LIVE: Paralajmërimi i frikshëm i Rusisë, thotë se mund të godasë satelitët perëndimorë – A do ta takojë Biden Putinin?

Bota

LIVE: Paralajmërimi i frikshëm i Rusisë, thotë se mund të godasë satelitët perëndimorë – A do ta takojë Biden Putinin?

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 08:22 Përditësuar në ora: 23:01 më 27.10.2022
Joe Biden

Biden nuk e ka ndërmend të takohet me Putinin në G20

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden nuk ka ndërmend të kalojë kohë kokë më kokë me presidentin rus, Vladimir Putin kur të marrë pjesë në G20 në Bali të Indonezisë.

“Presidenti tha se nuk e ka ndërmend të ulet me Vladimir Putinin dhe ja ku jemi sot”, u tha gazetarëve John Kirby, koordinator i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA për komunikimet strategjike, në një konferencë jashtë kamerave të enjten.

Biden i tha më parë cnn se nuk e kishte në plan të takohej me Putinin, por kishte një rrethanë në të cilën ai mund ta merrte në konsideratë.

“Shiko, nuk kam ndërmend të takohem me të, por shiko, nëse ai do të vinte tek unë në G20 dhe do të thoshte, ‘Dua të flas për lirimin e Griner’, do të takohesha me të, por kjo do të varet”, tha ai.

Biden, tha Kirby, do të përqendrohet në aleancat dhe partneritetet gjatë udhëtimit, i cili vjen disa ditë pas zgjedhjeve afatmesme.

“Presidenti është krenar për punën që kemi bërë në të gjithë botën për të mbështetur aleancat dhe partneritetet… dhe unë mendoj se do ta shihni presidentin Biden të fokusohet në këtë”, tha Kirby.

Ndryshe, në muajin nëntor, do të mbahen disa takime në nivele ministrore dhe samite të grupeve të angazhimit të G20-s përpara mbajtjes së Samitit të Liderëve të G20-s, i cili do të mbahet më 15-16 nëntor të vitit 2022.

Shtëpia e Bardhë: Fjalimi i Putinit nuk tregon ndryshim të qëllimeve

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, ka bërë disa komente pas fjalimit vjetor të presidentit rus, Vladimir Putin, të mbajtur në Moskë.

Jean-Pierre është shprehur se fjalimi i sotëm i Putinit nuk tregoi ndonjë ndryshim në qëllimet e tij strategjike, shkruan Sky News.

Ndërkaq, Putin gjatë këtij fjalimi tha se Moska ishte gati për bisedime për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, por u shpreh se Kievi nuk ishte i përgatitur të ulet në tryezën e bisedimeve.

“Nuk bëhet fjalë për ne, ne jemi gati për negociata. Por liderët në Kievit vendosën të mos vazhdojnë negociatat me Rusinë. Është shumë e lehtë për të zgjidhur këtë problem nëse Uashingtoni i jep një sinjal Kievit për të ndryshuar pozicionin e tij dhe për ta zgjidhur problemin në mënyrë paqësore”, është shprehur ai.

Rusia paralajmëron se mund të godasë satelitët perëndimorë

Një zyrtar i lartë i qeverisë ruse foli mbi mundësinë që Moska të rrëzojë satelitët komercialë perëndimorë që sikurse tha, po përdoreshin për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Ukrainës. Paralajmërimi vjen ndërsa Rusia po vazhdon fushatën e saj të bombardimit të infrastrukturës jetike ukrainase.

Ky kërcënim, nëse bëhet realitet, në mënyrë të pashmangshme do të nxiste frikën për përshkallëzim të konfliktit dhe rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Perëndimit.

Deri tani nuk ka patur asnjë reagim nga Shtetet e Bashkuara apo kompanitë ofruese të satelitëve komercialë.

Konstantin Vorontsov, një zyrtar i lartë i ministrisë së jashtme ruse, tha se përdorimi i satelitëve perëndimorë për të ndihmuar operacionet ushtarake të Ukrainës ishte "një prirje jashtëzakonisht e rrezikshme".

"Infrastruktura pothuajse civile mund të jetë një objektiv legjitim për një sulm hakmarrës", i tha ai një strukture të Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se përdorimi i satelitëve të tillë nga Perëndimi për të mbështetur Ukrainën ishte "provokues".

“Po flasim për përfshirjen në një konflikt të armatosur të komponentëve të infrastrukturës hapësinore civile, përfshirë atë komerciale, nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj”, tha zoti Vorontsov.

Ai nuk përmendi ndonjë kompani specifike satelitore, megjithëse në fillim të këtij muaji Elon Musk tha se kompania e tij ‘SpaceX’ do të vazhdojë të financojë shërbimin e internetit Starlink në Ukrainë, duke nënvizuar atë që e quajti, nevojë për të kryer "vepra të mira".

Rusia ka një aftësi të konsiderueshme sulmuese hapësinore, sikurse Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 2021, Rusia lëshoi një raketë anti-satelitore për të shkatërruar një nga satelitët e saj.

Në muajin gusht Moska akuzoi Shtetet e Bashkuara për përfshirje të drejtpërdrejtë në luftë pasi Vadym Skibitsky, zëvendës kreu i zbulimit ushtarak të Ukrainës, i tha gazetës britanike ‘Telegraph’ se Kievi po përdorte sistemet HIMARS, të furnizuara nga SHBA, duke u bazuar në ato që ai i quajti imazhe satelitore të shkëlqyera dhe informacione në kohë reale.

Imazhet satelitore të zonës së konfliktit të kapura nga kompanitë komerciale satelitore amerikane, publikohen çdo ditë në Twitter nga ekspertë të zbulimit, të cilët vënë në pah koordinatat që dëshmojnë dobësi të mundshme ushtarake të trupave ruse./VOA

“Rend i ri”, Putin me gjuhë të ashpër: Kemi hyrë në dekadën më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore

Bota përballet me “ndoshta dekadën më të rrezikshme” që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ka paralajmëruar presidenti rus Vladimir Putin.

Në një fjalim të gjerë në Moskë, ai kërkoi të justifikonte pushtimin rus të Ukrainës, një lëvizje që e ka lënë vendin e tij të izoluar ndërkombëtarisht.

Putin akuzoi gjithashtu Perëndimin për shantazh bërthamor kundër Rusisë për të detyruar aleatët të largohen nga Moska.

Perëndimi ka denoncuar kërcënimet e fundit të fshehta bërthamore nga Kremlini.

Në fillim të kësaj jave, aleanca ushtarake e NATO-s dënoi pretendimet e pabazuara të Rusisë se Ukraina mund të përdorte një “bombë të pistë” – eksplozivë konvencionalë të mbushur me material radioaktiv.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se anëtarët e aleancës “e hedhin poshtë këtë pretendim” dhe “Rusia nuk duhet ta përdorë atë si pretekst për përshkallëzim”.

Një ditë përpara fjalimit të së enjtes në forumin vjetor Valdai, udhëheqësi rus kishte mbikëqyrur stërvitjet rutinë bërthamore që përfshinin një sulm të supozuar bërthamor në hakmarrje për sulmin masiv bërthamor të armikut. “Ne kurrë nuk kemi thënë asgjë në mënyrë proaktive për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore nga Rusia. Ne i jemi përgjigjur vetëm me sugjerime komenteve të shprehura nga udhëheqësit e vendeve perëndimore,” i tha ai audiencës së tij.

Presidenti Putin veçoi ish-kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss për sugjerimin gjatë një fushate në gusht se do të ishte gati të shtypte butonin bërthamor nëse rrethanat e kërkonin atë. Ai tha se ishte i habitur që aleatët e Mbretërisë së Bashkuar nuk kundërshtuan: “Çfarë duhej të bënim? Heshtni? Pretendoni se nuk e dëgjuam?”

Ai përsëriti sulmet e tij të fundit ndaj Perëndimit dhe atë që ai e quajti “lojën e rrezikshme, të përgjakshme dhe të ndyrë” të mohimit të vendeve sovranitetin dhe veçantinë e tyre. “Dominimi i pandarë” i Perëndimit mbi çështjet botërore tani po i vinte fundi, pohoi ai.

“Ne jemi në një kufi historik. Përpara është ndoshta dekada më e rrezikshme, e paparashikueshme dhe në të njëjtën kohë e rëndësishme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.”

“Perëndimi nuk ishte më në gjendje të ishte në krye – por po përpiqej “me dëshpërim” ta bënte këtë.”

Ai tha se “një rend i ardhshëm botëror po formohet para syve” dhe akuzoi Perëndimin, të udhëhequr nga SHBA, se po përpiqet të shkatërrojë Rusinë. Asnjë provë nuk u dha për të mbështetur pretendimet e tij.

Putin nuk do armiqësi me NATO-n, tregon se çfarë do të ndodhë në Ukrainë

Vladimir Putin i është drejtuar kombit rus dhe mbarë opinionit ndërkombëtar duke pohuar se nuk kërkon armiqësi me vendet anëtare të NATO-s gjersa operacioni në Ukrainë është rezultat i ndryshimeve gjeopolitike tektonike.

Presidenti rus deklaroi se ka presion të vazhdueshëm mbi vendin e tij dhe se kërkon dialog.

“Ne përpiqemi të bashkëpunojmë me vendet e mëdha, por aty është NATO. Ne kemi një mesazh për NATO-n: le të mos jemi armiq, le të jetojmë në harmoni. Le të shkojmë në dialog, drejt paqes”, tha Putin.

“Ka presion të vazhdueshëm mbi ne. Cili është qëllimi? Qëllimi është ta bëjmë Rusinë të pambrojtur dhe ta bëjmë atë një mjet për të arritur qëllimet e tyre. Kjo është ajo, të gjithë janë një mjet. Dhe ata që nuk janë dakord, që nuk duan të jenë një mjet, kundër tyre po futen sanksione, kufizime ekonomike…”, tha Putin, raporton skynews.

“Kjo nuk do të kalojë për sa i përket Rusisë dhe nuk do të ketë kurrë. Rusia nuk sfidon elitat perëndimore. Rusia kërkon vetëm të drejtën e saj për t’u zhvilluar. Rusia nuk dëshiron të krijojë një botë bipolare, nuk dëshiron të sundojë botën ”, tha ai.

Ai pohoi se endi i ri botëror duhet të bazohet në ligj dhe drejtësi, “Rendi i ri botëror duhet të bazohet në ligj dhe drejtësi. Tregtia botërore duhet të jetë më e hapur dhe e ndershme”.

I pari i shtetit rus thotë se tregtia dhe financat botërore nuk duhet të varen nga një vend, “A është e mundur? Po. Perëndimi përdor dollarin si armë”.

Putin tha se operacioni në Ukrainë është rezultat i ndryshimeve gjeopolitike tektonike.

“Këto nuk janë ndryshime të reja në Ukrainë, ato kanë ndodhur prej vitesh. Ato pllaka tektonike po lëvizin vazhdimisht. Siç thonë ekspertët, në fillim gjithçka është shumë e qetë. Dhe pastaj ato pllaka hyjnë nën njëra-tjetrën, ka tensione, ka një tërmet”, tha Putin.

“Qendrat e reja të pushtetit po vijnë. Këto ndryshime po ndodhin për arsye objektive”, deklaroi ai, duke shtuar se disa qendra të pushtetit po zhduken.

“Të reja po shfaqen. Sidomos në Azi, por edhe në Afrikë. Afrika është një kontinent i varfër, por ka potencial”, pohoi ai.

Ai thotë se këto ndryshime tektonike rezultuan në ngjarje tragjike në Ukrainë.

“Ne nuk kemi faj për këtë”, tha Putin dhe shtoi se ato ndryshime do të ndodhin pavarësisht se çfarë bëjnë. “Këto procese janë të pakthyeshme”, shtoi ai.

Ai thotë se ukrainasit nuk i respektuan marrëveshjet e Minskut.

“Ndodhin disa gjëra që njerëzit nuk i shohin. Më në fund gjërat dalin në dritë, ato bëhen publike. Ne duhej të vendosnim se çfarë të bënim me Donbas. Njerëzit jetuan nën zjarr për tetë vjet, ata ende jetojnë nën zjarr. Kjo është arsyeja pse ne morëm hapin tjetër logjik, ne i përfshimë ata në Rusi sepse nuk do të kishin mbijetuar më vete. Ne respektuam vullnetin e tyre”, tha Putin.

“Ne nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të nisnim një operacion ushtarak. Opsioni tjetër ishte thjesht të prisnim. Le të kthehemi në vitin 2014”, pohoi ai dhe më pas përshkroi situatën në Ukrainë në vitin 2014.

“Këto territore ishin historikisht vendlindja e Rusisë. Ne ishim një komb, një gjuhë,” u kthye Putin në Mesjetë.

Putin tha se vazhdimisht mendon për ushtarët rusë që ranë në Ukrainë, por tha se Moska nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të nisë atë që Moska e quan “operacioni i saj special ushtarak”.

Putin tha se kostot e konfliktit – përfshirë ekonominë ruse – janë të pashmangshme dhe se Rusia po forcon sovranitetin e saj. Ai vazhdoi duke thënë se bota po përballet me dekadën më të rrezikshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Ai u pyet se cili ishte plani i të ashtuquajturit operacion ushtarak, “Qëllimi kryesor është të ndihmojmë Donbasin. Luhansku u çlirua. Ata njerëz jetonin si rusët, ne duhej të reagonim. Ishte logjike në atë moment. Qëllimi është një – të ndihmojmë njerëzit në Donbas”. 

Putin tregon dy zgjedhje që ka përpara vetes bota

Presidenti rus, Vladimir Putin e filloi fjalimin duke thënë se “nuk ka unitet” në Perëndim.

Ai tha se kishte pasur “disa hapa drejt përshkallëzimit” në muajt e fundit, raporton skynews.

“Ata po nxisin luftën në Ukrainë, duke përshkallëzuar provokimet rreth Tajvanit, duke destabilizuar tregjet botërore të ushqimit dhe energjisë”, shtoi ai.

“Sa i përket të fundit, nuk ishte e qëllimshme, nuk kemi dyshime për këtë, ishte për shkak të gabimeve të sistemit”, tha i pari i shtetit rus.

“Kjo lojë është e rrezikshme, vdekjeprurëse, e pistë”, tha Putin për atë që ai e quajti lojën e Perëndimit.

“Ata që vendosin rregullat mendojnë se të tjerët nuk kanë të drejtë në rrugën e tyre unike”, pohoi ai.

“Dëshiroj t’ju kujtoj propozimin rus për partnerët tanë perëndimorë. Ai u shty mënjanë”, deklaroi Putin.

“Njerëzimi ka dy zgjedhje: ose do të vazhdojmë me problemet që rëndojnë të gjithë ose do të punojmë së bashku. Unë besoj në sensin e përbashkët”, tha Putin dhe i bëri thirrje Perëndimit të punojë për një të ardhme të përbashkët me Rusinë.

Putin tha se ndryshimi i klimës nuk është më në krye të lajmeve. Por ky mbetet një problem. Udhëheqësi rus akuzoi gjithashtu Perëndimin se ka insistuar në pranimin e vlerave të reja “pa kushte” dhe se është “verbëruar nga kolonializmi”. 

Ministri i Jashtëm indian do të vizitojë Rusinë muajin e ardhshëm

Ministri i Jashtëm i Indisë Subrahmanyam Jaishankar do të vizitojë Rusinë për bisedime me homologun e tij në Moskë më 8 nëntor, tha ambasada ruse në Indi, përcjell Bota sot.

“Më 8 nëntor në Moskë, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov do të ketë bisedime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë Dr S.Jaishankar”, shkroi ambasada në Twitter, duke cituar Maria Zakharova, një zëdhënëse e ministrisë së jashtme të Rusisë.

“Ministrat do të diskutojnë gjendjen aktuale të marrëdhënieve dypalëshe dhe axhendën ndërkombëtare”, shtoi ambasada.

India dhe Rusia kanë pasur marrëdhënie të thella për dekada. Nju Delhi është larguar nga dënimi publik i Moskës për ofensivën e saj në Ukrainë, ndërsa importoi burime të lira të energjisë ruse në vlerë prej miliarda dollarësh gjatë konfliktit.

Vladimir Putin fillon fjalimin vjetor në Moskë

Presidenti rus, Vladimir Putin tani po mban fjalimin e tij vjetor në institutin “Valdai Discussion Club”, me bazë në Moskë.

Ai pritet që përmes këtij fjalimi të tregojë synimet e tij në lidhje me luftën e Ukrainës.

Ai filloi fjalimin duke thënë se nuk ka unitet në perëndim dhe se sipas tij ka pasur disa hapa drejt përshkallëzimit në muajt e fundit, shkruan Sky Neës.

“Ata po nxisin luftën në Ukrainë, duke përshkallëzuar provokimet rreth Tajvanit, duke destabilizuar tregjet botërore të ushqimit dhe energjisë. Për sa i përket të fundit, nuk ishte e qëllimshme, nuk dyshojmë që ishte për shkak të gabimeve sistematike”, është shprehur ai.

Më vonë pritet që Putimi t’u përgjigjet pyetjeve të cilat do t’i drejtohen atij.

Lufta në Ukrainë, BE-ja forcon ligjet për tregtinë e armëve

Bashkimi Evropian ka vendosur që të forcojë ligjet që rregullojnë tregtinë dhe transportin e armëve si një përpjekje për të parandaluar rënien e armëve në duart e bandave kriminale mes shqetësimeve se lufta në Ukrainë mund të rrisë përhapjen e armëve të paligjshme.

Komisioni Evropian vlerëson se rreth 35 milionë armë të paligjshme janë në duart e civilëve në të gjithë bllokun. Rreth 630.000 armë zjarri janë të listuara si të vjedhura në bazën e të dhënave të sigurisë dhe kufirit të BE-së.

Ky vendim i Komisionit Evropian përfshinë procedura më të qarta dhe të përbashkëta për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit dhe municioneve. Një sistem elektronik licencimi do të vihet në funksion për aplikimet e importit dhe eksportit për të zëvendësuar sistemet më të ngadalta të bazuara në letër që kanë shumica e vendeve.

Standarde më të rrepta do të vendosen për prodhimin e armëve alarmuese dhe sinjalizuese. Armët e tilla u konvertuan nga ekstremistët dhe u përdorën në sulmet e përgjakshme të Parisit në vitin 2015 dhe në vrasjen e stafit të revistës satirike franceze Charlie Hebdo.

Certifikatat e përdoruesit përfundimtarë do të kërkohen për lloje të caktuara të armëve të zjarrit për të siguruar që marrësi nuk planifikon t'i transferojë ato te dikush tjetër, duke ndihmuar në uljen e rrezikut që armët mund të shfaqen në tregun e zi.

Komisioni këmbëngul se masat nuk do të kufizojnë zotërimin e armëve dhe në fakt do të thjeshtojnë procedurat për gjuetarët dhe garuesit.

Komisionerja e Punëve të Brendshme, Ylva Johansson, u kërkoi vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian që t'i miratojnë ato me shpejtësi.

Johansson tha se një raport i agjencisë policore evropiane tregon se “grupet e organizuara kriminale po bëhen gjithnjë e më të dhunshme dhe se dhuna po bëhet gjithnjë e më vdekjeprurëse. Ky është një kërcënim për sigurinë tonë, për sigurinë tonë”,deklaroi ajo.

Propozimet e komisionit u hartuan shumë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në muajin shkurt të këtij viti, por Johansson tha se konflikti ka ngritur shqetësime pasi armët që u përdorën në luftërat që copëtuan ish-Jugosllavinë në vitet 1990 janë duke hyrë ende në Evropë.

“Sigurisht që unë i besoj ushtrisë ukrainase – ata me të vërtetë po i përdorin armët në mënyrën e duhur – por ne gjithashtu e dimë se lufta është një fatkeqësi për njerëzit, por është një mundësi për kriminelët, dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”, u tha Johansson gazetarëve në Bruksel./REL

Vagonët me naftë në Donetsk u bënë shkrumb e hi – shkaktarë të zjarrit ishin ‘ushtarët e dehur rusë’

Mëngjesin e ditës së enjte, vagonëve të naftës në një depo hekurudhe në Donetsk thuhet se iu është vënë zjarri.

Dhe sipas asaj që pretendon faqja e internetit “Nexta”, zjarri në depon hekurudhore në Donetsk nuk ishte ndonjë sulm nga forcat ukrainase.

Siç pretendon kjo faqe, ishin “ushtarët rusë të dehur” ata që ishin përgjegjës për shkaktimin e zjarrit.

Në reportazhin e “Nexta” thuhet se ushtarët që ruanin vagonët kanë ndezur një zjarr për t’u ngrohur, por ai është përhapur në vagona dhe ka shkaktuar një zjarr të madh.

Ndërkohë, siç raportojnë mediat, autoritetet e Donetskut njoftuan se zjarri ishte lokalizuar.

Nuk ka të dhëna zyrtare për dëmet e shkaktuara dhe lëndimet e mundshme në këtë incident.

Ndërsa “Nexta” bën me dije se dy ushtarët që morën pjesë në ngjarje janë transportuar në spital. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat