Britania e Madhe ka dënuar sot shtetin iranian për një sulm kibernetik kundër Qeverisë së Shqipërisë që shkatërroi të dhënat dhe ndërpreu shërbimet thelbësore të qeverisë, duke përfshirë pagesën e shërbimeve, prenotimin e takimeve mjekësore dhe regjistrimin e nxënësve.
Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (NCSC) vlerëson se aktorët kibernetikë të lidhur me shtetin iranian janë përgjegjës për serinë e sulmeve kibernetike kundër infrastrukturës së qeverisë shqiptare nga 15 korriku, të cilat shkaktuan ndikim të rëndësishëm në shërbimet publike online dhe faqet e tjera të internetit të qeverisë.
Ueb sajtet e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryeministrisë, si dhe ‘e-Albania’, një portal që shqiptarët përdorin për të pasur qasje në një sërë shërbimesh publike, u sulmuan dhe u mbyllën.
Sulmuesit zbuluan gjithashtu të dhëna të qeverisë shqiptare, duke përfshirë detaje të emaileve nga Kryeministri dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
Sekretari i Jashtëm James Cleverly tha veprimet e pamatura të Iranit treguan një shpërfillje të hapur për popullin shqiptar, duke kufizuar ashpër aftësinë e tij për të pasur qasje në shërbimet thelbësore publike.
“Mbretëria e Bashkuar po mbështet partnerin tonë të vlefshëm dhe aleatin e NATO-s. Ne i bashkohemi Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë në ekspozimin e veprimeve të papranueshme të Iranit,” tha Cleverly.
Ndryshe, Shqipëria ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin zyrtar, pas sulmeve kibernetike që erdhën nga shteti iranian.