LIVE: Tensione të mëdha në Ukrainë/ SHBA kërcënon këtë shtet – shkak Rusia!

Bota

LIVE: Tensione të mëdha në Ukrainë/ SHBA kërcënon këtë shtet – shkak Rusia!

Nga: BOTA SOT Më: 18 tetor 2022 Në ora: 06:17 Përditësuar në ora: 22:15 më 18.10.2022
Vladimir Putin

DASH kërcënon Iranin: Në vazhdoni dërgoni dronë dhe armë në Rus, do të përgjigjemi në mënyrë agresive

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se do të ndërmarrin hapa agresivë, nëse Irani vazhdon shitjen e dronëve dhe armatimeve për Rusinë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Vedant Patel, e quajti aleancën midis Rusisë dhe Iranit një kërcënim potencial e të rrezikshëm.

Kievi është goditur me të ashtuquajturit “dronë kamikazë” më 17 tetor, të cilët janë lëshuar nga Rusia, mirëpo besohet se janë prodhuar nga Irani.

Komandanti i ri i forcave ruse thotë se situata në Ukrainë është “e tensionuar”

Komandanti i ri i forcave ruse në Ukrainë ka pranuar se forcat e tij po përballen me vështirësi në terren.

“Situata në zonën e ‘operacionit të posaçëm ushtarak’ mund të përshkruhet si e tensionuar”, tha gjenerali Sergei Surovikin për televizionin shtetëror rus, Rossiya 24, gjatë një interviste më 18 tetor.

“Armiku vazhdimisht përpiqet të sulmojë pozicionet e forcave ruse”, tha ai. “Para së gjithash, bëhet fjalë për sektorët në Kupiansk, Liman dhe Mikolajiv-Krivij”, shtoi ai.

Surovikin po ashtu tha se ushtria ruse po përgatitet që të evakuojë civilët nga qyteti jugor ukrainas i Hersonit, që është pushtuar nga Moska dhe gjendet në një prej katër rajoneve që Rusia paligjshëm aneksoi tri javë më parë.

“Ushtria ruse do të ofrojë evakuim të sigurt të banorëve” të Hersonit, tha Surovikin gjatë intervistës, teksa e përshkroi situatën si “shumë të vështirë”.

Shefi i administratës së instaluar nga Rusia në Herson tha se do të ketë një “zhvendosje të organizuar” të civilëve nga pjesa e majtë e bregut të Lumit Dnipro.

Më 8 tetor, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë e emëroi Surovikinin si komandant të përgjithshëm të forcave të Kremlinit që marrin pjesë në luftën në Ukrainë.

Kjo është hera e parë që Rusia emëron një komandant të vetëm për të gjitha forcat ruse që luftojnë në Ukrainë, qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Stoltenberg: Ukraina së shpejti do të marrë sisteme të mbrojtjes ajrore

Në ditët në vijim, NATO do t’i dërgojë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore, tha shefi i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg më 18 tetor.

Deklarata e Stoltenbergut vjen teksa për më shumë se një javë, Ukraina po përballet me sulme ajrore ruse që kanë shkatërruar pothuajse një të tretën e stacioneve të energjisë në vend.

Gjatë një konference të sigurisë në Berlin, Stoltenberg tha se sistemet e mbrojtjes ajrore do t’i ndihmojnë Ukrainës që të mbrojë veten nga sulmet, përfshirë edhe nga sulmet me dronë të prodhimit iranian, që kanë shkaktuar shumë vdekje dhe shkatërrim, qëkur Rusia nisi një valë të re sulmesh në mbarë Ukrainën më 10 tetor.

Stoltenberg tha se përgjigja ndaj sulmeve është që aleatët të rrisin dërgesat e tyre me sisteme të mbrojtjes ajrore.

“Gjëja më e rëndësishme që ne mund të bëjmë është të dërgojmë ato që aleatët tanë kanë premtuar, të përshpejtojmë dërgesat me më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore”, tha shefi i aleancës perëndimore ushtarake.

NATO “në ditët në vijim” do të dërgojë sisteme për t’iu kundërvënë kërcënimit specifik që paraqesin dronët, përfshirë edhe dronët e Iranit, tha ai.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më herët tha se sulmet gjatë 18 tetorit kanë goditur Kievin dhe qytetet e tjera ukrainase. Sipas tij, sulmet kanë goditur zona të banuara dhe infrastrukturë të energjisë.

Përmes një postimi në Twitter, ai tha se sulmet e javës së kaluar kanë shkaktuar ndërprerje masive të rrymës në mbarë Ukrainën dhe se “nuk ka hapësirë për negociata” me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili urdhëroi nisjen e pushtimit të shtetit të tij më 24 shkurt./REL

Kryediplomati ukrainas propozon shkëputjen e raporteve me Iranin

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se do t’i propozojë presidentit Volodymyr Zelensky, që të shkëpusë raportet diplomatike me Iranin, për shkak të furnizimit të Rusisë me dronë dhe armë të tjerë.

Kuleba u tha gazetarëve në Kiev më 18 tetor se do ta bëjë këtë propozim për shkak të “shkatërrimit masiv që kanë shkaktuar dronët iranianë në infrastrukturën e Ukrainës, përfshirë edhe shumë vdekje”, teksa Rusia po përdor në pushtimin e saj të Ukrainës dronë iranianë.

Kuleba shtoi se Ukraina më herët nuk kishte pasur kurrë qëndrim anti-iranian, por pasi “Irani u bë bashkëpunëtor i krimeve ruse në territorin tonë” Kievi do të “marrë një pozicion të qartë dhe të drejtë”.

“Veprimet e Iranit janë të poshtra dhe gënjeshtra që ne nuk do t’i tolerojmë”, tha Kuleba.

“Nëse Irani ndalon së furnizuari Rusinë me armë, ne do të bisedojmë për të ringjallur raportet tona të ndërlikuara”.

Deklarata e Kulebës vjen pasi Rusia vazhdoi sulmet ndaj Ukrainës, duke përdorur dronë kamikazë dhe raketa.

Rusia tha se ka blerë qindra dronë iranianë të llojit Shahed-136, të cilat po i përdor kundër Ukrainës.

Estonia shpall Rusinë “regjim terrorist”

Ligjvënësit në Estoni kanë shpallur Rusinë “regjim terrorist” për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Ky vendim po ashtu ka të bëjë me veprimet që Rusia ka marrë që nga nisja e pushtimit në fund të shkurtit, përfshirë aneksimin e paligjshëm të katër rajoneve ukrainase, dhe kërcënimeve të maskuara të presidentit rus, Vladimir Putin, lidhur me mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore.

Deputetët e Parlamentit estonez votuan me 88 vota për, asnjë kundër dhe tri abstenime për deklaratën, në të cilën thuhet se shteti “nuk do të njohë kurrë shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës përmes agresionit dhe referendumeve të rreme”.

“Parlamenti shpall Rusinë regjim terrorist dhe Federatën Ruse shtet që mbështet terrorizimin, veprimet e së cilës duhet të kundërshtohen. Parlamenti i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të miratojë deklarata të ngjashme”, u tha në njoftim.

“Regjimi i Putinit, me kërcënimet për sulm bërthamor, e ka shndërruar Rusinë në kërcënimin më të madh ndaj paqes në Evropë, por edhe në mbarë botën”, u shtua në njoftim.

Në deklaratën e miratuar po ashtu u shpallën organizata terroriste separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonet lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut, por edhe grupin e mercenarëve Vagner, që po ashtu operon në Ukrainë.

Ligjvënësit në Estoni po ashtu kanë mbështetur idenë që Rusisë t’i largohet statusi i anëtares së përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe po ashtu i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe aleates së saj Bjellorusisë, lidhur me luftën e Moskës kundër Ukrainës.

Më herët gjatë gushtit, Letonia e cilësoi Rusinë si shtet që mbështet terrorizmin, duke përmendur si arsye pushimin e paprovokuar të Moskës dhe aktivitetet e saj ushtarake në Siri, si dhe disa raste të helmimeve të kritikëve të Kremlinit. Ky i fundit mohon se qëndron pas helmimeve.

Ish-gazetari i Kremlinit del haptas kundër Putinit, befason me deklaratën për presidentin rus

Vladimir Putin është një president racional. Ai thjesht gjykoi gabimisht, por shpresoj se e kishte me shaka – këtë e tha presidenti amerikan Joe Biden për CNN javën e kaluar. Gazetari rus dhe autori bestseller Dmitry Glukhovsky e kundërshton këtë vlerësim. "Nuk ka asnjë arsye racionale për këtë luftë. Lufta është e dëmshme për Rusinë, për Evropën dhe veçanërisht për Ukrainën", thotë ai.

Pas 20 vjetësh në pushtet, Putin po kërkon vendin e tij në histori - në një mënyrë për të përjetësuar regjimin e vetë, pas vdekjes së tij.

Gjatë kohës së tij në Russia Today, kanalin televiziv pro-qeveritar rus, Glukhovsky është takuar shumë herë personalisht me shefin e Kremlinit. Putini nuk ka nxjerrë kurrë ndonjë magji të veçantë, thotë gazetari sot, njerëzit thjesht projektuan shumë mbi të. "Ai është trupshkurtër. Ndoshta 1.65 metra i gjatë. Kameramanët duhej ta filmonin gjithmonë në nivelin e lartësisë së syve, në mënyrë që shikuesit të mos e shihnin se sa i vogël që është."

Si një ish-njeri i KGB-së, Putini është thellësisht paranojak. Për shkak se zgjedhjet gjithherë i ka manipuluar. Ai nuk ka legjitimitet të drejtpërdrejtë nga populli. "Kjo është arsyeja pse ai ende duhet të provojë veten."

Por është propaganda ajo që e bën Putinin atë që sot është. Ai është pjesë e sistemit, pjesë e mafies. Rolin më të rëndësishëm për te e luan televizioni, thotë Glukhovsky. "Nëse kontrolloni televizionin, ju kontrolloni të paktën një të tretën e popullsisë ruse." Të gjitha mesazhet janë gjithmonë të koordinuara drejtpërdrejt me administratën. "Por rusët e dinë situatën reale në vijën e parë. Kushdo që është i interesuar do ta zbulojë të vërtetën disi."

Përgjegjës për propagandën janë kryesisht ish-gazetarët demokratë, që janë asimiluar në shtetin rus: “Nuk besoj për asnjë sekondë që ata vetë i besojnë  gënjeshtrat e tyre”. Por këta njerëz duhet të mbështesin Putinin dhe qeverinë, beson Glukhovsky. Sepse pas vdekjes së pashpjegueshme të disa personalitete nga mjedisi i drejtpërdrejtë i Presidentit, shumica pastaj kanë frikë prej tij. Putin dikur tha se një tradhtar është më i rrezikshëm se një armik. "Putini pra nuk do ta falë diken, të cilin ai e quan tradhtar".

​Milanoviq: Nuk do ta miratoj stërvitjen e ukrainasve në Kroaci

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka marrë pjesë sot në inaugurimin ceremonial të rektorit të Universitetit të Zagrebit, Stjepan Lakushiq.

Në një deklaratë për mediat pas ngjarjes, ai ndër të tjera tha se do të ishte kundër idesë së trajnimit të ushtarëve ukrainas në Kroaci.

"Unë nuk e mbështes këtë ide sepse nuk e mbështes përfshirjen e Kroacisë në këtë luftë më shumë seç duhet. Ne jemi të saktë, jemi solidarë dhe kaq. Përtej kësaj, jo. Si komandant i përgjithshëm, Nuk do ta miratoj, nuk kam dëgjuar për propozimin, por paraprakisht e them se nuk më pëlqen, po i sjell luftë Kroacisë”, ka thënë Milanoviq.

"Unë them paraprakisht - të mos shkojmë për këtë. Dhe për gjithçka që planifikojmë të dhurojmë, nuk kam asnjë ndikim. Këto janë fonde materiale, që i përcakton qeveria. Unë e mbështes këtë vetëm nëse do të marrim shumë qartë zëvendësimin. fondet. Unë nuk mund të mbështes privimin e gjakut nga mbrojtja kroate. Mbrojtja e Kroacisë vjen së pari, pastaj asgjë për një kohë të gjatë, pastaj NATO dhe pastaj të tjerët", shtoi ai.

Vjen përmbysja e madhe e luftës në Ukrainë, gjithçka ndryshoi më 8 tetor, këto janë kurthet në të cilat është futur Vladimir Putin

Pas shpërthimit të urës së Kerçit, Vladimir Putin, urdhëroi që Ukraina të bombardohej me raketa me rreze të gjatë veprimi. Megjithatë, shkencëtari politik dhe eksperti i komunitetit të inteligjencës ruse, Mark Galeotti, pohon në një artikull për The Times se kjo taktikë e re e Putinit tregoi se presidenti rus u kap në një seri prej shtatë kurthesh, ushtarake dhe politike që ai kishte vendosur vetë.

Një kurth në fushën e betejës

Aktualisht ukrainasit kanë iniciativën dhe do të përdorin forcat e tyre në këto javë të fundit të vjeshtës për të fituar sa më shumë hapësirë, veçanërisht në rajonin Kherson në jug të vendit. Rezervistët rusë të mobilizuar së fundmi, por të patrajnuar dhe të pamotivuar po mbërrijnë ngadalë në fushën e betejës. Në rastin më të mirë, ata nuk do t’i lejojnë ukrainasit të thyejnë linjat e mbrojtjes ruse. Nuk mund të pritet që ata të nisin ofensiva të reja. Ushtria ruse vështirë se do të përfitojë fare nga goditja me raketa e qyteteve të Ukrainës, por vetëm do të përdorë rezervat e saj të municionit, të cilat po pakësohen çdo ditë dhe do të jetë e vështirë për t’u rimbushur. Vlerësohet se Rusia ka “skuqur” më shumë se gjysmën e arsenalit të saj dhe më shumë se 80 për qind të rezervave të raketave të saj të fuqishme balistike Iskander.

Një kurth politik

Përdorimi pa kriter i raketave zemëroi gjithashtu drejtuesit rajonalë në zonat e të cilëve ndodhen fabrikat e këtyre raketave. Meqenëse Putin urdhëroi mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve, ata po bëjnë gjithçka për të mbajtur ekspertët e tyre në fabrika. Granatimet brutale të fundit të qyteteve të Ukrainës janë përgjigja e Putinit ndaj kritikave ndaj ushtrisë nga disa aktorë me ndikim rusë. Me këto sulme, Putini tregoi se është ende i njëjti njeri i fortë që pretendon të jetë. Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, një nga përkrahësit më të zëshëm të pushtimit të Ukrainës, tani është një nga kritikët më të zëshëm të Ministrit të Mbrojtjes së Federatës Ruse, Sergei Shoigu , dhe zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë rusë. Kadyrov i quajti ata injorantë dhe bashkëpunëtorë dhe bëri thirrje për të sulmuar Ukrainën me armë bërthamore. Putin dikur mund të pozicionohej mes teknokratëve të moderuar dhe ekstremistëve. Tani, megjithatë, ai është bllokuar.

Kurthi i kontratës sociale

Kur Putini aneksoi pjesë të Ukrainës muajin e kaluar, madje edhe territorin që trupat e tij nuk kontrollonin, dhe më pas urdhëroi një mobilizim të pjesshëm të rezervistëve, ai shkeli dy kontrata sociale të lidhura me pushtimin. Rusëve të zakonshëm iu premtua de fakto se nuk do të vuanin shumë për shkak të luftës së Putinit. Kjo nuk është më e vërtetë. Mobilizimi do të thotë se çdo familje është nën sulm dhe këto familje kanë filluar të ndjejnë pasojat e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës nga Perëndimi për shkak të luftës. Putin kishte bërë gjithashtu një marrëveshje të heshtur me liderët rajonalë dhe krerët e institucioneve kryesore. Nëse sigurohen që në “çifkat” e tyre të mos shpërthejë telashe dhe të tregojnë pak entuziazëm ushtarak, atëherë askush nuk do t’i detyrojë të shfaqen si shërbëtorë të Moskës. Megjithatë, këta udhëheqës tani po rebelohen. Mobilizimi dhe masat shtrënguese ndikuan gjithashtu në këtë marrëveshje. Moska tani po u kërkon udhëheqësve rajonalë të bëjnë punë të pista.

Kurthi i tërheqjes

Çdo udhëheqës rus kujdeset për këto rajone. Pasi u bë president në vitin 1999, Putin përdori politika të mençura për të sjellë rend në vendin kaotik që mori në dorë. Falë luftës dhe manipulimeve të afta politike, drejtuesit e rajonit filluan ta dëgjojnë atë. Megjithatë, Kremlini tani duhet t’u kërkojë këtyre liderëve lokalë dhe rajonalë më shumë sesa mendojnë se mund të japin, në një kohë kur ata ndihen mjaft të fortë për t’i bërë ballë atij dhe për të mbrojtur interesat e tyre. Raporti i brendshëm i Komitetit Hetues të Federatës Ruse tregoi se elitat rajonale kanë përvetësuar më shumë fonde kohët e fundit. Në raport thuhet se këta “sherifë” vendas janë më shumë të shqetësuar për nevojat e tyre, sesa për ato kombëtare, të cilat duhet të kenë përparësi në këtë moment. Për të siguruar veten, këta liderë lokalë dyshohet se krijojnë aleanca me biznesmenë rajonalë dhe organizata kriminale.

Shtohen tensionet/ SHBA i përgjigjet 'dhëmbë për dhëmbë' Rusisë dhe i dërgon ultimatum të prerë

Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët e saj, do të vazhdojnë të ndëshkojnë Rusinë me sanksione dhe kufizime të tjera për krimet e luftës dhe mizoritë e saj në Ukrainë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha se Rusia do të mbajë përgjegjësi për krimet e luftës.

“Ne do të vazhdojmë t’i imponojmë kostot Rusisë, ta mbajmë përgjegjëse për krimet e saj të luftës, siç kemi folur – ju keni dëgjuar drejtpërdrejt nga Presidenti për pjesën e krimeve të luftës – dhe mizoritë e saj, dhe duke i ofruar Ukrainës siguri, ekonomike dhe ndihmë humanitare”, tha ajo.

Ajo shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmet e fundit me raketa në Ukrainë, “të cilat vazhdojnë të demonstrojnë brutalitetin e Putinit.”

Jean-Pierre tha se SHBA do të vazhdojë të qëndrojë me popullin e Ukrainës për aq kohë sa të duhet.

“Po ulet në dy karrige”, deputeti ukrainas “godet” Vuçiqin: Të jetë i kujdesshëm!

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Deputeti i Parlamentit të Ukrainës Oleksiy Goncharenko, ka akuzuar Serbinë se po përpiqet të ulet në dy karrige, duke mos i vendosur sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë.

Goncharenko ka thënë ekskluzivisht për gazetën “Bota sot” se Aleksandar Vuçiq po mbështet Vladimir Putinin, por në të njëjtën kohë bën edhe deklarata për afrim me Evropën.

Sipas tij, Vuçiq duhet të jetë shumë i kujdesshëm për raportet me Rusinë.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat