Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka deklaruar se situata në Ukrainë po përkeqësohej me shpejtësi. Në një komunikim me homologun francez, Sebastien Lecornu, Shoigu tha se po priste që situata të shkojë drejt “përshkallëzimit të pakontrolluar”.
Ministri rus vuri në dukje se Moska kishte shqetësime që Ukraina mund të përdorte një “bombë të pistë” në konflikt, megjithatë nuk ka dhënë provat se ku e mbështeste një sugjerim të tillë.
“Ata diskutuan situatën në Ukrainë e cila po përkeqësohet me shpejtësi. Po priret drejt përshkallëzimit të mëtejshëm të pakontrolluar”- tha Shoigu, citon ministria e Mbrojtjes.
Vlen të theksohet se e ashtuquajtura “bombë e pistë”, përdor në ndërtimin e saj eksplozivë konvencional të lidhur me material radioaktiv.
Sidoqoftë, Ministria ruse e Mbrojtjes nuk dha asnjë informacion të mëtejshëm rreth kësaj çështje.
Pretendimi i Rusisë vjen në kohën kur lufta e tyre në Ukrainë prej muajsh nuk po ecën sikurse ishte planifikuar nga Moska. Përparimi i ushtrisë ruse pësoi lëkundje në fillim, ndërkohë tanimë të kërcënuara nga forcat ukrainase, ato kanë kaluar pjesërisht në mbrojtje.
Në një përditësim të fundit, autoritetet ukrainase kanë thënë se që nga 24 shkurti deri më 23 tetor, Forcat e Armatosura të Ukrainës eliminuan rreth 67,470 pushtues rusë.
Sipas një raporti të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës të postuar në Facebook, mbrojtësit ukrainas shkatërruan 2,584 (+5 gjatë ditës së kaluar) tanke ruse, 5,284 (+18) automjete të blinduara të personelit, 1,667 (+14) sisteme artilerie, 374 (+1) MLRS, si dhe 189 sisteme luftarake kundërajrore.
Veç këtyre, ata kanë shkatërruar 270 avionë rusë, 245 (+2) helikopterë, 1,361 (+20) UAV operativo-taktike, 350 (+21) raketa lundrimi, 16 luftanije/anije, 4,039 (+18) automjete dhe depozita karburanti dhe 148 njësi të pajisjeve speciale.