Irani ka hedhur poshtë sërish akuzat se ka furnizuar Rusinë me armë "për t'u përdorur në luftën në Ukrainë".
Kievi dhe pjesa më e madhe e Perëndimit kanë akuzuar Moskën për përdorimin e dronëve të prodhuar nga Irani në sulmet ndaj Ukrainës në javët e fundit, raporton Sky news, përcjell "Bota sot".
Kjo temë pritet të diskutohet nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në një takim të hënën në Luksemburg.
Në një deklaratë, Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian "theksoi se Republika Islamike e Iranit nuk ka dhe nuk do të sigurojë asnjë armë për t'u përdorur në luftën në Ukrainë".
"Ne besojmë se armatimi i secilës anë të krizës do të zgjasë luftën," tha ministri i jashtëm iranian në një telefonatë me homologun e tij portugez Joao Gomes Cravinho.
"Ne nuk e kemi konsideruar dhe nuk e konsiderojmë luftën si rrugën e duhur as në Ukrainë, as në Afganistan, Siri dhe Jemen."
Në një telefonatë të veçantë me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të premten, Amir-Abdollahian përsëriti qëndrimin zyrtar të neutralitetit të Iranit mbi luftën që filloi gati tetë muaj më parë.