LIVE: Rreziku për armët bërthamore/ Vjen goditja e fortë për Rusinë, SHBA gati të kryejë transferimin e bujshëm

Bota

LIVE: Rreziku për armët bërthamore/ Vjen goditja e fortë për Rusinë, SHBA gati të kryejë transferimin e bujshëm

Nga: BOTA SOT Më: 28 tetor 2022 Në ora: 09:22 Përditësuar në ora: 15:00 më 28.10.2022
Foto ilustrim

​Gjermania: Rusia po kërcënon Evropën

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ka zhytur Evropën në një epokë pasigurie, tha presidenti gjerman të premten, një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin parashikoi një dekadë "të rrezikshme" përpara. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili i përket atij krahu të socialdemokratëve gjermanë që për një kohë të gjatë mbronin idenë e lidhjeve më të ngushta ekonomike me Moskën, tha se sulmi i 24 shkurtit i kishte shkatërruar këto shpresa.

"Kur shikojmë Rusinë e sotme, nuk ka vend për ëndrra të vjetra", tha zoti Steinmeier, duke iu referuar ëndrrës së ish-presidentit sovjetik Mikhail Gorbachev për një "shtëpi të përbashkët evropiane".

Sipas presidentit Steinmeier, Vladimir Putini ka zhytur Gjermaninë në një periudhë pasigurie duke shuar se përpara ndodheshin vite të vështira. Gjermania, e cila i është bashkuar sanksioneve evropiane kundër Rusisë e ka dërguar armë në Ukrainë, ka pritur më shumë se një milion refugjatë ukrainas.

Ndërkohë autoritetet kanë paralajmëruar për mungesa të mundshme të energjisë këtë dimër pas reduktimit nga ana e Moskës të furnizimit me gaz rus.

Duke iu drejtuar një konference në Moskë të enjten, zoti Putin hodhi poshtë mundësinë e një përplasjeje bërthamore me Perëndimin, por akuzoi udhëheqësit perëndimorë për nxitje të luftës në Ukrainë. Sipas presidentit rus, Moska nisi atë që quan operacion të posaçëm ushtarak nisur nga dëshira e shprehur e Kievit për t'iu bashkuar NATO-s.

SHBA sjell në Evropë “bishën atomike”, NATO përgatitet seriozisht për luftën bërthamore me Rusinë

Lufta bërthamore duket më afër se kurrë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nxjerrë “dhëmbët” për Rusinë. Kanë kaluar tetë muaj nga lufta në Ukrainë dhe SHBA është e shqetësuar për përshkallëzimin e konfliktit. Siç zbulohet nga Politico, Shtetet e Bashkuara kanë përshpejtuar planet për të vendosur një version më të përditësuar të bombave të tyre bërthamore të stacionuara në bazat e NATO-s në Evropë.

Një kabllogram diplomatik amerikan dhe burime të tjera të informuara citohen në mbështetje të këtij lajmi. Në veçanti, arma e përditësuar është bomba e gravitetit B61-12, e cila do t’u furnizohet detashmenteve në Kontinentin e Vjetër që në dhjetor dhe jo në pranverë siç ishte planifikuar më parë. Vendimi përfundimtar për përshpejtimin e armatimeve është marrë gjatë një takimi me dyer të mbyllura brenda NATO-s në Bruksel. Një samit që u mbajt në tetor.

Reagimi i SHBA

Ndërkohë John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, gjatë një konference për shtyp iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me negociatat e mundshme të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës: “Vladimir Putin qartazi dëshiron të vazhdojë këtë luftë. Asnjëra palë nuk është gati të ulet në tryezë. Megjithatë, çdo vendim për këtë çështje i takon presidentit Volodymyr Zelensky”. Një tjetër çështje djegëse është ajo e bombës së pistë: “Nuk kemi asnjë indikacion që, Rusia po përgatit përdorimin e një bombe të pistë ose të një arme bërthamore taktike. Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën në maksimum. Sa për ukrainasit, është e qartë se ata nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë”, tha Joe Biden.

Detajet nga plani amerikan

Programi përfshin rinovimin e planifikuar të arsenalit të përbashkët bërthamor të NATO-s në Evropë, rreth njëqind bomba B61 të vendosura në gjashtë baza ajrore në pesë vende anëtare të NATO-s. Bombat vendosen në bunkerë specialë në bazat Kleine Brogel në Belgjikë, Buchel në Gjermani, Aviano dhe Ghedi në Itali, Volkel në Holandë dhe Incirlik në Turqi. Informacioni rreth numrit të saktë të bombave në cilën prej bazave është sekret. Për momentin, në bazat evropiane ka bomba B61-4, të cilat kanë filluar të prodhohen në vitin 1979 dhe po i afrohen fundit të jetës së tyre të shërbimit. Këto janë bomba me fuqi shkatërruese të ndryshueshme, të cilat mund të rregullohen në një fuqi shpërthimi prej 0.3, 1.5, 10 ose 45 kilotone.

Bombat ushqehen nga graviteti, pa asnjë shtytje, dhe mund të barten nga bombarduesit strategjikë B-2A dhe luftëtarët multifunksionalë dhe gjuajtësit bombardues si F-15E, F-16C/D dhe Panavia Tornado, dhe mund të përdoren gjithashtu nga F-35 luftarakë stealth dhe bombardues të ardhshëm stealth B-21. Versionet e fundit, B61 Mod 12, thuhet se janë dukshëm më të sakta se paraardhësit e tyre dhe mund të godasin një objektiv brenda 30 metrave, dhe projektuesit pohojnë se ato do të shpërndanin dukshëm më pak grimca radioaktive se paraardhësit e tyre.

Siguria për Evropën

Analistët politikë në Evropë u befasuan nga njoftimi për shtyrjen e datës së rinovimit, duke qenë se i gjithë kontinenti ndodhet aktualisht në një gjendje tensioni të shtuar për përshkallëzimin e mundshëm të luftës në Ukrainë në nivelin bërthamor. Tom Collina, një analist në organizatën jofitimprurëse të çarmatimit Ploëshares Fund, i tha Politico se ai beson se ky është një mesazh që synon kryesisht aleatët e NATO-s.

“Bombat më të vjetra B61 janë tashmë atje. Rusët e dinë këtë. Ata punojnë mirë. Të rejat do të jenë më të reja, por në të vërtetë nuk është aq i madh ndryshimi. Por mund të jetë një mënyrë për të qetësuar aleatët në një kohë kur ata ndihen të kërcënuar nga Rusia”, tha Collina. Kujtojmë se në vitin 2020, Biden premtoi të ndryshojë politikën bërthamore të SHBA-së, duke e bërë të qartë se qëllimi i vetëm i armëve amerikane është të pengojë vendet e tjera nga një sulm bërthamor ndaj SHBA-së ose aleatëve të saj.

Vjen goditja e fortë për Rusinë, SHBA gati të kryejë transferimin e bujshëm

Shtetet e Bashkuara pritet të transferojnë sistemet e mbrojtjes ajrore NASAMS në ushtrinë ukrainase, si dhe të kryejnë trajnime ushtarake për sistemet e përmendura në javët e ardhshme.

Lajmin e bëri të ditur ekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin gjatë një konference në Pentagon, raporton Ukrinform.

“Tani për tani, ajo që ata kanë nevojë më shumë se çdo gjë tjetër është aftësia e mbrojtjes ajrore. Dhe kështu, ndërsa patëm takimin tonë të fundit të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, ne vërtet e theksuam këtë dhe disa nga vendet rritën mbështetjen për ta siguruar këtë aftësi”, vuri në dukje Sekretari i Mbrojtjes i SHBA.

Ai theksoi se pala amerikane, nga ana e saj, bëri përpjekje aktive për t’i pajisur Forcat e Armatosura të Ukrainës me aftësi të tilla.

“Ne kemi bërë presion të madh për t’u siguruar atyre një aftësi NASAMS dhe presim që në të ardhmen, në fillim të muajit të ardhshëm, ne do të jemi në gjendje të dërgojmë sistemet dhe të stërvitemi, dhe të trajnojmë trupat në Ukrainë”, tha sekretari amerikan i mbrojtjes.

Austin siguroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë çdo përpjekje për të transferuar sa më shumë pajisje të mbrojtjes ajrore në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.

Zelensky përplaset me gazetarin italian: Pse nuk shkon të blesh makinën më të mirë ruse?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është përplasur me një gazetar italian gjatë një interviste, duke i thënë këtij të fundit pse nuk shkon të blesh  makinën më mirë ruse.

Gazetari e ka pyetur pse një biznesmen duhet të ndalojë së bëri biznes me Rusinë apo të mbyllë biznesin që mund të ketë në Rusi, ndërsa presidenti ukrainas i është kundërpërgjigjur me tone të ashpra, duke i thënë se po sponsorizoni luftën e  Putinit.

Gazetari: Nëse unë jam një biznesmen nga Brescia apo Milano pse duhet të mbyll biznesi tim?

Zelensky: Sepse ju po paguani për lirinë tuaj dhe kjo nuk ka të bëj me Ukrainën. Ju mund të mos ta bëni tani dhe mund  të gjeni një alternativë, ju bota dhe Europa.

Dhe mbase nuk do të paguani çmimin as tani as vitin tjetër, as fëmijët tuaj.

Por nëse nuk do të merrni vendimin tani, ti dhe fëmijët tuaj do të vuajnë pasojat dhe në fund do të jetë Rusia ajo që do të vendosë për ju dhe Italinë, dhe do të jetë Rusia ajo që do të vendosë se si të jetoni dhe si jo.

Është kaq e lehtë të hamë ushqim italian dhe të themi nuk e duam Europën. Është kaq e lehtë të jetojmë në Toscana, të kemi vila. Është kaq e thjeshtë të shijojmë Europën  dhe të kemi makinat më të mira italiane.

Këto janë para të vjedhura, nga korrupsioni që po paguajnë për luftën në Ukrainë, duke zgjedhur Putinin. Është kaq e thjeshtë të bësh një zgjidhje të tillë dhe më pas të shijosh detin.

Nëse nuk të pëlqen ky civilizim atëherë shko jeto atje dhe bli makinat ruse më të mira në botë, thjesht shko blij ato. 

Media ndërkombëtare: Putini mund të rrëmbejë fitoren në Ukrainë, nëse ndodhë kjo gjë

Një paralajmërim nga republikanët, se ata mund të zvogëlojnë ndihmën për Ukrainën nëse fitojnë kontrollin e Kongresit ka krijon reagime të shumta, por mund të ndikojë edhe në votime gjatë zgjedhjeve.

Por a do të ndryshonte vërtet diçka? 

BBC shkruan se Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, ka publikuar pamje nga arma, e njohur si Sistemi i Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë, ose Himars, që është një nga 18-të që i janë dhënë Ukrainës deri më tani nga SHBA.

Është pjesë e një pakete të madhe ndihme prej 52 miliardë dollarësh (45 miliardë £) që është dy herë më shumë se të gjitha vendet e tjera së bashku.

Ekspertët ushtarakë dhe qeveria ukrainase thonë se kjo mbështetje ka qenë jetike për misionin e tyre.

“Ukrainasit do të ishin pushtuar pa të,” tha Mark Cancian, një ish-kolonel i marinës amerikane dhe ekspert i mbrojtjes në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Por kjo mbështetjeje mund të vihet në dyshim. Disa ligjvënës republikanë kanë vënë në pikëpyetje meritat e saj, ndërsa amerikanët luftojnë me rritjen e faturave.

Ekziston një shqetësim në rritje në Evropë për atë që mund të ndodhë.

“Nëse Amerika tërhiqet, Putini mund të rrëmbejë fitoren,” tha për Washington Post Tobias Ellwood, një deputet i lartë britanik që kryeson komitetin e zgjedhur të mbrojtjes në parlament.

Por zyrtarët ukrainas dhe vëzhguesit me bazë në SHBA thonë se nuk ka gjasa që ndihma të ulet ndjeshëm në afat të shkurtër, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve të nëntorit.

Duke folur për BBC në Kiev, ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksii Reznikov tha se takimet e tij të mëparshme me ligjvënësit amerikanë – ku kanë përfshirë demokratë dhe republikanë – e kanë lënë atë të sigurt.

“Kam marrë shumë sinjale se nuk ka rëndësi se kush do të drejtojë… mbështetja dypartiake për Ukrainën do të vazhdojë. Unë besoj në këtë”, tha ai.

Irani - kërcënim në rritje për Ukrainën

Me humbjen e shumë ushtarëve dhe territoreve në Ukrainë, Rusia duket se i është drejtuar Iranit për mbështetje.

Dronë të prodhuar nga Republika Islamike kanë fluturuar mbi qiejt e Ukrainës dhe kanë goditur zona të banuara me civilë.

Ka frikë se aleanca në rritje mes tyre paraqet rreziqe të reja.

Ukraina: Rusia po dërgon përforcime në Herson

Ushtria ukrainase tha se Rusia po grumbullon trupa në anën e djathtë të bregut të Lumit Dnjepër, teksa të dyja palët po bëhen gati për atë që mund të jetë beteja kyçe për qytetin jugor ukrainas të Hersonit.

Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase tha më 28 tetor se Moska ka dërguar deri në 1.000 ushtarë shtesë – që i ka mobilizuar së fundi – për të mbushur radhët pas humbjeve të pësuara nga kundërofensiva ukrainase në rajonin e Hersonit.

“Komanda e forcave pushtuese ruse, në mënyrë që të shmangë panikun në mesin e personelit të saj, po tenton me të gjitha mënyrat që të fshehë humbjet në mesin e ushtarëve të saj... Ka një forcim të grupeve të armikut në anën e djathtë të bregut të lumit në territorin e pushtuar përkohësisht të rajonit të Hersonit me mobilizimin e deri 1.000 ushtarëve”, tha Shtabi i Përgjithshëm përmes një deklarate.

Në deklaratë u tha se civilët po vazhdojnë të zhvendosen nga qyteti i Hersonit nga ana e djathtë e bregut të lumit, në atë të majtë.

Ukraina ka vazhduar ofensivën e saj për rimarrjen e rajonit të Hersonit dhe kryeqytetit rajonal me po të njëjtin emër, që forcat ruse pushtuan në ditët e para të luftës, që Moska nisi më 24 shkurt.

Forcat ukrainase kanë rrethuar Hersonin nga perëndimi dhe po sulmojnë forcat ruse që gjenden në anën e djathtë të bregut të Lumit Dnjepër.

Megjithatë, zyrtarët thanë se moti i keq dhe terreni i vështirë kanë ngadalësuar përparimin e ushtrisë ukrainase në Herson.

Hersoni, që është një prej katër provincave të pushtuara pjesërisht që Rusia pretendon se i ka aneksuar, është rruga e vetme tokësore që çon drejt Gadishullit të Krimesë të cilin Rusia e aneksoi paligjshëm më 2014.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia në Herson thanë më 27 tetor se mbi 70.000 persona janë larguar nga qyteti, përfshirë anëtarë të administratës rajonale të instaluar nga Moska.

Ushtria ukrainase tha më 28 tetor se gjatë 24 orëve të fundit ka vrarë 44 ushtarë rusë, duke shtuar se forcat ukrainase kanë shkatërruar një depo municionesh dhe një hangar ku ishin të vendosura pajisje ushtarake.

Ky pretendim i Kievit nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, që është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se 23 ushtarë të tij janë vrarë dhe 58 të tjerë janë plagosur nga sulmet ukrainase gjatë kësaj jave në Herson. Këto lloje deklaratash janë të pazakonshme, pasi forcat pro-ruse rrallë pranojnë humbjet e tyre në fushëbetejë.

Ndërkaq, në rajonin lindor të Donjeckut, forcat ruse kanë vrarë katër civilë, tha më 28 tetor Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të këtij rajoni.

Sulmet ajrore ruse, ato me dronë dhe granatimet ndaj infrastrukturës së energjisë ukrainase kanë vazhduar, thanë zyrtarët, duke raportuar se si pasojë e sulmeve, furnizimet me energji në Kiev dhe në qytetet tjera janë ndërprerë./REL

Rusia paralajmëron se mund të godasë satelitët perëndimorë

Një zyrtar i lartë i qeverisë ruse foli mbi mundësinë që Moska të rrëzojë satelitët komercialë perëndimorë që sikurse tha, po përdoreshin për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Ukrainës. Paralajmërimi vjen ndërsa Rusia po vazhdon fushatën e saj të bombardimit të infrastrukturës jetike ukrainase.

Ky kërcënim, nëse bëhet realitet, në mënyrë të pashmangshme do të nxiste frikën për përshkallëzim të konfliktit dhe rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Perëndimit.

Deri tani nuk ka patur asnjë reagim nga Shtetet e Bashkuara apo kompanitë ofruese të satelitëve komercialë.

LEXO EDHE Paralajmërimi i frikshëm i Rusisë, thotë se mund të godasë satelitët perëndimorë – A do ta takojë Biden Putinin?

Konstantin Vorontsov, një zyrtar i lartë i ministrisë së jashtme ruse, tha se përdorimi i satelitëve perëndimorë për të ndihmuar operacionet ushtarake të Ukrainës ishte “një prirje jashtëzakonisht e rrezikshme”.

“Infrastruktura pothuajse civile mund të jetë një objektiv legjitim për një sulm hakmarrës”, i tha ai një strukture të Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se përdorimi i satelitëve të tillë nga Perëndimi për të mbështetur Ukrainën ishte “provokues”.

Po flasim për përfshirjen në një konflikt të armatosur të komponentëve të infrastrukturës hapësinore civile, përfshirë atë komerciale, nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj”, tha zoti Vorontsov.

Ai nuk përmendi ndonjë kompani specifike satelitore, megjithëse në fillim të këtij muaji Elon Musk tha se kompania e tij ‘SpaceX’ do të vazhdojë të financojë shërbimin e internetit Starlink në Ukrainë, duke nënvizuar atë që e quajti, nevojë për të kryer “vepra të mira”.

Rusia ka një aftësi të konsiderueshme sulmuese hapësinore, sikurse Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 2021, Rusia lëshoi një raketë anti-satelitore për të shkatërruar një nga satelitët e saj.

Në muajin gusht Moska akuzoi Shtetet e Bashkuara për përfshirje të drejtpërdrejtë në luftë pasi Vadym Skibitsky, zëvendës kreu i zbulimit ushtarak të Ukrainës, i tha gazetës britanike ‘Telegraph’ se Kievi po përdorte sistemet HIMARS, të furnizuara nga SHBA, duke u bazuar në ato që ai i quajti imazhe satelitore të shkëlqyera dhe informacione në kohë reale.

Imazhet satelitore të zonës së konfliktit të kapura nga kompanitë komerciale satelitore amerikane, publikohen çdo ditë në Twitter nga ekspertë të zbulimit, të cilët vënë në pah koordinatat që dëshmojnë dobësi të mundshme ushtarake të trupave ruse.

SHBA pritet të transferojë në Ukrainë sisteme të mbrojtjes ajrore NASAMS

Shtetet e Bashkuara pritet të transferojnë sistemet e mbrojtjes ajrore NASAMS në ushtrinë ukrainase, si dhe të kryejnë trajnime ushtarake për sistemet e përmendura në javët e ardhshme.

Lajmin e bëri të ditur ekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin gjatë një konference në Pentagon, raporton Ukrinform.

Tani për tani, ajo që ata kanë nevojë më shumë se çdo gjë tjetër është aftësia e mbrojtjes ajrore. Dhe kështu, ndërsa patëm takimin tonë të fundit të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, ne vërtet e theksuam këtë dhe disa nga vendet rritën mbështetjen për ta siguruar këtë aftësi”, vuri në dukje Sekretari i Mbrojtjes i SHBA.

Ai theksoi se pala amerikane, nga ana e saj, bëri përpjekje aktive për t’i pajisur Forcat e Armatosura të Ukrainës me aftësi të tilla.

“Ne kemi bërë presion të madh për t’u siguruar atyre një aftësi NASAMS dhe presim që në të ardhmen, në fillim të muajit të ardhshëm, ne do të jemi në gjendje të dërgojmë sistemet dhe të stërvitemi, dhe të trajnojmë trupat në Ukrainë”, tha sekretari amerikan i mbrojtjes.

Austin siguroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë çdo përpjekje për të transferuar sa më shumë pajisje të mbrojtjes ajrore në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.

Biden “skeptik” për deklaratat e Putin: Kur s’ka ndër mend të përdorë armë bërthamore, pse flet për to?

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden shprehu skepticizëm në lidhje me garancinë e dhënë nga homologu i tij rus Vladimir Putin të enjten kur tha se nuk kishte ndërmend të përdorte armë bërthamore në luftën në Ukrainë.

Nëse ai nuk ka një qëllim të tillë, pse vazhdon të flasë për këtë? Pse po flet për mundësinë e përdorimit të një arme bërthamore?”, pyeti amerikan në mënyrë retorike gjatë një interviste që dha për rrjetin televiziv NewsNation.

Në deklaratat e tij në forumin e klubit të diskutimit Valdai, Vladimir Putin, duke iu referuar përdorimit të armëve bërthamore, theksoi se Moska nuk ka folur kurrë për përdorimin e tyre dhe pretendoi se Kievi ka teknologjinë për të ndërtuar dhe mundësisht të shpërthejë një “bombë e pistë” në Ukrainë.

Putin tha se Perëndimi, duke përfshirë ish-kryeministren britanike Liz Truss, ishte i përfshirë në “shantazh bërthamor” kundër Rusisë dhe hodhi poshtë akuzat për sulme ruse në termocentralin bërthamor të Zaporizhia, i cili është në një zonë të kontrolluar nga trupat ruse në Ukrainën jugore.

Ai tha se doktrina ushtarake e Rusisë e lejon vendin të përdorë armë bërthamore vetëm kur është në mbrojtje, duke hedhur poshtë akuzat se Moska po shqyrton përdorimin e tyre në Ukrainë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat