Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev paralajmëroi NATO-n të mërkurën që të mos furnizojë Ukrainën me sistemin e mbrojtjes raketore Patriot.
Medvedevi e karakterizoi NATO-n si një “entitet kriminal” për furnizimin me armë të atyre që ai i quajti “regjimet ekstremiste”.
Medvedev, i cili dikur e prezantonte veten si një modernizues liberal kur ishte president nga viti 2008 deri më 2012, është shfaqur gjithnjë e më shumë si një nga avokatët më të mëdhenj të luftës së Rusisë në Ukrainë, duke dhënë “dënime të ashpra” për Perëndimin në mediat sociale.
“Nëse, siç ka lënë të kuptohet (Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens) Stoltenberg, NATO furnizon fanatikët ukrainas me sisteme Patriot së bashku me personelin e NATO-s, ata do të bëhen menjëherë një objektiv legjitim i forcave tona të armatosura”, shkroi Medvedev në Telegram.
Nga mesazhi i tij nuk ishte e qartë nëse ai i referohej sistemeve Patriot, forcave ukrainase apo personelit të NATO-s që do të bëheshin objektiva.
“Bota e qytetëruar nuk ka nevojë për këtë organizatë. Ajo duhet të pendohet për njerëzimin dhe të shpërbëhet si një entitet kriminal”, shkroi ai, duke iu referuar NATO-s.
Ukraina u ka kërkuar partnerëve të saj perëndimorë mbrojtje ajrore, përfshirë sistemet Patriot të prodhuara nga Amerika, për ta mbrojtur atë nga sulmet ruse në infrastrukturën e saj energjetike.
Ministrat e NATO-s dënuan atë që i quajtën “sulmet e vazhdueshme dhe të pamatura të Rusisë ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike të Ukrainës” dhe u zotuan të rrisin mbështetjen për Kievin.