Ka shkuar në gjashtë numri i të vdekurve nga përplasja e dy avionëve në shfaqjen ajrore në qytetin amerikan të Dallasit, njoftuan zyrtarët.
Një Boeing B-17 Flying Fortress dhe një Bell P-63 Kingcobra u përplasën rreth orës 13:10 me orën lokale të shtunën përpara se të rrëzoheshin në tokë, tha Administrata Federale e Aviacionit.
Një zyrtar lokal ka deklaruar se po punohet për identifikimin e viktimave, raportojnë mediat.
Shoqata e Pilotëve Aleate njoftoi më parë se dy ish-anëtarë të shoqatës, Terry Barker dhe Len Ruth, ishin midis të vdekurve.
Kryetari i bashkisë së Dallasit, Eric Johnson, deklaroi në Twitter se nuk kishte të lënduar në terren në mesin e vizitorëve të tubimit.
Administrata Federale e Aviacionit tha se do të nisë një hetim mbi rrëzimin, i cili ndodhi gjatë një mbledhjeje tre-ditore kushtuar kujtimit të veteranëve dhe viktimave të Luftës së Dytë Botërore.
Zyrtarët nuk specifikuan se sa njerëz ishin në avionë, por Hank Kotis, president i kompanisë së shfaqjeve ajrore, tha se Boeing B-17 Flying Fortress zakonisht ka një ekuipazh prej katër deri në pesë, dhe Bell P-63 Kingcobra ka një pilot të vetëm.