Ukraina vë në dyshim legjitimitetin e Rusisë si anëtare e OKB-së dhe e Këshillit të Sigurimit.
Kievi zyrtar ka nisur një iniciativë me të cilën vë në dyshim legjitimitetin e Rusisë si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe e të gjitha organeve të OKB-së.
Sipas Ministrisë së Jashtme në Kiev, anëtarësia e Moskës në OKB ose në Këshillin e Sigurimit nuk është e rregulluar sipas së drejtës ndërkombëtare, njoftoi Ukrajinska Pravda. Sipas Kievit zyrtar Rusia e konsideron "gabimisht" veten anëtare të OKB-së që nga dhjetori i vitit 1991.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/December/29/auto_421672297330.jpg)
Sipas Kievit në kartën e OKB-së nuk figuron emri "Federata Ruse" dhe Rusia nuk ka kaluar nëpër procedurën e nevojshme të pranimit si anëtare e kësaj organizate, si p.sh. në rastin e Republikës Çeke dhe Sllovakisë pas shpërbërjes së Çekosllovakisë. Edhe ish-republikave përbërëse të Jugosllavisë u duhej të ribënin kërkesë për anëtarësim në OKB pas shpërbërjes së shtetit shumëkombësh.
Rusiae konsideron veten pasardhëse legjitime të Bashkimit Sovjetik, i cili ishte një prej anëtarëve themelues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në dhjetor të vitit 1991, presidenti i atëhershëm rus Boris Jelcin, thjesht informoi OKB-në se Rusia, me mbështetjen e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, do të vazhdojë të jetë anëtare e OKB-së dhe e të gjitha organeve të saj.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/December/29/auto_431672297331.jpg)
Këshilli i Sigurimit, organi më i fuqishëm i OKB-së, përbëhet nga 15 anëtarë. Detyra e tij është të merret me zgjidhjen e krizave globale, përmes vendosjes së sanksioneve, miratimit të aksioneve ushtarake dhe miratimit të amendamenteve të Kartës së OKB-së. Përveç Rusisë, anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje janë SHBA-ja, Kina, Franca dhe Britania e Madhe./DW