Kina ka rritur importet e energjisë dhe lëndëve të para ruse këtë vit pa bërë të njëjtën gjë për eksportet e teknologjisë, raportoi e përditshmja e biznesit “Kommersant” duke cituar të dhënat e doganave kineze.
Kina importoi 72.9 miliardë dollarë mallra nga Rusia midis janarit dhe gushtit, një rritje prej 50% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Eksportet e saj drejt Rusisë u rritën me vetëm 8.5%, 44.2 miliardë dollarë gjatë së njëjtës periudhë.
Si rezultat, suficiti tregtar i Rusisë me Kinën është katërfishuar nga 7.3 miliardë dollarë në 28.7 miliardë dollarë, sipas Kommersant.
Struktura e importit të Kinës është “një nga më pak të diversifikuarat midis të gjithë partnerëve tregtarë të Rusisë”, raportoi gazeta, duke cituar fondacionin shtetëror të Rusisë Roscongress.
Nafta, gazi dhe qymyri përbëjnë 78% të eksporteve të Rusisë në Kinë dhe “po zgjerohen në mënyrë të qëndrueshme”, citon raporti Roscongress-it.
Energjia, mineralet dhe produktet bujqësore përbëjnë pjesën më të madhe të importeve kineze nga Rusia.
Sipas të dhënave të doganave, Rusia zë një pjesë prej 2.75% në qarkullimin e përgjithshëm tregtar të Kinës.
Dhe ndërsa pjesa e eksporteve ruse në Kinë u rrit në 4% këtë vit, pjesa e importeve ruse ra në 1.9%.
Pekini ka mbajtur lidhje miqësore me Moskën përballë sanksioneve të paprecedentë për pushtimin e Ukrainës, pasi Rusia e gjeti veten të shkëputur nga importet perëndimore.