Putin kërcënon hapur: Kushdo që sulmon Rusinë me armë bërthamore do fshihet nga faqja e dheut

Bota

Putin kërcënon hapur: Kushdo që sulmon Rusinë me armë bërthamore do fshihet nga faqja e dheut

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 16:45
Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar sërish Perëndimin. Pas një periudhe qetësie, Putin i është rikthyer retorikës bërthamore duke futur në ankth botën.

Dy ditë më parë ai paralajmëroi se Rusia do përdorë çdo lloj mjeti nëse cenohet integriteti i Rusisë. Por sot ai ka dalë hapur, duke deklaruar se çdo vend që guxon të sulmojë Rusinë me armë bërthamore do të “fshihet nga faqja e dheut”.

Ai pretendoi se Rusia nuk ka ndërmend të nisë një sulm ​​bërthamor, por shtoi se armët e avancuara hipersonike të Moskës kanë krijuar mundësinë që ajo të përgjigjet menjëherë nëse cenohet siguria e Rusisë, raporton “Sky News“.

Putin i bëri komentet gjatë një konference për shtyp në Bishkek, Kirgistan, duke shtuar se nuk ka nevojë që Rusia të thërrasë trupa shtesë për të luftuar në Ukrainë.

Ai tha se janë rekrutuar sëfundmi 150,000 luftëtarë, të cilët nuk janë dërguar në vijën e frontit pasi Moska thirri më shumë se 300,000 rezervistë në një lëvizje mobilizimi në shtator dhe tetor.

Më tej presidenti rus ka pohuar se dëshira e Perëndimit për të ruajtur dominimin në skenën botërore është fajtore për rritjen e rreziqeve të një konflikti të mundshëm.

“Potenciali për konflikt në botë po rritet dhe kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e përpjekjeve të elitave perëndimore për të ruajtur me çdo mjet dominimin e tyre politik, financiar, ushtarak dhe ideologjik”, tha Putin.

Sipas tij, SHBA qëllimisht shumëfishon kaosin dhe përkeqëson situatën ndërkombëtare. Ai gjithashtu akuzoi Perëndimin për “shfrytëzimin” e Ukrainës dhe përdorimin e popullit të saj si “ushqim për top”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat