Zyrtarët e Ukrainës bënë thirrje për izoliminin e Rusisë nga institucionet ndërkombëtare, pas sulmeve ruse që kishin objektiv infrastrukturën energjitike në një sërë qytetesh në Ukrainë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleg Nikolenko, tha se Rusia duhet të përjashtohet nga grupi i vendeve të G-20 dhe se duhet të tërhiqet ftesa për Presidentin e Rusisë Vladimir Putin për mbledhjen e nivelit të lartë të këtij muaji në Indonezi.
“Putini e pranoi publikisht se kishte urdhëruar sulme me raketa mbi popullsinë civile në Ukrainë, si dhe ndaj infrastrukturës energjetike. Duart e tij janë të lyera me gjak dhe ai nuk mund të lejohet të ulet në të njëjtën tryezë me udhëheqësit e tjerë botërorë”, shkroi në rrjetin Twitter zëdhënësi Nikolenko.
Në fjalimin e mbrëmshëm në radio, Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Rusia “nuk duhet të jetë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
“Sulmi ndaj infrastrukturës energjitike dhe për më tepër përpjekjet e mëparshme të Rusisë për të përkeqësuar krizën globale ushqimore tregojnë se Moska synon të vazhdojë t’i imponohet komunitetit ndërkombëtar”, tha zoti Zelensky.
Ushtria ukrainase tha se Rusia sulmoi me rreth 50 raketa të hënën që shkaktuan ndërprerjen e ujit dhe energjisë në pjesën më të madhe të Kievit. Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se këto shërbime janë rikthyer tashmë.
Presidenti Putin tha se goditjet e së hënës ishin një përgjigje ndaj Kievit që sipas tij po kryen sulme me dronë ndaj flotës ruse në Detin e Zi.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse bombardimet ishin një përgjigje për ngjarjet e fundit në Detin e Zi, Presidenti Putin tha se, "ishin një përgjigje e pjesshme sepse mund të kishim bërë shumë më tepër”.
Ukraina nuk ka konfirmuar apo mohuar sulmin ndaj flotës ruse, të cilën Moska e përmendi të shtunën si arsyen e mospjesëmarrjes në marrëveshjen për eksportin e grurin të ndërmjetësuar nga OKB-ja.
Zoti Putin tha të hënën se sulmi i Ukrainës ndaj flotës ruse u krye nga një zonë, e cila ka për qëllim të lejojë kalimin e sigurt të anijeve me grurë.
Shefi i zyrës së OKB-së për ndihmat, Martin Grifiths i tha Këshillit të Sigurimit të hënën se asnjë anije që transportonte grurë nuk ndodhej në atë zonë kur u krye sulmi.
Ndërkohë, 12 anije me grurë dolën nga portet ukrainase, pavarësisht tërheqjes së Moskës nga nisma./VOA