Moska ka pretenduar se një njësi e marinës së Mbretërisë së Bashkuar ishte pas shpërthimeve në tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe 2. Ajo nuk ofroi asnjë provë për pretendimin e saj.
Mendohet se të paktën 50 metra të tubacionit nënujor - i cili transporton gazin rus në Evropë - u shkatërrua muajin e kaluar.
Policia daneze ka thënë se "shpërthimet e fuqishme" shkaktuan katër vrima në tubacione. Autoritetet gjermane, daneze dhe suedeze kanë qenë duke hetuar incidentin, por ende nuk dihet se kush dhe çfarë i shkaktoi shpërthimet.
Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha: "Sipas informacioneve të disponueshme, përfaqësuesit e kësaj njësie të Marinës Britanike morën pjesë në planifikimin, sigurimin dhe zbatimin e një sulmi terrorist në Detin Baltik më 26 shtator të këtij viti". Edhe pse liderët perëndimorë nuk e kanë akuzuar drejtpërdrejt Rusinë se qëndron pas sulmit, BE-ja ka thënë më parë se Moska po përdor furnizimet e saj me gaz si një armë kundër Perëndimit. Lufta në Ukrainë ka ushtruar presion mbi furnizimet me gaz, duke rritur çmimet për shumë vende evropiane.