“Na duhet fitorja”- Ministri i Jashtëm ukrainas: Barazimi me Rusinë, gabim strategjik për Evropën
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, paralajmëroi se një “barazim” midis Ukrainës dhe Rusisë do të ishte një “gabim strategjik” për Evropën.
Duke folur në një ngjarje që shënon rëndësinë e integrimit evropian të shtunën, Kuleba ka thënë se lejimi i Rusisë të pushojë do të krijonte një “bombë me sahat të konfliktit të ngrirë në mes të Evropës, që do të jetë gati të shpërthejë në çdo moment”.
“Sa herë që ne, evropianët, qëndruam të vendosur, parimorë, të bashkuar dhe të fortë, Putini gjithmonë tërhiqej”, ka thënë Kuleba. “Përkundrazi, çdo shenjë dobësie është një ftesë për Rusinë për terror dhe krime të mëtejshme. Kjo është arsyeja pse mbështetja për Ukrainën duhet të ruhet, forcohet dhe asnjë hap prapa në regjimin e sanksioneve kundër Rusisë nuk është i pranueshëm”, shtoi ai.
Ai shtoi se të gjitha “kompromiset” e bëra nga Ukraina do të ishin përfundimisht kompromise për sigurinë e Evropës.
Ukraina do të evakuojë të gjithë ata që duan të largohen nga Kherson
Ukraina së shpejti do të fillojë evakuimin e njerëzve që duan të largohen nga qyteti jugor i çliruar së fundmi, Kherson dhe zonat përreth, ka njoftuar një zyrtar i lartë, duke përmendur dëmet e shkaktuara nga forcat ruse.
Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk tha se disa njerëz kishin shprehur dëshirën për t’u larguar nga Kherson dhe zona përreth Mykolaiv, rreth 65 km në veriperëndim.
“Kjo është e mundur në ditët e ardhshme”, tha ajo në një konferencë shtypi televizive në Mykolaiv kur u pyet se kur do të fillonin evakuimet, duke thënë se qeveria kishte bërë tashmë përgatitjet e nevojshme.
Ndër ata që donin të largoheshin ishin të moshuar dhe ata që ishin prekur nga bombardimet ruse, shtoi ajo.
Kievi thotë se trupat ruse shkatërruan infrastrukturën kritike të Khersonit përpara se të largoheshin në fillim të këtij muaji.
“Ky është vetëm një evakuim vullnetar. Aktualisht, ne nuk po flasim për evakuim të detyruar”, tha Vereshchuk.
“Por edhe në rastin e evakuimit vullnetar, shteti mban përgjegjësi për transportin. Njerëzit duhet të çohen në vendin ku do të kalojnë dimrin”, tha ajo.