Një bandë droge, në malet e Meksikës jugore, ka qëlluar për vdekje 20 persona, duke përfshirë një kryetar bashkie dhe babanë e tij, bënë të ditur zyrtarët e këtij shteti.
Ricardo Mejia, ndihmës sekretari i sigurisë publike i Meksikës, tha se banda kriminale “Tequileros” po lufton bandën “Familia Michoacana” në rajon.
Këshilli i sigurimit të shtetit Guerrero, deklaroi se një banda e armatosur hynë në bashkinë e fshatit Totolapan të mërkurën dhe hapën zjarr në një takim që kryebashkiaku po zhvillonte me zyrtarë të tjerë, shkruan AP.
Mes të vdekurve ishte kryebashkiaku Conrado Mendoza dhe babai i tij, Juan Mendoza Acosta, një ish-kryetar i bashkisë së qytetit. Shumica e viktimave të tjera besohet të jenë zyrtarë lokalë.
Autoritetet thanë se grupet kriminale që veprojnë në zonë kontrollojnë shpërndarjen e opiumit dhe janë gjithashtu të përfshirë në rrëmbime, zhvatje dhe disa vrasje në rajon.
Në Meksikë, sulmet e tilla ndaj zyrtarëve publikë nuk janë të rralla, këto vijnë në një kohë kur strategjia e sigurisë e presidentit meksikan Andrés Manuel López Obrador po debatohet ashpër.
Presidenti ka vënë përgjegjësi të jashtëzakonshme mbi forcat e armatosura dhe jo mbi policinë civile, me qëllimin e vetëm për të frenuar dhunën e vazhdueshme në Meksikë.