LIVE: Luftime të ashpra në Ukrainë/ Britania ia tregon ‘dhëmbët’ Rusisë - ia jep këtë paralajmërim Putinit!

Bota

LIVE: Luftime të ashpra në Ukrainë/ Britania ia tregon ‘dhëmbët’ Rusisë - ia jep këtë paralajmërim Putinit!

Nga: H.O. Më: 31 tetor 2022 Në ora: 07:02 Përditësuar në ora: 10:43 më 31.10.2022
Foto ilustrim

Rusia u tërhoq nga marrëveshja, OKB kërkon të mbajë të hapura rrugët detare të transportit të drithit nga Ukraina

Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara po punojnë të hënën për të vazhduar transportet e drithit përmes Detit të Zi, pasi Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në një marrëveshje për këtë çështje të ndërmjetësuar nga OKB-ja.

“Anijet civile të transporteve të mallrave nuk mund të jenë kurrë një objektiv ushtarak ose të mbahen peng. Ushqimi duhet të rrjedhë,” shkroi të hënën në Twitter Amir Abdulla, bashkërendues i Kombeve të Bashkuara për këtë çështje.

OKB-ja tha se kishte një marrëveshje të përbashkët për një plan që 16 anije të lëviznin nëpër korridorin humanitar detar, duke përfshirë 12 që niseshin nga portet e Ukrainës drejt një zone inspektimi jashtë Stambollit.

Një deklaratë e së dielës tha gjithashtu se Turqia dhe OKB-ja do të siguronin ekipet e inspektimit të 40 anijeve që janë larguar nga Ukraina.

Dy anije mallrash të ngarkuara me grurë dhe prodhime të tjera bujqësore u larguan të hënën nga portet e Ukrainës, raportoi Agjencia e lajmeve France-Presse duke cituar një faqe interneti të trafikut detar.

Më shumë se 9.5 milionë tonelata grurë dhe prodhime të tjera ushqimore janë larguar nga portet ukrainase që nga fillimi i muajit gusht, sipas marrëveshjes së arritur me Ukrainën dhe Rusinë për të rifilluar dërgesat mes një krize globale ushqimore.

Rusia tha të shtunën se po pezullonte pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e cila përfshinte sigurimin e ekipeve të inspektimit dhe lejimin e Rusisë të eksportonte plehra artificiale, duke pretenduar se Ukraina kreu një sulm me dron kundër flotës ruse të Detit të Zi, në brigjet e Krimesë së pushtuar. Ukraina e ka mohuar sulmin.

Tregjet e grurit janë qenë të paqëndrueshme për shkak të agresionit rus në Ukrainë, meqë të dy vendet janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të drithit në botë.

Asnjë anije nuk lëvizi nëpër korridorin humanitar detar të dielën. Midis atyre që prisnin të kalonin ishte anija “Ikaria Angel”, të cilin Programi Botëror i Ushqimit e kishte kontraktuar për të dërguar 30,000 tonë grurë në Bririn e Afrikës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian paralajmëruan se uria globale mund të rritet për shkak të veprimit rus dhe i bënë thirrje Moskës të respektojë plotësisht marrëveshjen.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) paralajmëroi për pasojat katastrofike të pezullimit të pjesëmarrjes së Rusisë në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja. Me luftën në Ukrainë që ndryshon modelet globale të prodhimit dhe furnizimit me ushqime, inflacioni në vendet me të ardhura të ulëta është rritur në pothuajse 90 për qind. Rreth 345 milionë njerëz do të përjetojnë pasiguri të menjëhershme ushqimore këtë vit, tha organizata.

Ndërsa dhjetëra miliona njerëz vazhdojnë të përballen me urinë e skajshme në Afrikën Lindore dhe Somalia është në prag të urisë si pasojë e thatësirës më të keqe në 40 vjet, bllokada e ripërtërirë do të vazhdojë të pengojë importin e 80 për qind të drithit nga rajoni Rusi-Ukrainë, duke nxitur kështu urinë e mëtejshme, paralajmëroi Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit. /REL/

Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja e grurit, Erdogan: Do vazhdojmë përpjekjet tona për t’i shërbyer njerëzimit

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për marrëveshjen e eksportit të grurit në Detin e Zi, pavarësisht hezitimit rus.

“Edhe nëse Rusia sillet me hezitim sepse nuk mori të njëjtat përfitime, ne do të vazhdojmë me vendosmëri përpjekjet tona për t’i shërbyer njerëzimit”, tha Erdogan.

Më herët, një zëdhënës i OKB-së tha se i pari nga 40 inspektimet e planifikuara të anijeve të hënën ishte përfunduar në ujërat e Stambollit me një ekip prej vetëm anëtarësh të OKB-së dhe turqve, në vend të ekipeve të mëparshme katër anëtarësh duke përfshirë rusët dhe ukrainasit përpara pezullimit të Moskës.

Valë e re e sulmeve në Kiev dhe qytetet tjera ukrainase

Kievi dhe disa rajone tjera ukrainase janë përballur sërish me sulme ruse, kanë thënë të hënën zyrtarët ukrainas.

Dëshmitarët në teren kanë raportuar për tym në disa ndërtesa, pas një serie sulmesh.

Në qytetin jugor, Marhanets, raketat ruse kanë goditur ndërtesa të banimit dhe një shkollë të mesme, duke lënë të vdekur një grua 31-vjeçare, ka thënë udhëheqësi i administratës rajonale, Valentyn Reznichenko.

Oleksiy Kuleba, guvernator i rajonit të Kievit, ka thënë se mbrojtja ajrore ukrainase është aktive në kryeqytet.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se disa zona të kryeqytetit kanë mbetur pa rrymë si pasojë e sulmeve.

Ihor Terekhov, kryetari i Harkivit, ka thënë se dy raketa kanë shënjestruar “objekte të infrastrukturës kritike” në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Raportime për sulme ajrore ka pasur edhe në rajonet Poltava dhe Kirovohrad.

Sirenat mbarëkombëtare janë aktivizuar më 31 tetor.

“Humbësit rusë vazhdojnë të sulmojnë objektet e civilëve”, ka thënë Andriy Yermak, shef i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 31 tetor.

Në javët e fundit, Rusia ka kryer një valë të sulmeve ajrore, sulmeve me dronë dhe bombardime me artileri, duke shënjestruar infrastrukturën civile.

Për pasojë, kanë vdekur njerëz dhe është shkatërruar më shumë se 40 për qind e infrastrukturës ukrainase të energjisë.

Prandaj, shumë familje rrezikojnë të përballen me dimër të vështirë, pasi ndërprerjet e rrymës veçse kanë nisur.

Vala e re e sulmeve vjen pasi Rusia ka akuzuar Ukrainën për sulme në Flotën e saj në Detin e Zi, me 16 dronë, më 29 tetor.

Rusia, po ashtu, ka bërë të ditur se do të pezullojë pjesëmarrjen në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, e cila i mundëson Ukrainës – një prej eksportueseve më të mëdha të grurit në botë – që të shesë grurin e saj, duke përmendur si arsyetim “sulmet ukrainase me dronë”.

Ukraina, në anën tjetër, ka hedhur poshtë akuzat.

Ndërkohë, në lindje të Ukrainës, komanda ushtarake ukrainase ka raportuar për beteja të ashpra në rajonin e Donjeckut.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Alarmet për sulm ajror tingëllojnë në të gjithë Ukrainën

Nga: H.O.

Alarmet për sulm ajror kanë rënë në mbarë Ukrainën këtë mëngjes, shkruan The Guardian, transmeton Bota sot.

Një hartë e ndarë nga forcat e armatosura të Ukrainës tregoi pjesë të mëdha të territorit ukrainas nën alarm, duke përfshirë rajonet e Kievit, Kharkiv, Sumy, Zaporizhzhia dhe Odesa.

Gazetari i Guardian, Luke Harding konfirmoi gjithashtu se sirenat e sulmit ajror po dilnin në kryeqytet vetëm pas orës 7 të mëngjesit të së hënës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat