LIVE: Rusët kundër Putinit - SHBA jep alarmin: Ka prova të pranisë së forcave iraniane në këtë qytet të Ukrainës

Bota

LIVE: Rusët kundër Putinit - SHBA jep alarmin: Ka prova të pranisë së forcave iraniane në këtë qytet të Ukrainës

Nga: Bota sot Më: 20 tetor 2022 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 23:37 më 20.10.2022
Një dron lëshohet nga një anije luftarake në Iran, 25.08.2022.

​Von Cramon: Putin dhe Lukashenko më shumë se njësoj, duhet të përgjigjen në të njëjtën gjykatë

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka ngrehur një paralale mes presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe presidentit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, duke thënë se këta të dy janë më shumë se njësoj.

Von Cramon përmes një cicërime në Twitter ka thënë se Putin dhe Lukashenko duhet të kenë të njëjtin fat, duke u përgjigjur në të njëjtën gjykatë.

“Duke terrorizuar vendin e tij, duke gënjyer për përfshirjen e tij në luftë dhe duke pretenduar se dëshiron vetëm më të mirën për popullin e tij:

#Lukashenko dhe #Putin janë më shumë se njësoj.

Ata duhet të kenë të njëjtin fat dhe të përgjigjen në të njëjtën gjykatë.

Ne kemi nevojë për një Tribunal Ad Hoc për të ngritur menjëherë akuzat!”, ka shkruar ajo. 

SHBA-ja ka prova të pranisë së forcave iraniane në Krime

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se SHBA-ja ka prova se trupat iraniane janë "të angazhuara drejtpërdrejt në terren" në rajonin e Krimesë duke mbështetur sulmet ruse me dronë mbi infrastrukturën e Ukrainës dhe popullsinë civile.

Zëdhënësi i këshillit të sigurisë kombëtare, John Kirby u tha gazetarëve se Irani ka dërguar një "numër relativisht të vogël" personeli në Krime, në gadishullin e aneksuar në mënyrë të njëanshme nga Rusia në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar në 2014-n, për të ndihmuar trupat ruse në lëshimin e dronëve të prodhuar nga Irani kundër Ukrainës.

“Informacioni që kemi është se iranianët kanë vendosur staf dhe ofrojnë mbështetje teknologjike në Krime, por janë rusët ata që po bëjnë pilotimin e dronëve”, tha Kirby.

Shtetet e Bashkuara zbuluan për herë të parë këtë verë se Rusia po blinte mjete ajrore iraniane (pa pilot) për të sulmuar Ukrainën. Irani i ka mohuar pretendimet që i ka shitur municionet e saj Rusisë.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Irani mund të ketë dislokuar personel ushtarak për të ndihmuar rusët pjesërisht për shkak të mungesës së njohurive të rusëve me dronët e prodhuar nga Irani. Informacione të inteligjencës treguan se rusët u përballën me probleme teknike me dronët iranianë menjëherë pas dorëzimit të armëve në gusht.

"Vetë sistemet nuk po performonin sipas standardeve që me sa duket klientët prisnin," tha Kirby. "Kështu që iranianët vendosën të transferojnë disa teknikë për t'i ndihmuar rusët t'i përdorin ato me një rezultat më të mirë."

Administrata Biden publikoi detaje të mëtejshme në lidhje me përfshirjen e Iranit në luftën e Rusisë në Ukrainë. Administrata ka vendosur sanksione të reja kundër Iranit lidhur me shtypjen brutale të qeverisë ndaj protestës antiqeveritare në javët e fundit, të nxitura nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgimin e sigurisë iraniane./REL

Rusët në Ukrainë po përgatiten të ndihmojnë në rrëzimin e Putinit – thotë njeriu i vetëm që votoi kundër aneksimit të Krimesë më 2014

Luftëtarët vullnetarë rusë që luftojnë me bashkatdhetarët e tyre në Ukrainë mund të jenë një pararojë në një revolucion të ardhshëm për të rrëzuar Vladimir Putinin, ka thënë një lider i shquar i opozitës.

Ilya Ponomarev – një anëtar i parlamentit rus nga viti 2007 deri në 2016 dhe i vetmi që votoi kundër aneksimit të Krimesë në 2014 – i tha Newsweek se Putini ka vendosur terrenin për një “revolucion të ri rus” me një pushtim të plotë të Ukrainës.

“Në situatën tonë, mendoj se është e domosdoshme që ne të përballemi me një protestë të dhunshme dhe një protestë të armatosur, mendoj se nuk do të ndodhte pa rezistencë të armatosur”, citohet të ketë thënë Ponomarev.

“… Kjo është arsyeja pse ne po përgatitemi për këtë dhe kjo është arsyeja pse ne po përgatisim elementë ushtarakë me rusët tani në Ukrainë, të cilët po luftojnë së bashku me ushtrinë ukrainase në vijën e frontit … ata janë gati për të shkuar në Rusi në momentin vendimtar”.

Ponomarev – autor i “A duhet të vdesë Putini?: Historia se si Rusia bëhet demokraci pas humbjes në Ukrainë” – jeton në Ukrainë dhe shërbeu në një njësi që mbron vendin gjatë ditëve të para të pushtimit.

Madje ai ka thënë se janë rreth 4,000 shtetas rusë që shërbejnë në forcat e armatosura të Ukrainës.

Ponomarev u bë i njohur në fillim të këtij viti duke “prezantuar” grupin gueril anti-qeveritar të Ushtrisë Republikane Kombëtare të panjohur më parë, i cili mori përgjegjësinë për vrasjen e Darya Dugina, vajzës së ideologut me ndikim të së djathtës ekstreme Aleksandr Dugin.

NRA – për të cilën nuk ka pasur asnjë verifikim të pavarur – nuk janë i vetmi grup gueril që vepron në Rusi, tha Ponomarev.

NRA, tha ai, “nuk janë të vetmet me të cilat po punojmë, unë po flas shumë aktivisht me të tjerët”.

Duke folur për zhvillimet në Rusi, ai ka thënë se Rusia nuk është ende në prag të revolucionit – por nuk është larg.

“Unë mendoj se do të ndodhë vitin e ardhshëm”, parashikon ai.

Rënia e Putinit, kur të vijë, do të mbahet mend si e vetëshkaktuar, shtoi politikani.

“Nuk e mendoja se ai do të pushtonte Ukrainën dhe do ta vinte veten në një rrezik të tillë vdekjeprurës. Sapo filloi më 24 shkurt, thashë se ka filluar numërimi përfundimtar”.

“Humbjet territoriale do të kishin shumë ndikim”, ka shtuar ai. “Tërheqja nga rajoni i Kharkivit pati efektin e vet në shoqëri dhe kjo ishte në fakt arsyeja e mobilizimit… Humbja e Khersonit do të kishte një ndikim edhe më të madh”.

Elitat aktuale që rrethojnë Putinin, tha ai, nuk duhet të lejohen të jenë pjesë e Rusisë së re.

“Shumica e tyre nuk duan të ndryshojnë asgjë”, vlerëson Ponomarev.

Megjithatë, Ponomarev paralajmëroi se kolapsi total i Rusisë do të ishte “i rrezikshëm dhe kundërproduktiv për të gjithë”, megjithëse shtoi se republikat si Çeçenia mund të bëjnë lojëra për pavarësi.

“Ne duhet të rikrijojmë Rusinë”, tha ai. “Ne duhet ta rindërtojmë atë nga e para”.

Ministri ukrainas i Energjisë: Për 10 ditë, Rusia ka nisur 300 sulme në sistemin energjetik të Ukrainës

Ministri i Energjisë i Ukrainës, Heram Halushchenko ka thënë se Rusia ka nisur rreth 300 sulme në sistemin energjetik të vendit që nga 10 tetori.

Halushchenko tha se qeveria po kërkonte një reduktim prej 20 për qind në përdorimin e energjisë dhe u shpreh se ukrainasit i ishin përgjigjur një apeli për të kufizuar përdorimin e tyre të energjisë, shkruan Sky News.

“Ne shohim një rënie të konsumit dhe një ulje vullnetare. Por, kur nuk mjafton ne jemi të detyruar të bëjmë mbyllje të detyruar”, tha ajo.

Ndërkohë, Rusia thotë se ka vazhduar të godasë objektiva ushtarak dhe energjetik në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit.

Ushtarët rusë goditen me precizitet të paparë nga predhat që binin nga droni ukrainas

Njësitë e profesionalizuara për drejtimin e dronëve pranë ushtrisë ukrainase, janë bërë makth për rusët.

Ata çdo ditë po arrijnë të neutralizojnë shumë njësi të rusëve, mjete ushtarake qofshin ato të lehta apo të rënda.

Me raste ata i godasin forcat pushtuese edhe kur janë jashtë mjeteve të tyre të blinduara. Një i tillë është dokumentuar së fundmi.

Derisa dhjetëra ushtarë të Moskës po fshiheshin brenda istikameve, një dron i vëzhgoi për pak çaste dhe më pas filloi t’i sulmojë.

Nga droni filluan të bien predha që me precizitet të paparë përfundonin pikërisht brenda istikameve – duke i goditur direkt ushtarët që fshiheshin.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, që të gjithë ushtarët rusë që ishin brenda istikameve janë vrarë. 

Instituti për Studimin e Luftës: Rusët planifikojnë të shkatërrojnë hidrocentralin dhe të akuzojnë ukrainasit

Instituti për Studime të Luftës (ISW) ka publikuar raportin më të fundit, ku thuhet se rusët po përgatiten për të ashtuquajturën “false flag” sulm mbi hidrocentralin Kakovska në qytetin e Khersonit.

ISW në raportin më të fundit, thekson se Moska po beson se “shembja e digës do të mund të mbulonte tërheqjen e tyre nga ana e djathtë e bregut të lumit Dnipro, dhe të parandalojë apo ngadalësojë avancimin e ukrainasve nëpërmjet këtij lumi. E për këtë sulm planifikon të akuzojë forcat ukrainase”.

Autoritetet ruse mbrëmë kanë njoftuar se kanë marrë “informacione që Kievi planifikon të sulmojë digën, dhe të shkaktojë përmbysje” në Kherson

“Rusët përdorin paralajmërime të tilla me pretekstin për të kryer sulmin mbi hidrocentralin Kakovk, dhe të fajësojnë ukrainasit për tërë dëmet e shkaktuara dhe humbjen e jetëve të njerëzve, dhe të njëjtën kohë ta shfrytëzojë përmbysjen për të mbuluar tërheqjen e forcave ruse në jug”, thuhet ndër tjera në raportin e ISË-së.

“Kremlini do të mund të përdorte një “false flag” sulm të tillë për të shmangur turpin për humbjen e tretë me radhë të forcave ruse në këtë rajon. Një sulm i tillë gjithashtu do të mundësonte përhapjen e informacioneve të rreme që e përshkruajnë Ukrainën si shtet terrorist, që ka për objektiv të sulmojë civilët”, është thënë në fund të këtij raporti.

Avioni rus lëshon raketë pranë avionëve të Mbretërisë së Bashkuar mbi Detin e Zi

Një raketë u lëshua nga një avion rus pranë një avioni të paarmatosur të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar (RAF), gjatë një patrulle mbi Detin e Zi.

Lidhur me ngjarjen, sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se incidenti “potencialisht i rrezikshëm” ndodhi më 29 shtator në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Autoritetet ruse thanë se incidenti ndodhi si rezultat i një “mosfunksionimi teknik”, shkruan BBC.

Patrullat e Mbretërisë së Bashkuar mbi Detin e Zi ishin pezulluar, por tani ata rifilluan punën duke u shoqëruar edhe me një avion luftarak, pas përgjigjes së Rusisë.

Gjithashtu, Wallace u tha deputetëve se Britania nuk po e trajtonte incidentin si një “përshkallëzim të qëllimshëm” i luftës në Ukrainë nga forcat ruse.

Ai shtoi se kjo duhet të shërbejë si “kujtues se sa të rrezikshme mund të jenë gjërat kur zgjidhni të përdorni luftëtarët tuaj në mënyrën që rusët kanë bërë në shumë raste dhe periudha kohore”.

Scholz: Taktikat e tokës së djegur nuk do t’i ndihmojnë Putinit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë të enjten se presidenti rus, Vladmir Putin, është duke përdorur energjinë dhe krizën e urisë si armë, mirëpo ka dështuar që të thyejë unitetin e Perëndimit, dhe nuk do të arrijë synimet e tij përmes taktikave për djegie të tokave.

Duke folur para Parlamentit gjerman, ai ka thënë se Gjermania e ka liruar veten nga varësia në gazin rus, mirëpo është duke punuar në uljen e çmimeve, përfshirë sigurimin e kontratave të reja për furnizim me gaz nga shtetet tjera.

Ushtria ruse e ka dëmtuar rëndë infrastrukturën e energjisë në Ukrainë ditëve të fundit, duke nxitur autoritetet ukrainase që të vendosin kufizime në konsum të rrymës, për herë të parë prej nisjes së luftës.

Rusia, në anën tjetër, e ka mohuar se shënjestron civilët.

“Ne nuk do ta lëmë pa përgjigje përshkallëzimin e fundit të Moskës… taktikat e tokës së djegur nuk do t’i ndihmojnë Rusisë që të fitojë luftën. Ne vetëm do të vazhdojmë forcimin e unitetit dhe vendosmërinë e Ukrainës e të partnerëve të saj”, ka thënë Scholz para Parlamentit gjerman.

“Të gjitha gënjeshtrat dhe propaganda, bisedimet për ‘operacione speciale’ dhe fitoret e shpejta – të gjitha janë fasadë”.

Më 20 tetor, kompania ukrainase e rrjetit energjetik, Ukrenergo, u ka bërë thirrje banorëve që të “mbushin të gjitha bateritë” para nisjes së kufizimeve në furnizim me energji, duke paralajmëruar edhe për ndërprerje totale të energjisë, nëse nuk kursehet rryma.

Oleksandr Kharchenko, këshilltar në Ministrinë e Energjisë, ka thënë më 19 tetor se, sipas të dhënave të reja, rreth 40 për qind e infrastrukturës totale është dëmtuar seriozisht.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

​Putin i dhuron vodkë Berlusconi-t, KE thotë se u shkelën sanksionet

Njëzet shishe vodka të dërguara nga presidenti rus Vladimir Putin për politikanin italian Silvio Berlusconi shkelin sanksionet evropiane të vendosura për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, njoftoi Komisioni Evropian.

Ish-kryeministri Berlusconi, partia e të cilit Forza Italia do të jetë pjesë e qeverisë së re të koalicionit, ndezi polemika këtë javë duke thënë se ai ishte përsëri në kontakt me Putin.

"Për datëlindjen time, ai më dërgoi 20 shishe vodka dhe një letër shumë të bukur," u tha Berlusconi (86) ligjvënësve të tij, sipas një regjistrimi audio të transmetuar nga agjencia e lajmeve LaPresse.

Sanksionet evropiane të vendosura në prill, përfshijnë ndalimin e importit të alkoolit rus, përfshirë vodkën, tha KE, duke shtuar se nuk ka përjashtime kur bëhet fjalë për dhuratat.

Por i takon shteteve anëtare të zbatojnë këto sanksione dhe nuk dihet nëse autoritetet italiane do të ndërmarrin ndonjë masë në këtë drejtim.

​Sanksione të reja ndaj Iranit për shkak të dërgimit të dronëve në Rusi

Anëtarët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për masa të reja kundër Iranit për shkak të dërgimit të tij të dronëve në Rusi, njoftoi Republika Çeke si kryesuese e BE-së.

“Vendet e BE-së kanë vendosur të ngrijnë asetet e tre individëve dhe një entiteti përgjegjës për dërgesat me dron dhe ka një gatishmëri për të shtrirë sanksionet ndaj katër subjekteve të tjera iraniane, të cilat tashmë ishin në listën e mëparshme të sanksioneve”, u njoftua në Twitter.

Javën e kaluar, Këshilli i BE-së në nivelin e ministrave të jashtëm shtoi 11 individë dhe katër subjekte nga Irani në listën e atyre që i nënshtrohen masave kufizuese.

Kjo lidhet me rolin e tyre në reagimin e dhunshëm ndaj demonstratave të fundit në Iran për vdekjen e Mahsa Amini.

Bëhet fjalë për ata që, siç njofton BE-ja, janë përgjegjës për vdekjen e Mahsa Amini, përkatësisht Policia e Moralit iranian dhe dy përfaqësues të tyre. Mohammad Rostami dhe Hajahmad Mirzaei.

BE gjithashtu vuri në dukje ministrin iranian të teknologjive të informacionit dhe komunikimit, Isa Zarepour, dhe përgjegjësinë e tij për mbylljen e internetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat