Presidenti Volodymyr Zelensky ka vizituar qytetin Kherson disa ditë pasi u çlirua nga trupat ukrainase. Ai ofroi inkurajim për bashkëvendësit e tij të prekur nga lufta ndërsa forcat e Kievit vazhdojnë të fitojnë terren në jug të vendit.
Ai foli me ushtarët, duke thënë se Ukraina është "duke ecur përpara" dhe gati për paqe, shkruan BBC.
“Ne të gjithë e ndjejmë se fitorja jonë po afron. Gjithmonë ka njerëz që luftojnë dhe punojnë për fitoren tonë”, theksoi Zelensky.
Zelensky falënderoi ushtarët, mjekët dhe diplomatët për punën e vazhdueshme në Ukrainë që kur Rusia nisi luftën kundër fqinjit të saj më shumë se tetë muaj e gjysmë më parë.
Ushtria ukrainase arriti sukses të madh javën e kaluar ku pas kundërsulmimeve të suksesshme, rusët në rajonin jugor të Khersonit u tërhoqën nga kryeqyteti rajonal me të njëjtin emër dhe qytete të tjera në bregun e djathtë ose perëndimor të lumit kryesor Dnipro.
Humbja e Khersonit, e marrë në fazat e hershme të pushtimit, është një pengesë e madhe për Rusinë - megjithëse Moska këmbëngul se është ende territor rus.
Rusia e kishte shpallur atë qendër administrative të rajonit Kherson të aneksuar ilegalisht dhe ishte i vetmi kryeqytet rajonal që u pushtua.
Kherson u kap në mars, në një nga sukseset kryesore të hershme të Rusisë në luftë.
Rajoni ishte atëherë një nga katër që u aneksuan ilegalisht pas referendumeve të vetëquajtura që u mbajtën në shtator.