Njësitë e forcave raketore dhe artilerisë së Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës kanë goditur të enjten tri qendra komanduese dhe pesë depo municionesh të Rusisë.
Këtë e ka bërë të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës përmes një postimi në Facebook, transmeton Ukrinform.
Ndërkohë sipas tyre, deri në ora 18:00 e datës 17 nëntor, rusët ndërmorën pesë sulme ajrore dhe 25 sulme raketore, duke përdorur raketahedhës të shumtë më shumë se dhjetë herë.
Pushtuesit rusë, duke shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare, ligjet dhe zakonet e luftës, sulmuan me raketa infrastrukturën civile në Dnipro dhe Odesa, Balakleia në rajonin e Kharkiv, Vilniansk në rajonin Zaporizhzhia, Nikopol në rajonin Dnipropetrovsk dhe Ochakiv në rajonin e Mykolaiv.
Veç kësaj, sipas informacioneve të detajuara, Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës sot rrëzuan dy raketa lundrimi, dy raketa ajrore të “dirigjuara” dhe pesë mjete ajrore pa pilot Shahed-136 në drejtime të ndryshme.
Gjithashtu, sipas raportit, në Rusi po përgatitet një projektligj, i cili parashikon legalizimin e rekrutimit për shërbimin ushtarak nga pranvera e vitit 2023 për qytetarët e Ukrainës që jetojnë në territoret e pushtuara përkohësisht dhe kanë marrë pasaporta ruse.