Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka dënuar "përpjekjen për aneksimin e paligjshëm" të Rusisë të katër rajoneve pjesërisht të pushtuara në Ukrainë dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve që të mos e njohin masën, përcjell Bota sot.
Tre të katërtat e Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh - 143 vende - votuan në favor të një rezolute që ripohoi gjithashtu sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Ndërkohë, vetëm katër vende iu bashkuan Rusisë në votimin kundër rezolutës - Siria, Nikaragua, Koreja e Veriut dhe Bjellorusia.
35 vende të tjera abstenuan nga votimi, duke përfshirë partnerin strategjik të Rusisë Kinën, ndërsa pjesa tjetër nuk votoi.
Javën e kaluar, Vladimir Putin nënshkroi ligje që aneksojnë katër rajone ukrainase në Rusi, duke finalizuar aneksimin e territoreve të pushtuara në kundërshtim me protestat ndërkombëtare.
Ai pasoi të ashtuquajturat referendume në Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, të refuzuara si mashtrim nga Ukraina dhe Perëndimi.
Së bashku me Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014, pretendimi i përgjithshëm i Putinit arrin në më shumë se 22% të territorit ukrainas, megjithëse kufijtë e saktë të katër rajoneve që ai po anekson ende nuk janë sqaruar përfundimisht.