I tërbuar nga rezistenca kokëfortë e Kievit, dhe i vendosur të ndëshkojë autorët e sanksioneve ndaj tij, qëllimi i Putinit është tashmë poshtërimi i Evropës. Duke përdorur si armë energjinë, ushqimin, refugjatët dhe informacionin, udhëheqësi rus po përhap kudo në kontinent kostot ekonomike dhe politike, duke krijuar kushte lufte për të gjithë.
Duke nisur një luftë të patolerueshme, Vladimir Putin ka vënë në rrezik vetë sektorin energjetik të Rusisë dhe ka nxitur një kërkim të ri për naftë dhe gaz në mbarë botën.
Ndërsa kërkesa globale në rritje për energji do të mbetet, furnizuesit kryesorë do të ndryshojnë. Karta e fundit e Vladimir Putinit për të shkatërruar BE nuk do të funksionojë, pasi Bashkimi Evropian shpreson të nënshkruajë së shpejti një memorandum mirëkuptimi energjetik me Argjentinën, i cili synon të trajtojë problemet e furnizimit me energji të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.
Gjatë vizitës së tij në Argjentinë, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në një deklaratë për shtyp, theksoi rëndësinë e arritjes së kësaj marrëveshjeje, duke qenë se Argjentina është një "fuqi energjetike në zhvillim", dhe në një kohë me çmime të larta ndërkombëtare të energjisë. "Ne po bëjmë përparim në një memorandum mirëkuptimi për çështjet e energjisë. Shpresoj se do të finalizohet së shpejti. Nuk po flasim për vite apo muaj, ka një interes të qartë reciprok," tha Borrell.
Argjentina ka një nga rezervat më të mëdha në botë të gazit nga burime jokonvencionale, por siç tha Borrell, nuk ka asnjë mënyrë për ta eksportuar atë. “Është potencialisht një forcë shumë e madhe gazi, por duhen bërë shumë investime”, shtoi zyrtari evropian.