LIVE: Zbulohen detaje të planit të Moskës para pushtimit të Ukrainës, ky ishte qëllimi - Diplomatë ukrainas marrin letra kërcënuese!

Bota

LIVE: Zbulohen detaje të planit të Moskës para pushtimit të Ukrainës, ky ishte qëllimi - Diplomatë ukrainas marrin letra kërcënuese!

Nga: Bota sot Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 14:38 më 01.12.2022
Vladimir Putin

Gabimi fatal i ushtarëve të Putinit që iu kushtoi shtrenjtë, ja si rusët qëlluan ushtarët dhe avionët e tyre pasi kishin në duar harta të vjetra

Rusët u mashtruan shumë herë dhe shpenzuan municion në objektiva të rreme ukrainase duke vrarë ushtarët e tyre.

Sipas raportit të fundit nga instituti i ekspertëve RUSI (Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara), gjatë pushtimit të Ukrainës, forcat e presidentit rus Vladimir Putin u mbështetën në harta të vjetruara të objektivave ushtarakë për të hapur zjarr.

Si pasojë ata kanë qëlluar mbi ushtarët e tyre pasi nuk e dinin se ku ishin. Rusët u mashtruan shumë herë dhe shpenzuan municion në objektiva të rreme ukrainase dhe për burimet funksionale të Ukrainës ata menduan se ishin shkatërruar  por që në fakt nuk ishin shkatërruar por thjesht ishin mashtruar nga taktikat e forcave ushtarake të Ukrainës.

Në pamundësi për të zbuluar se si pilotët ukrainas ende po fluturojnë, duke pasur parasysh shkatërrimin e supozuar të bazave të tyre ajrore nga forcat, ata kanë spekuluar se Kievi mund të ketë ndërtuar një kompleks të përpunuar nëntokësor për të lejuar pilotët e tij të ngrihen.

Por diçka e tillë nuk është reale  por harta që posedojnë forcat ruse janë shumë të vjetra dhe shumë vende apo ndërtesa të Ukrainës nuk ekzistojnë në hartë.

Për shkak të mungesës së komunikimit, artileria ruse shënjestroi forcat e veta, ndërsa mbrojtja kundërajrore shënjestroi avionët miqësorë. Sistemi elektronik i kundërmasave Hibni, i cili supozohet të mbrojë pilotët rusë, në vend të kësaj bllokoi avionët e tyre.

Ndaj dhe kjo ka bërë që një nga problemet më të mëdha që minonte përpjekjet e Putinit për luftë ishte i ashtuquajturi zjarr miqësor. Ky fakt është pohuar edhe nga një komandantë pro Kremlinit: Shumica e vdekjeve të ushtarëve rreth 60% e tyre, që nga mesi i majit e deri tani janë shkaktuar nga zjarri i vetë rusëve.

Putin merr goditjen e fortë në Afrikë, avioni misterioz bombardon “besnikët e tij”

Një aeroplan misterioz ka fluturuar ditën e djeshme mbi një pjesë të territorit të Republikës Qendrore të Afrikës dhe ka hedhur bomba në disa objektiva ushtarakë. Sipas autoriteteve lokale, një nga këto objektiva ishte një fabrikë e vjetër përpunimi pambuku e kthyer në një bazë ushtarake. Por kjo bazë ushtarësh është ajo e Wagner-it, agjencia ruse e kontraktorëve e pranishme në vend prej disa vitesh. Një episod i cilësuar si serioz nga autoritetet e Afrikës Qendrore, të cilët denoncuan shkeljen e hapësirës së tyre ajrore, por nuk arritën të identifikonin mjetet e përdorura për të kryer bombardimin.

Detajet nga sulmi

Qyteti i Bossangoa u përfshi në aksionin e aeroplanit misterioz. E vendosur në prefekturën Ouham, në pjesën veriperëndimore të vendit, pozicioni i saj është shumë strategjik. Në fakt ndodhet përgjatë rrjedhës së lumit Bahr Sara, një nga më të rëndësishmit në zonë, dhe këtu konvergojnë disa nga arteriet rrugore më vitale në vend. Nuk është rastësi që Bossangoa, gjatë historisë së fundit, ka qenë gjithmonë në qendër të ngjarjeve më të rëndësishme që përfshijnë (dhe tronditën) Republikën e Afrikës Qendrore. Vitet e fundit, shumë grupe të lidhura me CPC (Koalicioni i Patriotëve për Ndryshim) kanë zënë vend këtu. Bëhet fjalë për formimin e rebelëve që luftojnë kundër qeverisë aktuale të Presidentit Faustin-Archange Touadera. Ata konsiderohen të afërt me ish-presidentin François Bozizé , deponimi i të cilit në vitin 2013 nisi luftën e vazhdueshme civile. Rëndësinë strategjike të Bossangoa i japin edhe kulturat e shumta të pambukut, shumë të kërkuara në tregun ndërkombëtar. Struktura u transformua fillimisht në një bazë ushtarake nga ushtarë francezë të dërguar nga Parisi si pjesë e misionit Sangaris . Më pas, helmetat blu të misionit Minusca zunë vendet e tyr . Nga viti 2021, siç theksohet në AgenizaNova, këtu janë vendosur "këshilltarët ushtarakë aleatë" të qeverisë Bangui. Domethënë forcat e kontraktorëve të Wagner-it. Avioni misterioz që bombardoi Bossangoa, siç raportohet në Jeune Afrique nga kryebashkiaku Pierre Denamguere, kishte në shënjestër ish-fabrikën e pambukut. Objektivi atëherë ishte të bombardonte forcat e Wagner.

Pse ndodhen aty ushtarët e Wagner?

Sulmi është politikisht i bujshëm, sepse kishte në shënjestër aleatët kryesorë të forcave qeveritare. Nëse rebelët do të kishin sulmuar, episodi mund të lidhej me dinamikën e luftës civile në vazhdim. Megjithatë, bastisja ajrore është kryer me një mjet që sigurisht ka ardhur nga hapësira ajrore e një shteti tjetër. Me shumë mundësi, siç nënkuptohet nga vetë kryebashkiaku i Bossangoa, avioni mbërriti nga Çadi aty pranë. Forcat Wagner janë të vendosura në rajonin Ouham për të ndihmuar qeverinë qendrore në rimëkëmbjen e plotë të zonës. Prej vitesh, presidenti i Afrikës Qendrore Touadera ka nisur një proces jozyrtar afrimi me Moskën. Jozyrtare, sepse Kremlini nuk ka dërguar kurrë trupa në vend, por ka favorizuar ardhjen e dhjetëra kontraktorëve të treguar si "këshilltarë ushtarakë" të paspecifikuar nga qeveria Bangui. Por nuk është mister që ata janë pikërisht stafi i Wagner, kompania e themeluar nga "kuzhinieri i Putinit", Yevgeny Prigozin. Në fund të fundit, operacione të ngjashme nga pala ruse janë duke u zhvilluar në vende të tjera afrikane, duke filluar nga Mali.

Pasojat e mundshme

Burime zyrtare në qeverinë e Afrikës Qendrore kanë premtuar një reagim të shpejtë. Për Bangui-n, ajo që ndodhi ishte një poshtërim i vërtetë: askush nuk vuri re një avion që hynte nga një vend tjetër dhe askush nuk ishte në gjendje ta përgjonte atë. "Është një akt i poshtër i kryer nga armiqtë e paqes”, thuhet në një shënim nga autoritetet Bangui, ky akt nuk do të mbetet i pandëshkuar dhe hapja e një hetimi gjyqësor tashmë është rregulluar për të përcaktuar përgjegjësinë për incidentin". Por është e qartë se episodi nuk ka të bëjë vetëm me ngjarjet e brendshme në Republikën e Afrikës Qendrore. Ushtarët e Wagner përfaqësojnë krahun e armatosur të Kremlinit përfshirë këtu Ukrainën. Ajo që ndodhi mund të jetë një sinjal "i thjeshtë" i nisur në Bangui, si dhe një paralajmërim i rëndësishëm për Moskën dhe për kontraktorët e Prigozhin.

​Gati 8 miliardë dollarë në asete ruse të ngrira në Zvicër

Zvicra ka ngrirë asetet financiare ruse me vlerë 7.5 miliardë franga zvicerane (7.9 miliardë dollarë) që nga 25 nëntori, thanë autoritetet të enjten.

Sipas Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO), 15 prona “të mbajtura nga persona, kompani dhe subjekte fizike të sanksionuara” janë bllokuar gjithashtu në gjashtë kantone zvicerane.

Shifra e fundit shënon një rritje të lehtë nga 7.09 miliardë dollarë të raportuara në korrik.

SECO tha se ishte njoftuar për asetet e sanksionuara ose jo të sanksionuara në pronësi ruse në Zvicër me vlerë 46.1 miliardë franga zvicerane (48.8 miliardë dollarë) që nga 3 qershori.

Ai sqaroi se rusët që kanë gjithashtu shtetësi ose leje qëndrimi për Zvicrën ose një shtet të Zonës Ekonomike Evropiane "janë të përjashtuar nga ndalimi i depozitimit të fondeve të reja, si dhe nga kërkesa për raportim".

Depozitat nën kufirin prej 100,000 frangash zvicerane (rreth 105,800 dollarë) janë gjithashtu të përjashtuara nga raportimi.

“Niveli i depozitave të raportuara, i cili tejkalon 46.1 miliardë CHF, nuk mund të barazohet me shumën totale të fondeve me origjinë ruse të mbajtura në Zvicër”, thuhet në deklaratën e SECO.

BE propozon krijimin e një gjykate të specializuar për të hetuar krimin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës

Komisioni Evropian propozon krijimin e një gjykate të OKB-së për të hetuar krimin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe krijimin e një mekanizmi ligjor për përdorimin e fondeve të bllokuara ruse për t’i paguar Ukrainës për dëmin e shkaktuar, si dhe për t’i shpenzuar këto fonde për rindërtimin e vendit.

Deklarata përkatëse u bë nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Twitter.

“Rusia duhet të paguajë për krimet e saj të tmerrshme. Ne do të punojmë me ICC dhe do të ndihmojmë ngritjen e një gjykate të specializuar për të gjykuar krimet e Rusisë. Me partnerët tanë, ne do të sigurohemi që Rusia të paguajë për shkatërrimin që shkaktoi, me fondet e ngrira të oligarkëve dhe aktivet e bankës së saj qendrore”, ka shkruar ajo.

Në një adresë video, të postuar edhe në llogarinë e saj në Twitter, von der Leyen foli më në detaje për synimet e Komisionit Evropian në lidhje me veprimet për të kërkuar llogari Rusinë për luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës. Versioni tekstual i adresës është publikuar në faqen e internetit të Komisionit Evropian.

“Pushtimi rus i Ukrainës ka sjellë vdekje, shkatërrim dhe vuajtje të papërshkrueshme. Ne të gjithë i kujtojmë tmerret e Bucha. Së pari, Rusia duhet të paguajë për krimet e saj të tmerrshme, duke përfshirë krimin e saj të agresionit kundër një shteti sovran. Kjo është arsyeja pse, duke vazhduar të mbështesim Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ne po propozojmë krijimin e një gjykate të specializuar, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e agresionit të Rusisë.Ne jemi të gatshëm të fillojmë të punojmë me komunitetin ndërkombëtar për të marrë mbështetjen më të gjerë ndërkombëtare të mundshme”, tha von der Leyen.

Në pjesën e dytë të fjalës së saj, ajo vuri në dukje se Rusia duhet të paguajë edhe financiarisht për shkatërrimin që shkaktoi. Dëmi i pësuar nga Ukraina vlerësohet në 600 miliardë euro. Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë Ukrainën për dëmin dhe të mbulojnë kostot për rindërtimin e vendit.

“Dhe ne kemi mjetet për ta bërë Rusinë të paguajë. Ne kemi bllokuar 300 miliardë euro të rezervave të Bankës Qendrore ruse dhe kemi ngrirë 19 miliardë euro para të oligarkëve rusë. Në afat të shkurtër, ne mund të krijojmë, me partnerët tanë, një strukturë për të menaxhuar këto fonde dhe për t’i investuar ato. Më pas do t’i përdorim të ardhurat për Ukrainën. Dhe pasi të hiqen sanksionet, këto fonde duhet të përdoren në mënyrë që Rusia të paguajë kompensimin e plotë për dëmet e shkaktuara në Ukrainë”, tha von der Leyen.

Ajo vuri në dukje se BE do të punojë për një marrëveshje ndërkombëtare me partnerët e saj për ta bërë të mundur këtë.

“Dhe së bashku, ne mund të gjejmë mënyra ligjore për të arritur tek ajo. Krimet e tmerrshme të Rusisë nuk do të mbeten pa u ndëshkuar,” shtoi ajo.

Zelensky: Lufta do të përfundojë kur Ukraina të fitojë ose Rusia të braktisë planet e saj agresive

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se lufta do të përfundojë kur Ukraina të fitojë ose Rusia të braktisë planet e saj agresive.

“Lufta do të përfundojë kur të fitojmë ne ose kur ta dëshirojë Federata Ruse. Mund të ndodhë që Rusia ta dëshirojë kur të ndjejë se është e dobët, se është në izolim dhe se nuk ka partnerë në këtë çështje.

Ne do të besojmë se kjo do të përfundojë në muajt e ardhshëm”, tha Zelensky.

Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke vazhduar agresionin e saj ushtarak që ka zgjatur që nga viti 2014.

Spanjë: Policia heton letra-bomba dërguar ambasadës ukrainase dhe kompanisë së prodhimit të armëve

Policia në Spanjë po shqyrton një lidhje të mundshme midis dy letrave-bomba dërguar ambasadorit ukrainas në Madrid dhe një kompanie armësh që prodhon raketahedhës që i janë dhuruar Kievit, konfirmoi policia në një deklaratë të mërkurën.

Në incidentin e parë, një oficer i ambasadës së Ukrainës në Madrid u lëndua kur hapi një letër-bombë drejtuar ambasadorit. Kievi urdhëroi rritjen e masave të sigurisë në të gjitha përfaqësitë jashtë vendit.

Letra, e cila mbërriti me postë të rregullt dhe nuk u skanua, i shkaktoi"një plagë shumë të vogël" në gisht kur oficeri e hapi atë në oborrin e ambasadës, tha Mercedes Gonzalez, një zyrtare e qeverisë spanjolle, për televizionin Telemadrid.

Ambasadori Serhii Pohoreltsev i tha faqes ukrainase të lajmeve European Pravda se paketa e dyshimtë drejtuar atij i ishte dorëzuar komandantit të ambasadës, një anëtar i personelit ukrainas.

"Paketa përmbante një kuti, e cila ngjalli dyshime tek komandanti i cili vendosi ta nxirrte jashtë - pa njerëz përreth - dhe ta hapte," citohet të ketë thënë ambasadori Pohoreltsev.

"Pasi hapi kutinë dhe dëgjoi një klikim, ai e hodhi dhe më pas dëgjoi shpërthimin. Pavarësisht se nuk e kishte në dote kutinë në momentin e shpërthimit, komandantit iu lënduan duart dhe pësoi një tronditje."

Orë më vonë, një kompani armësh në Zaragoza, në verilindje të Spanjës, mori një paketë të ngjashme, konfirmoi policia.

Përfaqësuesja e qeverisë në Zaragoza, Rosa Serrano, tha në një intervistë me stacionin SER se dy zarfet dukej se kishin të njëjtin dërgues, pasi e njëjta adresë e-mail ishte shkruar në anën e pasme të të dyve. Zonja Serrano tha se pakot vinin nga Ukraina dhe kjo e alarmoi kompaninë e armëve, e cila thirri policinë.

Kompania e armëve është Instalaza, prodhuesi i raketës C90 që Spanja i dhuron Ukrainës.

Pas incidentit të parë, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba urdhëroi të gjitha ambasadat e Kievit jashtë vendit që "urgjentisht" të forcojnë sigurinë dhe i kërkoi Spanjës të hetojë sulmin, tha një zëdhënës i ministrisë.

Qeveria ukrainase nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment në lidhje me incidentin e dytë.

Ambasadori Pohoreltsev i tha TVE-së më vonë se ai po punonte si zakonisht në ambasadë "i pa frikësuar".

"Ne kemi udhëzime nga ministria në Ukrainë që duke pasur parasysh situatën të jemi të përgatitur për çdo lloj incidenti, çdo lloj aktiviteti rus jashtë vendit," tha ai.

Gjykata e Lartë e Spanjës ka hapur një hetim për sulmin si një rast i mundshëm terrorizmi, tha një burim gjyqësor./VOA

Zelensky i bën thirrje Gjermanisë që t’i sigurojë Ukrainës sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje politikanëve gjermanë që të marrin një vendim për t’i siguruar Ukrainës sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.

Zelensky kujtoi se më 30 nëntor, parlamenti gjerman votoi për një rezolutë që njihte Holodomorin e viteve 1932-1933 si gjenocid kundër popullit ukrainas. Ai tha se ky vendim ishte i domosdoshëm për drejtësinë dhe të vërtetën.

Për më tepër, kreu i shtetit vuri në dukje se ky ishte një sinjal shumë i rëndësishëm për shumë vende të tjera se revanshizmi rus nuk do të kishte sukses në rishkrimin e historisë.

“Ne do të vlerësonim një vendim tjetër të Gjermanisë, i cili sigurisht do të bëhet historik për të transferuar sistemin Patriot në Ukrainë. Të gjitha brezat e ukrainasve do të falënderojnë kancelarin Scholz, si dhe të gjithë brezin e politikanëve modernë gjermanë,” tha ai.

Zonja e Parë e Ukrainës takohet me Mbretin Charles III në Londër

Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska është takuar me Mbretin Charles III në Londër.

“Kam pasur nderin të takoj personalisht Madhërinë e tij Mbretin Charles III. Së bashku vizituam katedralen katolike ukrainase në Londër, ku ndodhet edhe Qendra Ukrainase e Mirëseardhjes me qendër në Londër. Nuk është hera e parë që Madhëria e tij gjen kohë dhe fjalë të mira për të mbështetur emigrantët e detyruar nga Ukraina: ai i ka vizituar së fundmi në Skoci dhe më herët në Rumani”, tha Zelenska.

Zonja e Parë falënderoi në emër të të gjithë ukrainasve për ndihmën që Mbretëria e Bashkuar kishte dhënë dhe do të vazhdojë t’i japë Ukrainës. “Sepse këtu në Londër, në çdo hap, gjatë çdo takimi, ndjej se si po forcohet kjo mbështetje dhe bashkë me të edhe miqësia jonë po forcohet”, shtoi ajo.

Zelenska po viziton Londrën. Ajo mori pjesë në një pritje të organizuar nga Queen Consort Camilla me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Përveç kësaj, Zelenska mbajti një fjalim në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska takohet me Wallace: Ndihma e Britanisë bëri të mundur zmbrapsjen e armikut

Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska u takua me Sekretarin Britanik të Mbrojtjes Ben Wallace dhe theksoi se ndihma e vendit të tij i mundësoi Ukrainës jo vetëm të rezistojë, por edhe të zmbrapsë armikun në drejtime të caktuara.

“Britania e Madhe ishte vendi i parë evropian që furnizoi Ukrainën me armë vdekjeprurëse me fillimin e agresionit ushtarak në shkallë të plotë të Rusisë dhe vazhdon të mbështesë Ukrainën”, postoi Zelenska në Facebook .

Gjithashtu, sipas saj, Mbretëria e Bashkuar po trajnon ushtrinë ukrainase: deri në fund të këtij viti, 10,000 ushtarakë të Ukrainës do të përfundojnë stërvitjen e tyre dhe do të forcojnë ndjeshëm Forcat e Armatosura.

“Kam pasur rastin të falënderoj Sekretarin Britanik të Mbrojtjes Ben Wallace për përfshirjen e tij personale dhe pozicionin aktiv pro-ukrainas. Ndihma britanike na mundësoi jo vetëm të rezistojmë, por edhe të zmbrapsim armikun në drejtime të caktuara. Shpresoj se do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Deri fitore”, theksoi bashkëshortja e Presidentit.

Qendra e Khersonit goditet nga predhat ruse, raportohet për viktima

Pushtuesit rusë kanë bombarduar sërish qytetin e Khersonit. Raportohet se një civil është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Deklarata përkatëse është bërë nga kreu i Administratës Ushtarake Rajonale Kherson, Yaroslav Yanushevych në Facebook.

“Rashistët kanë goditur qendrën e Khersonit. Disa shtëpi banimi dhe objekte shëndetësore janë dëmtuar. Është goditur një tubacion gazi”, thuhet në raport.

Sipas Yanushevych, një grua 70-vjeçare u vra në banesën e saj. Gjithashtu, një 64-vjeçar ka mbetur i plagosur në rrugë, pasi predha ruse ra në rrugë.

Më 29 nëntor 2022, katër civilë u plagosën nga bombardimet ruse të rajonit Kherson.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat