Gjykata ruse lë në fuqi dënimin me 9 vjet burg të sportistes amerikane

Bota

Gjykata ruse lë në fuqi dënimin me 9 vjet burg të sportistes amerikane

Më: 25 tetor 2022 Në ora: 20:10
Brittney Griner

Një gjykatë ruse ka hedhur poshtë një apel të yllit të basketbollit amerikan, Brittney Griner, kundër vendimit për dënimin e saj me nëntë vjet burg për posedim droge, një hap që mund ta afrojë atë drejt një shkëmbimi të mundshëm të të burgosurve mes Moskës dhe Uashingtonit.

Ylli i ekipit “Phoenix Mercury” të ligës amerikane të basketbollit për femra, e cila e ka fituar dy herë medaljen e artë olimpike me ekipin amerikan, u dënua më 4 gusht pasi policia ruse tha se kishte gjetur kanabis në cigaret elektronike në bagazhin e saj në një aeroport të Moskës.

Duke marrë parasysh trysninë në rritje ndaj administratës amerikane për ta sjellë në vend basketbollisten Griner, Sekretari amerikan i Shtetit njoftoi në korrik se Uashingtoni kishte bërë një propozim për kthimin e saj dhe amerikanit Paul Whelan, i cili po vuan një dënim me 16 vjet burg për spiunazh në Rusi.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken nuk ka dhënë më shumë hollësi për propozimin, por agjencia e lajmeve Associated Press dhe agjenci tjera lajmesh kanë raportuar se Uashingtoni ka ofruar në shkëmbim të dy shtetasve amerikanë lirimin e trafikantit rus të armëve, Viktor Bout, i cili po vuan një dënim me 25 vjet burg në SHBA dhe dikur njihej me nofkën “tregtari i vdekjes”.

Shtëpia e Bardhë ende nuk ka marrë një përgjigje të frytshme nga Rusia lidhur me këtë ofertë./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat