​Guterres: IAEA duhet ta vizitojë urgjentisht centralin bërthamor Zaporozhzhia

Bota

​Guterres: IAEA duhet ta vizitojë urgjentisht centralin bërthamor Zaporozhzhia

Më: 24 gusht 2022 Në ora: 19:33
Antonio Guterres

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres bëri thirrje sot që ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të vizitojnë centralin bërthamor të Zaporozhzhia sa më shpejt të jetë e mundur.

“Unë mirëpres mbështetjen e shprehur për një mision të tillë dhe bëj thirrje që ai të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Guterres në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai shprehu shqetësim serioz për situatën në termocentralin bërthamor Zaporozhzhia.

“Çdo veprim që mund të kërcënojë sigurinë e centralit bërthamor është thjesht i papranueshëm. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës mund të çojë në vetëshkatërrim”, tha Guterres.

Siç theksoi ai, duhet të sigurohet siguria e termocentralit bërthamor dhe të "rikthehet statusi civil".

Zaporozhzhia është centrali bërthamor më i madh evropian, i cili ka qenë nën kontrollin e forcave ruse që nga marsi, ndodhet afër vijave të frontit dhe javët e fundit është ekspozuar ndaj granatimeve të përsëritura, gjë që ka shkaktuar frikën e një fatkeqësie bërthamore.

Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën për granatimet e zonës përreth centralit bërthamor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat