LIVE: Rusia afër ‘gjunjëzimit’, pëson humbje të mëdha - Britania zbulon ecurinë në frontin e luftës!

Bota

LIVE: Rusia afër ‘gjunjëzimit’, pëson humbje të mëdha - Britania zbulon ecurinë në frontin e luftës!

Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 08:24 Përditësuar në ora: 00:55 më 08.11.2022
Sistemi i mbrojtjes ajrore NASAMS

Ukraina ftohet të marrë pjesë në grupin e vendeve ASEAN

Ukraina po forcon marrëdhëniet me vendet e Azisë Juglindore, nëpërmjet nënshkrimit të një traktati të politikës së jashtme me Shoqatën e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) gjatë kësaj jave në Phnom Penh, të Kamboxhias.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleva pritet të nënshkruajë instrumentin e anëtarësimit në Traktatin mbi Miqësinë dhe Bashkëpunimin në Azinë Juglindore (TAC), si dhe të marrë pjesë në disa aktivitete të ASEAN-it.

Ky traktat paqeje u hartua në vitin 1976 nga vendet themeluese të ASEAN-it për të sanksionuar parimet kryesore, si respektin e ndërsjelltë për sovranitetin, integritetin territorial dhe identitetin kombëtar të vendeve anëtare.

Vendimi i matur diplomatik nga 10 vende anëtare të ASEAN-it për të ftuar Ukrainën, një vend që nuk ndodhet në Azinë Juglindore, nuk prezumon që ASEAN-i do të ketë detyrimin për t’i ofruar ndihmë materiale apo financiare vendit të përfshirë nga lufta.

“Anëtarësimi në traktat nuk krijon detyrimin për ASEAN-in që të ofrojë ndonjë lloj asistence për Ukrainën”, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i lartë kamboxhian. “Traktati është një kod sjelljeje në zbatimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe jo një marrëveshje për t’i ofruar asistencë ndokujt”.

Që nga gushti 2022, 49 vende janë bërë palë e traktatit, ndër to edhe Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Kam kënaqësinë të them se kemi ftuar ministrin e jashtëm të Ukrainës të firmosë në Phnom Penh në kuadrin e takimeve të ASEAN-it”, tha ambasadori i Kamboxhias në Shtetet e Bashkuara, Keo Chhea gjatë një seminari më 26 tetor të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Kamboxhia ka kryesinë e radhës këtë vit në takimin e ASEAN-it dhe në Takimin e Azisë Lindore. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov do të jetë në Phnom Penh për të përfaqësuar Presidentin Vladimir Putin në Takimin e Azisë Lindore.

Në mars, Kamboxhia dënoi zyrtarisht sulmin rus ndaj Ukrainës dhe mbështeti thirrjet në ASEAN për një armëpushim të menjëhershëm. Mediat rajonale të lajmeve raportuan javën e kaluar se ministria e jashtme e Kamboxhias ofroi të organizojë bisedimet ruso-ukrainase në takimin e ardhshëm, por asnjëra palë nuk ka shprehur gatishmërinë për t'u përfshirë në dialog.

“Prania e Ukrainës në Samitin e Azisë Lindore do të demonstronte rolin udhëheqës të ASEAN-it për zgjidhjen e konflikteve dhe ruajtjen e paqes në komunitetin ndërkombëtar, si dhe mbështetjen e hershme të ASEAN-it për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial”, tha gjatë të njëjtit aktivitet Daniel Kritenbrink, zyrtari më i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Azinë.

Kamboxhia dhe Ukraina ranë dakord për të vendosur marrëdhënie diplomatike pas një telefonate mes Kryeministrit të Kamboxhias Hung Sen dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy më 1 nëntor. Dy vendet do të emërojnë ambasadorë për të forcuar marrëdhëniet.

Kryeministri kamboxhian Hun Sen ra gjithashtu dakord të dërgojë ekipe çminimi, në bashkëpunim me Japoninë, për ta ndihmuar Ukrainën në heqjen e minave tokësore të vendosura nga forcat ruse gjatë pushtimit. Kamboxhia u bë një nga vendet më të minuara në botë gjatë pothuajse 30 viteve të luftës civile që përfundoi në vitin 1998. Në këmbim, Ukraina planifikon të rrisë eksportet e grurit drejt Kamboxhias ndërsa po vazhdon kriza globale e ushqimit.

ASEAN-i nuk ka një qëndrim të unifikuar për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Përveç Singaporit, ASEAN-i ishte kryesisht i heshtur në muajt e parë pas sulmit të Rusisë në Ukrainë në fund të shkurtit.

Ndërsa shprehën shqetësimin për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, anëtarët e ASEAN-it që mbështeten tek armatimet ruse kanë nguruar të denoncojnë drejtpërdrejt zotin Putin.

Tre anëtarë të ASEAN-it (Vietnami, Tajlanda dhe Laosi) abstenuan në një votim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në tetor që dënonte përpjekjet e Rusisë për të aneksuar rajone të mëtejshme të Ukrainës./VOA

Një fondacion bamirësie ndihmon të moshuarit në Kiev

Dymbëdhjetë mijë persona në pesë muaj morën mbështetje në Kiev nga shoqata bamirëse "Onuky", që do thotë "nipër e mbesa" në gjuhën ukrainase. Zëri i Amerikës bisedoi me vullnetarët e kësaj shoqate për punën e tyre. 

Vullnetarët e organizatës bamirëse "Onuky", vizituan pensionisten nga Kievi, Lyudmila Areshchenko. 

“O Zot, fëmijë, ju po bëni një punë kaq të mrekullueshme duke na ndihmuar! Ju gjeni kohë për të na ndihmuar kur luftëtarët tanë kanë më shumë nevojë për mbështetje! Zoti ju bekoftë!", thotë ajo. 

Vullnetarja Khrystyna Tsukur ndihmon të moshuarit e vetmuar, ashtu siç do t’i ndihmonte një mbesë. Ajo shpesh u dërgon atyre ushqime. 

Kjo ia lehtëson asaj disi tragjedinë personale, vdekjen e nënës së saj në mars në rajonin e Luhanskut. Në atë kohë, rajoni ishte i pushtuar nga ushtria ruse dhe Khrystyna nuk pati mundësinë t’i thoshte lamtumirë. 

“Nëna ime vdiq në mars atje, në territorin e pushtuar. Tani nuk kam asnjë të afërm”,thotë themeluesja e organizatës “Onuky”. 

Khrystyna Tsukur ka ndihmuar të moshuarit që në ditët e para të luftës, menjëherë pasi e dërgoi djalin e saj pesëvjeçar jashtë vendit me miqtë e saj. 

“Atëherë, ishte e vështirë të gjeje artikuj ushqimorë ose ilaçe në Kiev. Unë fillova një bisedë në internet me njerëzit që më dhanë një listë të gjërave për të cilat kishin nevojë. Pastaj mora makinën dhe u përpoqa të gjeja artikujt për të cilët ata kishin nevojë. Kështu filloi gjithçka. Më pas disa nga të moshuarit që ndihmova filluan t'ua japin numrin tim të tjerëve dhe ne vendosëm krijonim një strukturë për këtë çështje”, thotë ajo. 

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Shumica e ukrainasve besojnë se do jenë pjesë e BE brenda 10 vitesh

Të paktën 88% e ukrainasve besojnë se vendi i tyre do të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda 10 vitesh. Të dhënat i referohen një sondazhi të Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë në Kiev, të cilat u publikuan të hënën. 

Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE pak kohë pasi u sulmua nga Rusia dhe mori statusin e kandidatit në muajin qershor. 

Sulmi ka shkaktuar mijëra viktima civile dhe ka shkatërruar territore dhe infrastrukturën në Ukrainë. 

Për sondazhin u pyetën 1000 persona në të gjithë Ukrainën, me përjashtim të rajonit të Krimesë dhe zona të tjera nën kontrollin e Rusisë përpara se Moska të niste sulmin më 24 shkurt. 

Edhe në lindje të vendit, ku luftimet janë më të ashpra, ukranasit janë shprehur shumë optimistë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. 

Shtatëdhjetë e gjashtë për qind e të pyeturve në sondazh janë shprehur se e shohin të ardhmen e vendit të tyre në BE. Vetëm 5% thanë se besonin se lufta do të shkatërronte ekonominë e vendit dhe do të provokonte një eksod të madh të ukrainasve./VOA

Britania: Rusia po humbet epërsinë ajrore në luftë

Të hënën, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha se humbjet e Rusisë në Ukrainë po çojnë “në rënien e epërsisë së saj ajrore” për shkak të mungesës së trajnimit të pilotëve, si dhe rrezikut për të ofruar mbështetje për avionët në zonat me aktivitet të lartë të mbrojtjes kundër-ajrore. 

“Ka të ngjarë që aftësia e Rusisë për të zëvendësuar avionët është më e ulët se dëmet që po pëson. Koha e nevojshme për trajnimin e pilotëve ul edhe më tej aftësinë e Rusisë për të ringritur aftësinë ajrore luftarake", thuhej në një postim në twitter, të ministrisë britanike, e cila shtonte se kapaciteti ajror i Rusisë nuk pritet të ndryshojë gjatë muajve të ardhshëm. 

Të dielën, ndërkohë qyteti i Khersonit mbeti pa ujë dhe energji. Zyrtarët e vendosur nga Rusia në këtë rajon të pushtuar, akuzuan Ukrainën për sabotazh, edhe pse nuk dhanë prova për këtë. 

Zyrtarët pro-rusë në qytet thanë se po punojnë për rikthimin e energjisë. 

Megjithatë, kryetari i njësisë administrative të Khersonit, ukrainasi Yaroslav Yanushevych, akuzoi Rusinë për ndërrperjen e linjave elektrike. Përmes një postimi në telegram ai tha se “në qytetin e pushtuar të Berislavit, në rajonin e Khersonit, trupat ruse shkatërruan linjat e tensionit të lartë. Dëmi është shumë i madh”, tha ai. 

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky dhe zyrtarë të tjerë kanë deklaruar se 30-40% e instrastrukturës energjitike të Ukrainës është shkatërruar gjatë muajve të fundit, si pasojë e sulmeve me raketa të Rusisë. 

Përmes një videoje të postuar mbrëmjen e së dielës, zoti Zelensky tha se “Kievi dhe 6 rajone të tjera janë në terr. Më shumë se 4. 5 milionë konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike. Shumica e tyre janë në Kiev. Është shume e vështirë”, shtoi ai. 

Kryetari i Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko paralajmëroi qytetarët se nëse Rusia vijon sulmet ndaj infrastrukturës energjitike ata duhet të përgatiten për të përballuar dimrin më të rëndë, pa energji, pa ujë dhe ngrohje në temperatura tejet të ulëta. 

Presidenti Zelensky, duke iu referuar Iranit, tha se kushdo që mbështet Rusinë në vazhdimin e luftës duhet të vuajë pasojat e luftës. “Nëse Irani nuk do kishte mbështetur me armë Rusinë, tani do ishim më pranë paqes”, tha ai. 

Të shtunën, për herë të parë, Ministri i Jashtëm i Iranit, Amir Abdollahian pranoi se Irani i kishte dërguar dronë Rusisë, por tha se kjo kishte ndodhur para luftës./VOA

Zyrtari ukrainas: Nuk kemi refuzuar të negociojmë me Moskën, por jo me Putinin në krye

Këshilltari i presidentit ukrainas, Mykhail Podolyak, ka thënë se Kievi nuk ka refuzuar kurrë të negociojë me Moskën dhe është gati për bisedime me liderin e ardhshëm të Rusisë, por jo me Vladimir Putin.

Komentet në Twitter nga Mykhailo Podolyak pasuan një raport të Ëashington Post të shtunën që thoshte se administrata e Biden po inkurajonte privatisht liderët ukrainas të sinjalizonin një mundësi për të negociuar me Moskën.

“Ukraina nuk ka refuzuar kurrë të negociojë. Pozicioni ynë negociues është i njohur dhe i hapur”, shkroi ai në Twitter, duke thënë se Rusia duhet së pari të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.

“A është Putin gati? Është e qartë se jo. Prandaj, ne jemi konstruktiv në vlerësimin tonë: do të flasim me liderin e ardhshëm të Rusisë”, tha ai.

Kievi pa ujë dhe drita, kryebashkiaku: Kush të mundet të largohet përkohësisht

Një dimër pa elektricitet, ngrohje e ujë të pijshëm. Është kjo që i pret banorët e Kievit, por edhe qyteteve të tjera ukrainase, ndërsa Moska vijon të shënjestrojë infrastrukturë kritike rreth vendit.

Kryebashkiaku i Kievit tha se po përgatiteshin për skenarin më të keq të mundshëm ndërsa u kërkoi banorëve të shqyrtojnë largimin e përkohshëm nëse qyteti humb furnizimet me energji dhe ujë.

1 mijë pika ngrohje po planifikohen të ngrihen rreth Kievit, por është e paqartë nëse kjo do të mjaftojë për qytetin me 3 milionë banorë. 

“Po bëjmë gjithçka për ta shmangur këtë. Por le të jemi të sinqertë. Armiqtë tanë po bëjnë gjithçka që qyteti të jetë pa ngrohje, elektricitet dhe ujë në mënyrë që të gjithë të vdesim”, tha kryebashkiaku.

4.5 milionë njerëz janë pa energji elektrike në Kiev dhe 6 rajone të tjera, sipas presidentit Volodimir Zelenski. Në videomesazhin e fundit, ai denoncoi se Rusia synon të përdorë raketa iraniane për sulme të tjera ndaj infrastrukturës energjetike, veçanërisht sektorit të energjisë

Shteti terrorist po i përqendron forcat dhe mjetet ushtarake për një tjetër sulm masive kundër infrastrukturës sonë, veçanërisht rrjetit elektrik. Për këtë Rusia ka nevojë për raketat iraniane”, tha presidenti.

Zelenski tha se armiku kishte pësuar humbje të rënda në rajonin lindor të Donjetsk, por pavarësisht kësaj ofensiva e ashpër vijon.

Disa godina u përfshinë nga flakët mëngjesin e së hënës në Donjetsk, pas sulmeve me artileri të ushtrisë ukrainase në rajonin e pushtuar nga rusët. Në frontin jugor, vijon ofensiva për qytetin e Herson, një prej të parëve që ra në duart e rusëve, por ku trupat e Kievit po afrohen gjithmonë e më shumë.

Qyteti ka mbetur përkohësisht pa ujë dhe energji dhe qytetarët janë lajmëruar me mesazhe të largohen sa më shpejt pasi një sulm masiv pritet të ndodhë atje. Kievi pretendon se Rusia po përpiqet t’i ngrejë kurth ushtrisë ukrainase, duke pretenduar se po largohen nga qyteti jugor.  

Ukraina merr dorëzimin e parë të sistemeve të mbrojtjes ajrore NASAMS

Ukraina ka marrë dorëzimin e saj të parë të sistemeve të mbrojtjes ajrore NASAMS dhe Apside nga Norvegjia, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara, tha ministri i mbrojtjes i vendit, përcjell Bota sot.

“Ne do të vazhdojmë të rrëzojmë objektivat e armikut që na sulmojnë. Faleminderit partnerëve tanë: Norvegjisë, Spanjës dhe SHBA-së”, shkroi Oleksii Reznikov në Twitter.

Putin rindez sërish alarmin: Sulmet në Hiroshima dhe Nagasaki provë se s’është nevoja të goditen qytetet e mëdha për të fituar

Vladimir Putin ka rindezur sërish alarmin mes liderëve perëndimorë kur iu referua sulmeve bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki gjatë një telefonate rrëqethëse me Presidentin francez, Emmanuel Macron.

Udhëheqësi rus dyshohet se i tha Macronit se bombardimet, që çuan në fundin e Luftës së Dytë Botërore, treguan se nuk “është nevoja të sulmohen qytetet kryesore për të fituar.”

Dy bombardimet amerikane të vitit 1945 vranë midis 129,000 dhe 226,000 njerëz dhe detyruan Japoninë t’i dorëzohej aleatëve.

Paralajmërimi rrëqethës vjen ndërsa Putin shton kërcënimet për përdorimin e një arme bërthamore taktike në Ukrainë për të kundërshtuar humbjet në fushën e betejës.

Sipas burimit, Macron mbeti “dukshëm i alarmuar” nga komenti.

“Dukej si një aluzion shumë i rëndë se Putini mund të shpërthejë një armë taktike bërthamore në lindje të Ukrainës, duke lënë Kievin të paprekur. Kjo dukej se ishte thelbi i komenteve të tij,” thanë ata, sipas Daily Mail.

Një burim i qeverisë franceze tha: “Dy presidentët pa dyshim kanë diskutuar rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore.”

“Putini dëshiron të përcjellë mesazhin se të gjitha opsionet janë në tryezë, në përputhje me doktrinën ruse në lidhje me armët bërthamore.”

Kishte shqetësime se Putini mund të përdorte armët bërthamore pasi forcat ukrainase sulmuan urën e tij që lidh Rusinë dhe Krimenë.

Putin ka paralajmëruar më parë se do të “përdorte të gjitha mjetet që ka në dispozicion” nëse territori rus vihej në rrezik.

Mbi 40% e infrastrukturës energjetike e dëmtuar, Kievi nis përgatitjet për një evakuim të mundshëm të civilëve

Kryeqyteti ukrainas Kiev është përgatitur që të evakuojë të gjithë civilët në qytet në rast të një shkëputjeje masive të energjisë elektrike sipas New York Times.

Bombardimet e forcave ruse ndaj infrastrukturës kritike të energjisë në të gjithë vendin po vazhdojnë ndërsa raportohet se 40% e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është dëmtuar ose shkatërruar totalisht.

New York Times raporton se autoritetet ukrainase po krijojnë strehime për ngrohjen e civilëve që mund të përdoren edhe si bunkerë, ndërsa inxhinierët po përpiqen të rregullojnë termocentralet e bombarduara pa pajisjet e nevojshme.

LEXO EDHE Ukraina paralajmëron brutalitetin rus - Shpërthim i fuqishëm në Belgorod të Rusisë

Ndërmarrja kombëtare e energjisë në Ukrainë tha të shtunën se do të vazhdojë të vendosë ndërprerje të vazhdueshme në shtatë rajone në mënyrë që të përpiqet të parandalojë dështimin përfundimtar të rrjetit energjetik.

Nëse nuk ka energji, nuk do të ketë ujë. Kjo është arsyeja pse qeveria dhe administrata e qytetit po marrin të gjitha masat e mundshme për të mbrojtur sistemin tonë të furnizimit me energji elektrike”, u shpreh  Roman Tkachuk , drejtori i sigurisë së Kievit.

Dënoi me vdekje dy ushtarë britanikë në Donetsk, i bëhet atentat gjykatësit rus

Gjykatësi rus që dënoi me vdekje dy britanikë është në gjendje kritike pasi u qëllua nga sulmues të panjohur në Buhlerisk, Donetsk, të shtunën mbrëma. Siç raporton Tass, policia lokale ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve.

“Ka pasur një atentat kundër një gjyqtari të Gjykatës së Lartë të Republikës së Donjeckut, Alexander Nikulin”, tha përmes Telegramit Denis Pushilin, lideri i të vetëshpallurit “Republika Popullore e Donetsk”.

“Regjimi ukrainas vazhdon të tregojë metodat e tij të ndyra terroriste”, shtoi Pushilin, duke shtuar se “gjendja e tij vlerësohet nga mjekët si e qëndrueshme, por e rëndë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat