindjes, Norvegji, zoti Stoltenberg tha se aleanca ka përgjegjësinë morale që të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj që ndodhen nën agresionin rus.

“Po shohim akte lufte, sulme ndaj civilëve dhe shkatërrime që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha zoti Stoltenberg, sipas një njoftimi të NATO-s. "Nuk mund të jemi indiferentë ndaj kësaj", shtoi ai.

Zoti Stoltenberg tha se bota do të jetë një vend më i rrezikshëm nëse Presidenti rus Vladimir Putin merr atë që dëshiron përmes përdorimit të forcës ushtarake.

"Nëse Rusia fiton këtë luftë, për (Putinin) do të ishte pohim se dhuna funksionon. Pastaj radha mund të jetë e vendeve të tjera fqinje", tha ai.

Ushtria e Ukrainës njoftoi të enjten se forcat ruse po bombardonin zona të shumta në Ukrainë, përfshirë ato rreth Karkivit, Slovianskut dhe Çernihivit.

Ndërkohë, Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se forcat ukrainase po përdorin raketa dhe sulme me artileri kundër fortesave ruse ushtarake, personelit, bazave të mbështetjes logjistike dhe depove të tyre të municioneve. Në deklaratën e ministrisë thuhej se sulme të tilla ka të ngjarë të kenë një ndikim të madh në përpjekjet e Rusisë për të rifurnizuar dhe mbështetur forcat e saj ushtarake.

Të mërkurën në mbrëmje ministrat e jashtëm të vendeve të G-7 lëshuan një deklaratë ku thuhej se po kërkojnë mënyra për të parandaluar Rusinë që të përfitojë nga agresioni i saj në Ukrainë si dhe që të kufizojnë aftësinë e Moskës për të zhvilluar luftë.

Duke vënë në dukje përpjekjet për të hequr gradualisht dorë nga përdorimi i burimeve ruse të energjisë, ministrat thanë se synojnë të ndërmarrin hapa për të reduktuar sasinë e parave që Rusia siguron nga eksporti i energjisë. Po kështu përpjekjet do të përqëndrohen në stabilizimin e tregjeve globale të energjisë si dhe në parandalimin e ndikimit negativ tek vendet me të ardhura të ulëta e të mesme.

Në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u tha gazetarëve të mërkurën se aktualisht organizata po shqyrton mënyra për të lehtësuar krizën globale të energjisë të shkaktuar nga lufta.

Putinit i del situata jashtë kontrollit, fut në lojë mercenarët e Wagnerit për të ndalur dezertimet; ushtarët burgosen dhe kërcënohen me pushkatim

Mercenarët e Wagnerit po përdoren për të  kërcënuar ushtarët rusë të burgosur që refuzojnë të luftojnë në luftën në Ukrainë.

Një grup ushtarësh rusë kanë akuzuar komandantët e tyre se i burgosën në Ukrainën lindore pasi refuzuan pjesëmarrjen në luftë, duke rritur kështu  tensionet brenda radhëve të trupave ruse.

Maxim Grebenyuk, një avokat që drejton organizatën e avokimit me bazë në Moskë, Ombudsmani Ushtarak, tha se të paktën katër ushtarë rusë kishin paraqitur ankesa me shkrim në komitetin hetimor, duke kërkuar dënim për eprorët që mbikëqyrën ndalimin e tyre.

Ushtarët që iu thanë avokatëve se ishin ruajtur nga mercenarët Wagner, të cilët i kishin kërcënuar se do të pushkatoheshin nëse do të përpiqeshin të arratiseshin.

Grupi Wagner është një organizatë famëkeqe e njohur si ushtria private e Putinit që është akuzuar për shkeljen e të drejtave të njeriut ndërsa luftonte përkrah ushtrisë ruse në Ukrainë.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë ka pasur burime që informonin se shumë ushtarë rus nuk ishin dakord me ndërhyrjen në Ukrainë.

Zerat kundër ndërhyrjes kanë vazhduar me trend rritës, ku shumë ushtarë rus kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë ruse, e disa të tjerë i janë bashkuar trupave ukrainase.

Turqia: Edhe tri anije me drithëra do të largohen nga Ukraina

Edhe tri anije të mbushura me drithëra do të largohen nga Ukraina më 5 gusht, në bazë të marrëveshjes të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të rikthyer eksportet e drithërave dhe produkteve bujqësore, tha Ministria turke e Mbrojtjes.

Tri anijet do të largohen nga portet ukrainase në Detin e Zi.

“Planifikohet që edhe tri anije të largohen nga Ukraina nesër”, tha ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.

Ai tha se edhe një anije pa ngarkesë pritet të niset drejt Ukrainës, pasi aktualisht po inspektohet në Stamboll.

Akar ka zhvilluar bisedime me ministrat e Mbrojtjes dhe Infrastrukturës së Ukrainës lidhur me situatën rreth dërgesave të drithërave, u tha në njoftim.

Ky njoftim vjen një ditë pasi anija e parë kaloi Stambollin qëkur marrëveshja për eksportin e drithërave u arrit. Anija u nis nga porti ukrainas i Odesës më 1 gusht dhe ka për destinacion portin libanez të Tripolit.

Moska dhe Kievi arritën marrëveshje muajin e kaluar për rikthimin e eksporteve. Marrëveshja u arrit nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së dhe synon të zhbllokojë tri portet ukrainase, që janë bllokuar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Marrëveshja kërkon që një ekip ndërkombëtar, i përbërë nga zyrtarë nga Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina të mbikëqyrin inspektimet dhe kalimin e anijeve nëpër Bosfor.

Ky ekip tha përmes një deklarate se anija e parë me sukses ka lundruar dhe se marrëveshja ende po respektohet.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka diskutuar përmes telefonit me shefin e OKB-së, Antonio Guterres, për zbatimin e marrëveshjes, njoftoi Ankaraja. Por, detaje të kësaj bisede ende nuk janë publikuar.

Ukraina nën presion në Lindje, ndërsa NATO paralajmëron Rusinë

Ukraina tha të enjten se kishte zmbrapsur sulme të shumta ruse në një zonë me rëndësi strategjike në lindje të vendit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se Moska nuk duhet të lejohet të fitojë luftën.

Ushtria ukrainase tha të enjten forcat ruse kishin kryer të paktën dy sulme në Pisky të rajonit të Donbasit, por shtoi se trupat ukrainase kishin arritur t'i zmbrapsnin ato.

Ministria ruse e mbrojtjes të enjten konfirmoi se forcat e saj ishin në ofensivë dhe se kishin shkaktuar humbje të mëdha mes forcave ukrainase në provincën Donetsk, duke detyruar tërheqjen e njësive të Kievit.

E furnizuar me armë të sofistikuara nga Perëndimi, Ukraina ka vënë në shënjestër forcat e mbështetura nga Rusia në Lindje.

Zyrtarët në Republikën e vetëshpallur të Donetskut të mbështetur nga Rusia thanë të enjten se bombardimet ukrainase kishin vrarë të paktën pesë persona dhe plagosur gjashtë në Donetsk.

Pavlo Kyrylenko, guvernatori ukrainas i Donetskut, tha në Telegram se tre civilë ishin vrarë nga bombardimet ruse në Bakhmut, Maryinka dhe Shevchenko dhe pesë u plagosën në 24 orët e fundit.

Tetë persona u vranë dhe katër u plagosën nga granatat e artilerisë ruse në qytetin Toretsk në Donetsk, tha ai.

Ukraina tha se ofensiva ruse në lindje dukej si një përpjekje për ta detyruar atë të zhvendoste trupat nga jugu, ku forcat e Kievit po përpiqen të rimarrin territorin dhe të shkatërrojnë linjat ruse të furnizimit në përgatitje të një kundërofensive më të gjerë.

Paralajmërimi i NATO-s

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të enjten se lufta ishte momenti më i rrezikshëm për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se Rusia nuk duhet të lejohet ta fitojë atë.

Për të mos lejuar suksesin e Moskës, NATO-s dhe vendeve anëtare të saj mund të duhet të mbështesin Ukrainën me armë dhe ndihma të tjera për një kohë të gjatë, tha ai.

"Është në interesin tonë që kjo lloj politike agresive të mos ketë sukses," tha zoti Stoltenberg në një fjalim në vendlindjen e tij, Norvegji.

Mes shqetësimeve të disa politikanëve në Perëndim se ambiciet e Rusisë mund të shtrihen përtej Ukrainës, zoti Stoltenberg paralajmëroi presidetin rus, Vladimir Putini se përgjigja ndaj një lëvizjeje të tillë nga aleanca ushtarake perëndimore do të ishte dërrmuese.

"Nëse Presidenti Putin mendon të bëjë diçka të ngjashme me një vend të NATO-s siç ka bërë me Gjeorgjinë, Moldavinë ose Ukrainën, atëherë e gjithë NATO-ja do të angazhohet menjëherë," tha ai.

AI akuzon forcat ukrainase për rrezikimin e civilëve

Forcat ukrainase janë akuzuar nga Amnesty International (AI) se po vënë në rrezik civilët, duke u vendosur në ndërtesa banimi, shkolla dhe spitale. Këto akuza nxitën një reagim të ashpër nga Kievi.

Shefja e organizatës Amnesty International, Agnes Callamard, tha se hulumtuesit kanë gjetur një disa “veprime të forcave ukrainase po rrezikojnë civilët dhe po shkelin e ligjet e luftës kur ata po veprojnë në zona të banuara”, u tha në raportin e publikuar më 4 gusht.

Ky raport zemëroi Ukrainën. Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se grupi për të drejtat e njeriut kishte nxjerrë një “ekuivalencë të rreme” midis veprimeve të forcave pushtuese ruse dhe ukrainasve që po mbrojnë shtetin e tyre.

“Kjo sjellje e Amnesty International nuk është për gjetje dhe raportimin e të vërtetës në botë, por është për krijimin e ekuivalencës së rreme, midis shkelësit dhe viktimës, midis një shteti që po shkatërron qindra-mijëra civilë, qytete dhe territore me një shteti që po mbron veten”, tha ai.

Ndërkaq, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, tha se raporti është një “shtrembërim” që ka për qëllim të ngrehë pikëpyetje ndaj të drejtës së ukrainasve për të mbrojtur shtetin e tyre.

Callamard nga AI tha se pozicioni mbrojtës nuk i mundëson “ushtrisë ukrainase shmangie nga respektimi i ligjit humanitar ndërkombëtar”.

AI tha se ka gjetur dëshmi se forcat ukrainase kanë kryer sulme nga zona të banuara dhe ushtria është vendosur në ndërtesa civile në 19 qytete dhe fshatra në tri rajone ukrainase. Hulumtuesit e AI-së thanë se i kanë mbledhur këto të dhëna nga prilli deri në korrik.

Amnesty po ashtu ka gjetur se forcat ukrainase në pesë vende kanë përdorur spitalet si baza ushtarake, që sipas kësaj organizate “është shkelje e qartë e ligjit humanitar ndërkombëtar” pasi palëve në konflikt u kërkohet që shmangin vendosjen e ushtarëve në zonat e banuara nga civilët.

Në raport po ashtu thuhet se Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt – po arsyeton sulmet e saj ndaj zonave civile, pasi ushtarët ukrainas janë dislokuar në këto zona.

Ukraina jep lajmin, merr fondin prej 1 milionë eurosh nga Shqipëria

Ministri i Financave të Ukrainës, Sergii Marchenko, ka njoftuar se ka marrë fondin prej 1 milionë eurosh nga Shqipëria

“Mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë përshpejton fitoren e Ukrainës.

I jemi mirënjohës Qeverisë së Shqipërisë për ndihmën e vendit tonë përballë një pushtimi rus në shkallë të gjerë.

Këto fonde do të forcojnë stabilitetin e sistemit financiar të Ukrainës”, tha ministri i Financave të Ukrainës, Sergii Marchenko.

Podoljak, këshilltar i presidentit ukrainas: Bisedime pas humbjes së Rusisë

Mihajlo Podoljak është këshilltar në presidencën ukrainase. Në bisedë për Deutsche Wellen ai mbron politikën personale të presidentit ukrainas Selenskyj dhe shpjegon se si mund ta fitojë Ukraina luftën kundër Rusisë. 

DW: Zoti Podoljak, më shumë se pesë muaj më parë ka filluar sulmi rus kundër Ukrainës. A ndieni lodhje nga lufta ju personalisht, shoqëria, apo ushtria?  

Mihajlo Podoljak: Keni të drejtë të flisni për lodhje. Kemi të bëjmë me luftë e në luftë nuk duhet të ekzistojë lodhja. Synimi kryesor i Rusisë është të shkatërrojë institucionet shtetërore ukrainase. Kjo gjë nuk është arritur. Prandaj kërkohet të arrihet një synim tjetër, që është pushtimi dhe shkatërrimi i sa më shumë territoreve ukrainase që të jetë e mundur.  

Lodhja është më shumë një iluzion i krijuar nga mediat, gjë për të cilën flasin gazetarët. Shoqëria jonë do të luftojë definitivisht deri në fund, (dhe do të japë gjithçka për të arritur fitoren- shënim i redaktorit), sepse është e ndërgjegjshme për pasojat e humbjes. Publiku europian do të jetë me siguri prezent deri në fund, sepse ai është duke i kuptuar gjithnjë e më shumë rreziqet që dalin nëse Rusia vazhdon të mbetet në formën e tanishme, një shtet agresiv, ekspasionist, shovinist.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Zhvillimet e fundit luftarake në Ukrainë

Forcat ruse ka të ngjarë të përdorin termocentralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia (NPP) në Enerhodar për të nxitur frikën perëndimore për një katastrofë bërthamore në Ukrainë, duke u përpjekur në këtë mënyrë të degradojnë vullnetin e fuqive perëndimore për të ofruar mbështetje ushtarake për një kundërofensivë ukrainase.

Forcat ruse ka të ngjarë që vet kanë vënë zjarrin në kompleksin e burgut që mbante të burgosurit ukrainas në rajonin e okupuar të Donetskut, por fajësoi Ukrainën për një sulm të supozuar duke përdorur pajisje ushtarake të furnizuara nga Perëndimi, me shpresë që të rrisë hezitimin e SHBA-së për të vazhduar ofrimin e armëve HIMARS ushtrisë ukrainase.

Moska do të vazhdojë përpjekjet për të zhvilluar edhe më shumë marrëdhëniet  me Teheranin me qëllim që të sigurojë dronët për përdorim në Ukrainë.

Forcat ruse kryen një sulm të kufizuar tokësor në veriperëndim të Slovyanskut dhe vazhduan përpjekjet për të avancuar në Bakhmut nga verilindja, lindja dhe juglindja. Ata po i japin përparësi sulmeve frontale në Avdiivka, gjersa nuk arritën të fitojnë terren në Pisky.

Rusët po ashtu thuhet se po formojnë një grup sulmi për të parandaluar kundërsulmet e Ukrainës në veri të rajonit Kherson ose edhe të kundërsulmojnë forcat ukrainase të cilat ditëve të fundit kanë çliruar disa dhjetëra vendbanime në këtë rajon.

Zelensky i përshkruan veprimet e ish-kancelarit gjerman si të “neveritshme”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se i duket "e neveritshme" që ish-udhëheqësit e vendeve të rëndësishme evropiane "punojnë për Rusinë" pasi ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder tha se Rusia dëshironte një zgjidhje të negociuar për luftën.

Rusia aktualisht po aktivizon "emisarë të ndryshëm" të cilët synojnë të paraqesin "teza se shteti terrorist dyshohet se dëshiron negociata", tha Zelensky në fjalimin e tij të vonë të më 3 gusht.

Schroeder, një mik i presidentit rus Vladimir Putin, tha se ai u takua me liderin e Kremlinit javën e kaluar në Moskë.

“Është thjesht e neveritshme kur ish-udhëheqësit e shteteve të mëdha me vlera evropiane punojnë për Rusinë, e cila është në luftë kundër këtyre vlerave”, tha Zelensky.

“Nëse Rusia vërtet do të dëshironte përfundimin e luftës, ajo nuk do të [dërgonte] tani rezerva në jug të Ukrainës dhe nuk do të prodhonte varre masive të njerëzve të pafajshëm të vrarë në territorin ukrainas”, tha ai.

Mykhaylo Podolyak, këshilltari i lartë i presidencës ukrainase shkroi në Twitter se nëse Moska dëshiron dialog, topi është në fushën e saj.

Schroeder më herët shprehu shqetësimin për krizën energjetike të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Moska dhe kërkoi që shefi i Kremlinit t’ia shpjegonte se si e sheh situatën dhe nëse gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 mund të bëhet funksionale.

Ai që ka qenë kancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri më 2005, e ka kritikuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, ai ka refuzuar që të dënojë Putinin, të cilin ende e konsideron mik të afërt./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat