Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres është i shqetësuar për marrëveshjen e grurit, kështu që ai e shtyu udhëtimin e tij në Algjeri për samitin e Ligës Arabe për një ditë, për t'u fokusuar në këtë çështje, tha sot zëdhënësi i OKB-së.
"Sekretari i Përgjithshëm vazhdon të angazhohet në kontakte intensive që synojnë t'i japin fund pezullimit të pjesëmarrjes së Rusisë në marrëveshjen e grurit," tha Stefan Dizarik në një deklaratë.
Ai shtoi se angazhimi synon gjithashtu rinovimin dhe zbatimin e plotë të iniciativës për lehtësimin e eksportit të ushqimit dhe plehrave nga Ukraina, si dhe heqjen e pengesave të mbetura për eksportin e ushqimit dhe plehrave ruse.
Rusia njoftoi dje se po pezullon pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e grurit pas sulmit në Sevastopol mbi anijet luftarake të Flotës së Detit të Zi dhe mbi anijet tregtare që ishin marrë me qira për të siguruar korridorin e grurit.