LIVE: Alarmohet, ushtria e Putinit në ‘telashe shumë të mëdha’ – Bjellorusia i reagon Ukrainës pasi një raketë ra në territorin e saj

Bota

LIVE: Alarmohet, ushtria e Putinit në ‘telashe shumë të mëdha’ – Bjellorusia i reagon Ukrainës pasi një raketë ra në territorin e saj

Nga: Bota sot Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 21:57 më 29.12.2022
Raketa e hedhur në rajonin e Brestit në Bjellorusi. 29 dhjetor 2022

Ushtria e Putinit në ‘telashe shumë të mëdha’ shkon në vitin 2023 – thotë majori amerikan në pension

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës duhet të “kulmojë” deri në verën e vitit 2023, sipas një zyrtari në pension të ushtrisë amerikane.

Majori në pension John Spencer ka thënë se ai nuk ndan mendimin se lufta do të zgjasë me vite siç kanë parashikuar të tjerët, për shkak të fuqisë së Ukrainës në fushën e betejës dhe mbështetjes nga aleatët perëndimorë.

“Unë mendoj se është e qartë se Putini nuk do të heq dorë lehtë nga qëllimet e tij. Atij nuk i intereson se sa ushtarë rusë do të vdesin”, tha Spencer. “Por ushtria ruse është në telashe, telashe shumë të mëdha. Putini dëshiron të ngadalësojë luftën. Atij i duhet kohë për t’u dhënë të paktën pak stërvitje ushtarake mijëra njerëzve që u detyruan të hyjnë në shërbimin ushtarak”.

“Në këtë pikë, unë nuk shoh ndonjë drejtim në të cilin ushtria ruse mund të përparojë. Qëllimi i tyre i vetëm është të mbajnë atë që kanë marrë dhe unë mendoj se as ata nuk do të kenë sukses”.

Ndërsa Hilary Appel, profesoreshë në “Claremont McKenna College” në Claremont, Kaliforni, i tha Newsweek se Rusia ka mundësi të tjera për mbështetje ushtarake, si Irani dhe Koreja e Veriut.

Dronët e Iranit kanë një ndikim të rëndësishëm në luftë, tha ajo, në fushën e betejës dhe në llogaritjet e vendeve të tjera si Izraeli, i cili ka treguar përmbajtje për shkak të konsideratave të veta strategjike.

“… Por logjistika e dobët e ushtrisë ruse dhe një strukturë komanduese joefektive, e kombinuar me trupat ukrainase të trajnuar mirë dhe shumë të motivuar, ia dolën të ndalonin avancimin dhe të de-okuponin territorin e pushtuar”. 

Bjellorusia proteston ndaj Ukrainës pasi një raketë ra në territorin e saj

Bjellorusia thirri në bisedë ambasadorin e Ukrainës, Dzhyhun Valery, për të protestuar kundër një rakete ukrainase të mbrojtjes ajrore që u ul pranë qytetit të Brestit në Bjellorusinë perëndimore.

Ministria e Jashtme në Minsk kërkoi nga që Ukraina që "të kryejë një hetim të plotë" dhe "të mbajë përgjegjës” personat e përfshirë.

Deri tani nuk janë raportuar viktima.

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha më herët se mbrojtja e saj ajrore kishte rrëzuar një raketë ukrainase S-300 në rajonin kufitar të Brestit, në orët e hershme të mëngjesit.

Ukraina u shënjestra nga një tjetër breshëri raketash ruse të entjen.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia lëshoi mbi 120 raketa.

Sipas administratës rajonale, në Kiev, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan për të shmangur sulmin me raketa. Në qytet u dëgjuan krisma shpërthimesh.

Autoritetet ukrainase në disa rajone thanë se disa raketa ruse u neutralizuan.

Më 22 dhjetor, Ukraina tha se po përgatitet për një ofensivë eventuale të re të shkallës së gjerë nga forcat ruse, në fillim të vitit që po vjen.

Rusia po vazhdon të grumbullojë trupa në Bjellorusinë fqinje, një vend që Moska e ka përdorur si platformë për ta sulmuar Ukrainën.

Deri më tani, forcat bjelloruse nuk i janë bashkuar luftës së Rusisë në Ukrainë.

Megjithatë, një takim i zhvilluar së voni ndërmjet presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka nxitur spekulimet se Moska po përpiqet t’i bëjë trysni Minskut që t’i bashkohet 

Vladimir Putin bën njoftimin me rëndësi: Katër nëndetëse të tjera bërthamore do të ndërtohen

Rusia do të ndërtojë edhe katër nëndetëse të reja bërthamore që do të garantojnë sigurinë për dekadat e ardhshme, sipas mediave të huaja.

Lajmi është bërë i ditur nga presidenti Vladimir Putin.

“Dëshiroj të theksoj se katër nëndetëse të tjera bërthamore do të ndërtohen sipas programit aktual të riarmatimit. Kjo do të sigurojë sigurinë e Rusisë për dekadat e ardhshme,” vuri në dukje Putin.

Nëndetëset ‘Generalissimo Suvorov’ dhe ‘Perandori Alexander III’ janë të afta të mbajnë 16 raketa balistike Bulava.

Çfarë ndodhi? Raketa ukrainase bie në Bjellorusi, zbardhet lëvizja më e fundit e ekspertëve

Një raketë ukrainase e sistemit të mbrojtjes ajrore S-300 ra sot në territorin e Bjellorusisë.

Sputnik Belarus në kanalin e tij Telegram shkruan se ngjarja ka nodhur rreth orës 11:00 dhe se për këtë është njoftuar menjëherë kreu i shtetit.

“Sot, ndërmjet orës 10:00 dhe 11:00, një raketë ukrainase S-300 u regjistrua duke rënë nga territori i Ukrainës në atë të Bjellorusisë. Për ngjarjen është njoftuar menjëherë kreu i shtetit”, thuhet në njoftim.

Një grup ekspertësh nga Komiteti Hetimor i Ministrisë së Mbrojtjes së vendit, ka nisur hetimet, pas urdhrit të Lukashenkos për ngjarjen konkrete.

Kreu i inteligjencës ushtarake të Ukrainës: Luftimet kanë stagnuar

Luftimet në Ukrainë aktualisht kanë stagnuar meqenëse as Ukraina e as Rusia nuk kanë bërë përparime të rëndësishme, thotë kreu i inteligjencës ushtarake të Kievit, Kyrylo Budanov.

Kurse, në anën tjetër, ai tha se Kievi po pret armë të sofistikuara nga aleatët perëndimorë.

“Situata ka ngecur, dhe nuk po lëviz”, thotë Budanov për BBC.

Pasi trupat ukrainase rimorën qytetin jugor Kherson në muajin në nëntor, shumica nga luftimet më të ashpra ndodhën rreth qytetit Bakhmut, në lindje të Donetskut.

Duket se forcat ruse janë pozicionuar në mbrojtje, derisa dimri ka ngadalësuar ritmin e operimeve tokësore të Ukrainës përgjatë linjës së frontit prej 1000 kilometra.

“Kuptohet se ne nuk mund t’i mundim ata në të gjitha drejtimet dhe as ata neve. Po presim për furnizim me armatim të ri të sofistikuar”, tha ai.

Në fillim të muajit, pas një sërë pengesash të ushtrisë ruse, zyrtarët ukrainas paralajmëruan për mundësinë e një tjetër ofensive tokësore nga forcat e Moskës nga Bjellorusia në fillim të vitit 2023. Kjo shtytje mund të jetë përpjekje e dytë për të pushtuar kryeqytetin Kiev dhe përfshin me mijëra rezervistë të trajnuar në Rusi.

Sidoqoftë, Budanov hodhi poshtë aktivitetet ushtarake të Rusisë në Bjellorusi, si edhe lëvizjen e mijëra trupave si përpjekje për të lëvizur trupat e Ukrainës nga fushëbetejat në jug dhe lindje në veri.

Gjithashtu, ai tha se një tren i mbushur me ushtarë rusë u ndal në një vend afër kufirit të Ukrainës me Bjellorusinë dhe u kthye prapa disa orë më vonë me të gjithë ushtarët.

Ukraina u shënjestra nga një tjetër breshëri raketash ruse

Disa rajone të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin e saj, janë përballur me disa sulme raketore rus mëngjesin e 29 dhjetorit. Këto janë sulmet më të fundit të Rusisë që targeton infrastrukturën kombëtare të Ukrainës.

Sirenat e sulmit ajror u lëshuan në të gjithë vendin.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia lëshoi mbi 120 raketa.

Sipas administratës rajonale, në Kiev, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan për të shmangur sulmin me raketa. Në qytet u dëgjuan krisma shpërthimesh.

Kryebashkiaku i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se shpërthime të shumta ndodhën në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Shpërthime u dëgjuan gjithashtu në qytetin e Lvivit pranë kufirit me Poloninë, sipas kryebashkiakut Andriy Sadovyi.

Autoritetet ukrainase në disa rajone thanë se disa raketa ruse u neutralizuan.

Guvernatori i rajonit të Mikolajivit në Ukrainën jugore, Vitaliy Kim, tha se pesë raketa u rrëzuan mbi Detin e Zi. Komanda e ushtrisë ukrainase North tha se dy raketa u rrëzuan mbi rajonin Sumy, që ndodhet në kufirin me Rusinë në verilindje të vendit.

Pjesë të raketave ruse që u rrëzuan dëmtuan dy ndërtesa private në lagjen Darnytskyi të Kievit, njoftoi administrata e qytetit.

Një objekt industrial dhe një shesh lodrash në lagjet e vendosura përtej lumit Dnieper, gjithashtu u dëmtuan, thanë zyrtarët e qytetit.

Nuk u raportua për viktima./REL

Lavrov kundërshton ‘formulën e paqes’ së propozuar nga Zelensky: Nuk janë gati për bisedime

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov ka hedhur poshtë “formulën e paqes” të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy si bazë për negociata mes vendeve.

Sipas një raporti të agjencisë ruse të lajmeve RIA, Lavrov beson se Ukraina nuk është ende gati për bisedime reale të paqes, teksa ai i tha medias ruse se qëllimi i Ukrainës për të dëbuar Rusinë nga lindja dhe Krimea me ndihmën e Perëndimit ishte “një iluzion”.

Kjo deklaratë e tij vjen vetëm pak ditë pasi Lavrov u duk se i dha fund çdo perspektive të menjëhershme të bisedimeve të paqes në konfliktin 10-mujor.

Vonë në mbrëmje, ai i tha agjencisë së lajmeve Tass: “Propozimet tona për çmilitarizimin dhe denazifikimin e territoreve të kontrolluara nga regjimi ukrainas, eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë së Rusisë që burojnë prej andej, duke përfshirë tokat tona të reja, janë të njohura për armiku.

Komentet e tij kishin ardhur vetëm disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin kishte këmbëngulur se donte të negocionte “me të gjithë të përfshirët për zgjidhje të pranueshme” dhe se Kievi dhe Perëndimi ishin fajtorë për mungesën e progresit deri më tani.

Kievi vë në pikëpyetje statusin e Rusisë si anëtare e OKB-së

Ukraina vë në dyshim legjitimitetin e Rusisë si anëtare e OKB-së dhe e Këshillit të Sigurimit.

Kievi zyrtar ka nisur një iniciativë me të cilën vë në dyshim legjitimitetin e Rusisë si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe e të gjitha organeve të OKB-së.

Sipas Ministrisë së Jashtme në Kiev, anëtarësia e Moskës në OKB ose në Këshillin e Sigurimit nuk është e rregulluar sipas së drejtës ndërkombëtare, njoftoi Ukrajinska Pravda. Sipas Kievit zyrtar Rusia e konsideron "gabimisht" veten anëtare të OKB-së që nga dhjetori i vitit 1991.

Sipas Kievit në kartën e OKB-së nuk figuron emri "Federata Ruse" dhe Rusia nuk ka kaluar nëpër procedurën e nevojshme të pranimit si anëtare e kësaj organizate, si p.sh. në rastin e Republikës Çeke dhe Sllovakisë pas shpërbërjes së Çekosllovakisë. Edhe ish-republikave përbërëse të Jugosllavisë u duhej të ribënin kërkesë për anëtarësim në OKB pas shpërbërjes së shtetit shumëkombësh.

Rusiae konsideron veten pasardhëse legjitime të Bashkimit Sovjetik, i cili ishte një prej anëtarëve themelues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në dhjetor të vitit 1991, presidenti i atëhershëm rus Boris Jelcin, thjesht informoi OKB-në se Rusia, me mbështetjen e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, do të vazhdojë të jetë anëtare e OKB-së dhe e të gjitha organeve të  saj.

Këshilli i Sigurimit, organi më i fuqishëm i OKB-së, përbëhet nga 15 anëtarë. Detyra e tij është të merret me zgjidhjen e krizave globale, përmes vendosjes së sanksioneve, miratimit të aksioneve ushtarake dhe miratimit të amendamenteve të Kartës së OKB-së. Përveç Rusisë, anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje janë SHBA-ja, Kina, Franca dhe Britania e Madhe./DW

Gjashtë faktorët që do të diktojnë luftën dimërore të Rusisë në Ukrainë

 Stephen Fidler Stephen Fidler

Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po hyn në vitin e saj të dytë, muajt e ardhshëm do të na japin të dhëna shumë të rëndësishme nëse forcat e Moskës do të jenë në gjendje të ndalin apo edhe të ndryshojnë vrullin e fituar nga trupat ukrainase në fushën e betejës. Teksa fundi i luftimeve ende duket shumë i largët, ja cilët janë 6 faktorët e mëdhenj që do të ndikojnë në trajektoren e luftës në muajt e parë të vitit 2023.

Moti

Tanket e ushtrisë ukrainase, ashtu si ato të rusëve, janë përballur kohët e fundit me një terren plot baltë. Por ngricat mund ta ngurtësojë tokën. Për momentin në Ukrainë është ende “stina e baltës”. Temperaturat kanë rënë nën zero, por nuk janë ende të ulëta sa ta ngurtësojnë terrenin. Edhe automjetet e blinduara e kanë të vështirë të lëvizin kudo përveç rrugëve të asfaltuara. Në pjesën më të madhe të vijës së frontit që ndan forcat ruse dhe ukrainase, ritmi i konfliktit është ngadalësuar. Forcimi i terrenit ka të ngjarë të rritë intensitetin e konfliktit. Në këtë rast me e favorizuar mund të jetë Ukraina, pala që e ka treguar veten më të aftë për manovra të shpejta ushtarake.

Edhe pse do të ishte më sfiduese për forcat që përparojnë që të gërmojnë llogoret dhe të mbrojnë pozicionet e reja të fituara. Të ndihmuara nga pajisjet moderne dimërore të ofruara nga Kanadaja dhe vendet e tjera, forcat ukrainase duken më të përgatitura për këtë stinë sesa rusët. Linjat e furnizimit të Ukrainës janë më të shkurtra. Trupat ukrainase po lëvizin sa brenda dhe jashtë vijave të frontit, duke i lejuar që të pushojnë dhe të rikuperohen. Po ashtu duken më të motivuara se sa forcat ruse. 

Bakhmut

Përpjekja e Rusisë për të pushtuar qytetin Bakhmut në rajonin e Donetsk, ka marrë një rëndësi psikologjike përtej rëndësisë së saj strategjike. Humbja do të sillte tërheqjen e forcave ukrainase dhe do t’i jepte Moskës një fitore propagandistike. Qyteti mbetet një nga zonat e pakta ku forcat ruse po përpiqen të avancojnë, por goditjet e pamëshirshme ndaj pozicioneve ukrainase muajt e fundit kanë sjellë vetëm përparime minimale, dhe kjo me një numër të madh viktimash. 

Bakhmut është politikisht i rëndësishëm për tre aktorë kryesorë në Moskë. Për presidentin Vladimir Putin, pushtimi i qytetit do t’i jepte mundësi të pretendonte se Rusia po ecën mirë në fushatën e sj ushtarake në Donbass. Për Yevgeny Prigozhin dhe mercenarët e Grupit Vagner, kjo do të ndihmonte pretendimet e tij se ai drejton forcën më të mirë luftarake në Rusi. Ndërsa për gjeneralin Sergey Surovikin, komandantin e ri ushtarak rus në Ukrainë, kjo do të justifikonte tërheqjen e tij muajin e kaluar nga qyteti jugor Kherson.

Ofensiva ukrainase

Shumica e analistëve ushtarakë besojnë se Ukraina po ruan pjesën më të madhe të iniciativës strategjike, që kur ajo çliroi gjatë vjeshtës pjesë të mëdha të territorit të pushtuar nga Rusia. 

Ata besojnë se Ukraina do të përpiqet të qëndrojë në sulm gjatë dimrit, dhe nëse është e mundur t’i shtyjë akoma më tej forcat ruse.

Ata mendojnë se kjo ofensivë do të mbështetej në 2 drejtime. I pari do të synonte një linjë midis qyteteve lindore të Svatove dhe Kreminna në rajonin e Luhansk, dhe i dyti do të synonte qytetet Melitopol dhe Berdyansk në rajonin e Zaporizhzhia në jug. Arritja e këtij objektivi do të ndërpriste linjat kryesore të furnizimit dhe komunikimit midis Rusisë dhe Krimesë.

Mbrojtja ruse

Një avantazh i humbjes së territorit gjatë vjeshtës, është se tani Rusia duhet të mbrojë një front shumë më të shkurtër. Vlerësimet ukrainase thonë se fronti është zvogëluar nga rreth 1126 km në rreth 885 km, nga të cilat 386 km përbëhen nga barriera lumore. Dhe drejtimet e mundshme të sulmit të Ukrainës janë të dukshme edhe për rusët.

Ushtria ruse ka hapur llogore për të mbrojtur pjesë të mëdha të frontit. Gërmime janë kryer edhe në Krime, madje edhe në plazhet atje për të penguar zbarkimet e mundshme të trupave amfibe ukrainase. Mykola Bielieskov, studiues në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike me bazë në Kiev, një institut kërkimor i mbështetur nga qeveria, thotë se “Moska po përgatitet për çdo lloj kontingjenti të mundshëm”. 

Edhe Michael Clarke, profesor i studimeve të mbrojtjes në Kolegjin Mbretëror të Londrës, mendon se Rusia “shpreson se do të ndodhë diçka”, si për shembull një rënie e mbështetjes perëndimore për Ukrainën gjatë një dimri të ftohtë apo dobësimi i mbështetjes së SHBA-së me rritjen e ndikimit të republikanëve. 

Ofensiva ruse

Banorët e Bakhmut që nuk kanë ikur nga qyteti, janë të varur nga ndihmat humanitare. Zyrtarë të lartë ukrainas kanë thënë kohët e fundit se Rusia po përgatitet për ofensiva të mëtejshme të mëdha në Ukrainë, duke planifikuar të kombinojë gjysmën e 300.000 rezervistëve që nuk janë dërguar në front me njësitë ekzistuese për të kryer një ofensivë në fillim të vitit të ardhshëm. 

Kjo mund të përfshijë një sulm të mëtejshëm nga territori i Bjellorusisë në drejtim të Kievit, thanë ata. Analistët perëndimorë janë skeptikë nëse rezervistët mund të arrijnë atë që nuk arritën trupat më të afta në fillim të këtij viti. Phillips O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin St.Andrews në Skoci, dyshon nëse do të ketë të ngjarë të nisë një sulm i plotë nga Bjellorusia në Kiev. “Do të duhej planifikimi dhe grumbullimi i forcave, dhe që ë dyja do të ishin relativisht të lehta për t’u vëzhguar”- thotë ai.

Ngjarjet jashtë Ukrainës

Nëse Putin shpreson tek rënia e mbështetja perëndimore për Ukrainën, kjo nuk ka ndodhur ende. Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington pak ditë më parë tregon se mbështetja amerikane për Ukrainën mbetet e fortë. Ndërkohë deri më tani e tillë ka qenë edhe mbështetja nga qeveritë evropiane, edhe pse ekonomitë e tyre po dobësohen për shkak të çmimeve të larta të energjisë.

Në paketën e fundit të mbështetjes së SHBA-së, përshihet bateria e parë e mbrojtjes ajrore e raketave “Patriot”, për të ndihmuar në mbrojtjen e rrjetit elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturës tjetër, që është goditur rëndë nga dronët dhe raketat balistike. 

Por ky sistem do të kërkojë trajnimin e forcave ukrainase, që do të thotë se mund të mos jetë funksional deri në pranverë. Disa liderë po vazhdojnë të flasin për kushtet për paqe. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi së fundmi se Perëndimi duhet t’i japë Rusisë garanci sigurie si pjesë e çdo negociate për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Por çdo bisedë e tillë duket shumë larg, pasi Zelensky thotë se objektivi i Ukrainës është të rifitojë të gjithë territorin e humbur që nga viti 2014, teksa Putin parashtron ambicie maksimaliste, dhe e përshkruan luftën si pjesë të një lufte të përhershme midis Rusisë dhe Perëndimit.

Letra e një ushtari ukrainas: Luftojmë dhe vdesim mes shiut dhe baltës, ja mesazhi im për politikanët evropianë…

“Do të doja që ky tekst të ri-postohej, kopjohej dhe përkthehej në gjuhë të ndryshme. Të ndahet me të huajt dhe me politikanët e tyre. Unë nuk jam ushtarak. Nuk kam dashur asnjëherë të jem pjesë e ushtrisë. Unë kam një doktoraturë në histori, pra jam një studiues, punonjës në një muze. Dhe pak shkrimtar. 

Në përditshmërinë time merrem me kërkime në fushën e historisë dhe shkrimin e veprave shkencore. Po ashtu edhe libra artistikë. Por kohët e fundit kam qenë në ushtri. Sepse… në vendin tim po zhvillohet një luftë. 

Ne flemë mbi arka, ngjeshur pas njëri-tjetrit në pjesën e pasme të kamionëve dhe lahemi një herë në muaj me ujë të ngrohtë. Kur bie shi lagemi deri në palcë, dhe bëhemi me baltë nga koka tek këmbët (dhe ju kujtoj lahemi një herë në muaj, dhe nuk është e sigurt se do të jetë e mundur muajin tjetër).

Dhe në kushte të ngjashme, nëse jo më keq, janë aktualisht në Ukrainë mijëra historianë, shkrimtarë, kontabilistë, bankierë, punonjës të IT, mësues, stilistë dhe njerëz të profesioneve të tjera paqësore. Ata po vriten nga armët 152 dhe raketat Tochka-U, por edhe nga plumbat, municione thërrmuese dhe ato prej fosfori. 

Disa prej tyre kanë vdekur tashmë. Dhe disa nuk do t`i rikthehen kurrë më profesionit të tyre, pasi kanë pësuar trauma të rënda psikologjike. E megjithatë të gjithë vazhdojnë të luftojnë. Sepse pas tyre qëndron Ukraina. Sepse nëse ata i dorëzojnë armët, prindërit e tyre do të vriten, gratë dhe vajzat e tyre do të përdhunohen, dhe shtëpitë e tyre do të shkatërrohen ose do të konfiskohen.

Dhe kur politikanët nga Franca, Italia, Gjermania dhe vende të tjera sugjerojnë që të hedhim armët, të pajtohemi me humbjen e territoreve, t’i japim Rusisë disa garanci sigurie (absurde!!! Rusia nuk ka nevojë për asnjë garanci sigurie, fqinjët e saj kanë nevojë për garanci kundër kërcënimeve nga Moska)… 

Ndjej shumë zemërim dhe neveri. Neveri për këta njerëz të parëndësishëm, të cilët, për shkak të paragjykimeve të tyre ose falë parave të pista të Putinit, janë gati të dënojnë vendin tim me një gllabërim dhe me një vdekje të ngadaltë dhe të dhimbshme. 

Neveri dhe zemërim për ata që zotërojnë një fuqi të jashtëzakonshme për të ndihmuar në tejkalimin e krizës, por që kërkojnë, me apo pa vetëdije, ta thellojnë atë. Sepse edhe një dorëzim i plotë i Ukrainës përballë Rusisë, nuk do ta zgjidhë dot problemin e sigurisë globale.

Përkundrazi, kjo do ta nxisë Rusinë të kryejë pushtime të reja. Nuk kemi nevojë të na propozoni një pakt sipas të cilit duhet të dorëzohemi. Në rast se nuk jeni gati të luftoni me ne kundër një armiku të tërbuar, atëherë na ndihmoni me armë, para, sanksione. 

Ne kemi nevojë për gjithçka që është e mundur për të mposhtur Rusinë, dhe për të reduktuar në mënyrë drastike krizën globale. Por ne kemi ama gjënë më të rëndësishme: motivimin. Kemi historianë që janë të gatshëm të flenë mbi arka, 5 persona në 2 të tilla, dhe të jetojmë ta llangosur me baltë për javë të tëra pa pasur mundësi të lahemi.

Ne kemi kontabilistë që janë të gatshëm të mos hanë asgjë përveç një supe të thjeshtë për muaj të tërë. Kemi studentë të rinj që po i kalojnë vitet e tyre më të mira në rrezikun e vdekjes në çdo moment. Dhe ata nuk do të shkojnë askund nëse nuk vriten të gjithë. 

Dhe kjo me pëlqimin tuaj. Unë ju them se Ukraina do të luftojë ose deri në fitore, ose derisa të mos mundet të rezistojë më. Po ju çfarë do të bëni? 

Me respekt, doktoranti në histori, autori i gjashtë librave, sot një rreshter i ri në Forcat e Armatosura të Ukrainës, Nazar Razlutsky. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat