LIVE: E tmerrshme/ Rusia goditi Ukrainën me 43 raketa – Si Millosheviqi, Putini duhet të dalë para gjyqit në Ukrainë!

Bota

LIVE: E tmerrshme/ Rusia goditi Ukrainën me 43 raketa – Si Millosheviqi, Putini duhet të dalë para gjyqit në Ukrainë!

Më: 1 janar 2023 Në ora: 07:21 Përditësuar në ora: 16:26 më 01.01.2023
Foto ilustrim

Gjykatësi që udhëhoqi rastin kundër Millosheviqit, thotë se Putini duhet të gjykohet sivjet

Presidenti rus Vladimir Putin duhet të dalë para gjyqit në Ukrainë këtë vit për krime lufte të kryera atje, thotë njeriu që udhëhoqi ndjekjen penale të ish-udhëheqësit serb Slobodan Millosheviq.

Sir Geoffrey Nice i tha BBC-së se Putini ishte “fajtor” për sulmet ndaj objektivave civile gjatë luftës.

Avokati britanik shprehu habinë e tij që prokurorët dhe politikanët nuk po e “potenconin këtë shumë më lirshëm dhe më hapur”.

Rusia mohon të ketë kryer krime lufte.

Por, duke folur për programin Radio 4 të BBC-së, Sir Geoffrey i përshkroi veprimet e Moskës gjatë pushtimit si “krime kundër njerëzimit” – pasi objektivat civilë po sulmoheshin.

Krimet kundër njerëzimit konsiderohen si ndër veprat më të rënda sipas të ashtuquajturave “rregulla” të luftës.

Këto ligje ndalojnë sulmet ndaj civilëve – ose infrastrukturës jetike për mbijetesën e tyre – dhe janë përcaktuar në traktatet ndërkombëtare si Konventat e Gjenevës.

Për shembull, sulmet e përsëritura të Rusisë në rrjetin energjetik të Ukrainës gjatë dimrit janë përshkruar si krime lufte për shkak të dëmit të shkaktuar ndaj civilëve. Rusia këmbëngul se po godet vetëm objektiva ushtarake.

Trupat e Moskës janë akuzuar nga komuniteti ndërkombëtar për mijëra abuzime që nga invazioni i tyre në shkallë të plotë të vendit fqinj shkurtin e kaluar.

Prokurori i Përgjithshëm në Kiev thotë se deri më tani janë regjistruar më shumë se 62,000 krime lufte, duke përfshirë vdekjen e më shumë se 450 fëmijëve. BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë këto shifra.

Sir Geoffrey ka punuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) midis 1998 dhe 2006.

Ai udhëhoqi çështjen kundër ish-udhëheqësit serb Slobodan Millosheviq, i cili doli në gjyq në Hagë në 2002 për krime lufte të kryera në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Millosheviqi – i njohur si “kasapi i Ballkanit” – vdiq në burg para përfundimit të gjyqit.

Duke komentuar luftën në Ukrainë, Sir Geoffrey tha se rasti “nuk mund të ishte më i qartë” kundër zotit Putin dhe nuk kishte “asnjë dyshim” për një zinxhir komandimi që të çonte te njeriu në Kremlin.

Kjo do të thoshte se “gjëja më e rëndësishme” ishte që të gjykohej vetë lideri rus, në vend të ushtarëve të rangut të ulët, tha ai për “Broadcasting House”.

Ai shtoi se çfarëdo gjyqi “mund të nis nesër në mëngjes, për sa më përket mua” dhe duhet të mbahet nga ukrainasit në gjuhën ukrainase. Vetë Putini nuk do të kishte nevojë të ishte i pranishëm, tha ai.

Sir Geoffrey spekuloi mbi një arsye të mundshme pse udhëheqësi rus nuk ishte përballur me veprime më të ashpra deri më tani – duke thënë se mund të ketë një lëvizje për ta përjashtuar atë nga ndjekja penale si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Ai tha se Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) – e cila ka juridiksion mbi Ukrainën – “ende nuk ka bërë një deklaratë në lidhje me përgjegjësinë e Putinit për këtë krim”.

Gjykatësi Sir Geoffrey tha se ky “ngurrim” ngriti pyetjen nëse kishte një lloj “përparësie politike” për të mos paditur presidentin.

Por ai tha se ideja e ndonjë zgjidhjeje paqeje që pengonte një gjykim ndaj Putinit ishte një “perspektivë e tmerrshme” e cila do të ishte “një mohim i plotë i drejtësisë për popullin e Ukrainës”.

Si përgjigje, ICC hodhi poshtë çdo pohim për “presion ose ndikim” ndaj prokurorit, Karim Khan, për të vonuar çdo hetim.

Khan kishte “deklaruar në mënyrë të përsëritur… për të demonstruar se përgjegjësia është një imperativ që duhet arritur”, thuhet në një deklaratë të ICC.

Aty u tha se prokurori kishte punuar në terren në Ukrainë për të mbledhur prova të krimeve të luftës – dhe urdhër-arrestet do të lëshoheshin kur të ishin mbledhur prova të mjaftueshme. 

Rusia nuk ka më qëllime ushtarake, synon vetëm civilët

Rusia “nuk ka më asnjë synim ushtarak”, por “po përpiqet të vrasë sa më shumë civilë të jetë e mundur”.

Kështu ka shkruar në rrjetet sociale Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Podolyak tha se bombardimi i zonave të Ukrainës – natën e 31 dhjetorit deri më 1 janar – fliste për “një ndryshim në llojin e luftës”.

Që nga tetori, Rusia ka nisur sulme masive me raketa dhe drone në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke i vendosur qytetet në errësirë të plotë.

Moska thotë se sulmet synojnë të reduktojnë aftësinë e Ukrainës për të luftuar; Kievi thotë se ata nuk kanë qëllim ushtarak dhe synojnë të lëndojnë civilët.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale.

​Rusia goditi Ukrainën me 43 raketa, sulme ajrore në 24 orët e fundit, thotë ushtria ukrainase

Ushtria ukrainase tha të dielën se ushtria ruse kreu 31 raketa dhe 12 sulme ajrore në Ukrainë në 24 orët e fundit.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha në një deklaratë se forcat ruse kryen sulme raketore dhe ajrore në pjesë të ndryshme të vendit të shtunën dhe më herët të dielën në mëngjes.

Sulmet ruse kishin në shënjestër kryesisht rajonet e Kievit, Chernihiv, Sumy, Khmelnytskyi, Donetsk, Zaporizhzhia, Mykolaiv dhe Kherson, shtoi ai.

Deklarata gjithashtu tha se Rusia përdori 13 Shahed-136 të prodhuar nga Irani, të njohur si "dronë kamikaze", në sulme.

"Të gjithë ata u shkatërruan nga Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës," tha ushtria./AA

Rusia kryen sulme të reja me dronë në Ukrainë

Sirenat që paralajmërojnë sulme ajrore u dëgjuan në Vitin e Ri në Kiev, teksa Rusia nisi sulme të reja me dronë dhe raketa ndaj kryeqytetit ukrainas dhe qyteteve të tjera.

Sirenat u dëgjuan për më shumë se katër orë në Kiev, teksa qyteti u sulmua në orët e vona të 31 dhjetorit dhe në orët e para të 1 janarit.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se kanë shkatërruar 45 dronë kamikazë, të prodhimit iranianë që u përdorën në sulme, përfshirë edhe 32 dronë që sulmuan pas mesnatës.

Sulmet vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë adresimit të tij për Vitin e Ri, sinjalizoi se Kremlini do të vazhdojë luftën e tij të paprovokuar, që fillimisht ishte menduar se do të ishte një operacion afatshkurtër ushtarak, por që tani ka hyrë në muajin e njëmbëdhjetë. Duke folur nga një bazë ushtarake ruse, Putin pretendoi se “e drejta morale dhe historike” është në anën e Rusisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkroi në rrjetet sociale pasi sulmet nisën më 31 dhjetor. Ai kritikoi Putinin për vazhdimin e sulmeve ndaj Ukrainës gjatë sezonit të festave, duke shtuar se historia nuk do ta trajtojë me mirësi presidentin rus.

“Ka disa valë të sulmeve me raketa në natën e Vitit të Ri. Raketa që po shënjestrojnë njerëzit... Askush nuk botë nuk do të ta falë këtë. Ukraina nuk do të harrojë”, tha ai.

Gjatë adresimit të tij për Vitin e Ri, Zelensky i tha popullit ukrainas se “dua të uroj për të gjithë ne vetëm një gjë: fitore”.

Përmes një postimi në Telegram, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se një person është vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur, përfshirë një gazetar japonez, gjatë sulmeve më 31 dhjetor në kryeqytetin ukrainas.

Ai shtoi se 30 për qind e banorëve të Kievit janë pa rrymë.

Oleksandr Pavlyuk, zëvendëskomandant i forcave tokësore të Ukrainës, shkroi në Telegram se zonat civile në tri qarqe të Kievit janë dëmtuar, përfshirë një shtëpi private dhe një hotel.

“Për pushtuesit nuk ka ligj apo zakon të luftës”, shkroi ai. “Ata mendojnë se do të na mposhtin: nëse jo në fushëbetejë, atëherë përmes shkatërrimit të qyteteve tona”.

“Por, ata janë të destinuar që të dështojnë”, tha ai. “Sepse ne nuk do të ndalojmë së luftuar derisa të rimarrim çdo centimetër të tokës sonë”, shtoi Pavlyuk.

Sulmet e reja vijnë disa ditë pasi Rusia nisi atë që e përshkroi si një prej sulmeve më të mëdha ajrore ndaj Ukrainës që kur nisi lufta më 24 shkurt 2022.

Ukraina dhe Rusia shkëmbyen të burgosurit e luftës pak orë para Vitit të Ri

Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer të burgosurit e luftës pak orë para Vitit të Ri, kanë bërë të ditur të shtunën nga zyra e presidentit ukrainas.

Shefi i zyrës së presidentit ukrainas në Kiev, Andriy Yermak, tha se 140 ushtarë ukrainas janë kthyer në shtëpi.

Rusisë i janë rikthyer 82 ushtarë, kurse akoma nuk është bërë e ditur lokacioni dhe koha kur ka ndodhur shkëmbimi i të burgosurve të luftës.

Ushtarët rusë që janë shkëmbyer, shumica ishin të plagosur, të cilët janë dërguar në spitalin e Moskës për trajtim të mëtutjeshëm.

Në anën tjetër, në mesin e ukrainasve ishin edhe tetë gra. E shumica e të burgosurve ishin nga plagosurit nga qyteti port Mariupol që kishte rënë në duart e rusëve pas luftimeve të ashpra.

“Mirë se na vini më të dashurit tanë”, ka shkruar në Telegram, shefi i zyrës së presidentit ukrainas Yermak.

Shpërthimet dhe sirenat e sulmit ajror shkaktojnë panik në Ukrainë në natën e ndërrimit të viteve, banorët braktisin festimet dhe kthehen në strehimore

Teksa e gjithë bota festonte natën e ndërrimit të viteve, në kryeqytetin e Ukrainës në Kiev, janë dëgjuar shpërthime.

Sirenat e sulmit ajror janë përhapur në të gjithë vendin pas mesnate duke detyruar ukrainasit të braktisin festimet e vitit të ri dhe të futen në strehimore për t’u mbrojtur nga shpërthimet.

Ndërsa sirenat u ndezën në Kiev në minutat e para të vitit 2023, disa qytetarë thërrisnin në ballkonet e tyre bërtisnin “Lavdi Ukrainës. Lavdi heronjve”.

Kryebashkiaku i qytetit Vitali Klitschko tha se ishin dëgjuar shpërthime dhe se mbrojtja ajrore po funksiononte.

Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan disa minuta pas përfundimit të fjalimit të Volodymyr Zelensky për Vitin e Ri, në të cilin ai lavdëroi ata që kishin luftuar për vendin e tyre që nga pushtimi më 24 shkurt.

Zelensky ‘sulmon’ Putinin: Po fshihet pas trupave ushtarakë

Nga: A.M.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për “ndjekjen e djallit” dhe se po zhvillon një luftë për të siguruar që presidenti i saj Vladimir Putin të mbetet në pushtet “deri në fund të jetës së tij”.

Zelensky kaloi të fliste rusisht në fjalimin e tij të natës të shtunën për t'i dërguar një mesazh Kremlinit dhe qytetarëve rusë, pasi Moska nisi një seri sulmesh vdekjeprurëse që përfshiu disa rajone të Ukrainës përpara Vitit të Ri, raporton CNN, përcjell "Bota sot".

E gjithë kjo luftë që po bëni ju, Rusia, nuk është lufta me NATO-n, siç gënjejnë propaganduesit tuaj”, tha Zelensky. “Nuk është për diçka historike. Është që një person të qëndrojë në pushtet deri në fund të jetës së tij.

"Dhe ajo që do të jetë me të gjithë ju, qytetarë të Rusisë, nuk e shqetëson atë," shtoi ai.

Zelensky tha se "udhëheqësi rus fshihet pas trupave, pas raketave, pas mureve të rezidencave dhe pallateve të tij" dhe pas popullit të tij. “Ai fshihet pas jush dhe djeg vendin dhe të ardhmen tuaj. Askush nuk do t'ju falë kurrë për terrorin, "tha Zelensky.

“Sa i sëmurë është Putini”, një kollitje e pandërprerë kaplon presidentin rus në fjalimin e tij të Vitit të Ri

Spekulime të ndryshme ka pasur për shëndetin e presidentit rus Vladimir Putin ndërkaq së fundmi u pikas diçka tjetër gjatë fjalimit të tij për Vitin e Ri.

Sipas videos që po shpërndahet në rrjetin social Twitter, pjesë e shkurtër e fjalimit të tij – Putini shihet derisa kollitet koxha shpesh derisa tentonte të fliste, kollitja po ia pamundësonte atij të shprehte fjalët.

Një faqe si duket ukrainase shpërndau videon derisa ngriti çështjen se sa i sëmurë është presidenti rus, derisa thekson se shëndeti i tij ka qenë subjekt i një spekulimi të gjerë. Por kollitja e çuditshme sipas faqes sugjeron se ai nuk është mirë me shëndet.

Videoja gjithashtu u shpërnda nga gazetari i BBC-s, Francis Scarr.

Presidenti Putin vizitoi selinë e qarkut ushtarak jugor të vendit të tij dhe regjistroi video-mesazhin për Vitin e Ri të shtunën.

Në regjistrimin nëntë minutësh – fjalimi më i gjatë i tij Vitit të Ri – Putin tha se “drejtësia morale dhe historike është në anën e tyre”, sipas CNN.

“Ishte një vit me ngjarje vërtet të rëndësishme, fatale. Këto ngjarje janë bërë ky kufi, i cili hedh themelet për të ardhmen tonë të përbashkët, pavarësinë tonë të vërtetë”, tha ai, në një referencë të fshehtë për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Putin e regjistroi fjalimin në një bazë ushtarake në qytetin e Rostov-on-Don.

Gjatë vizitës së tij të shtunën, udhëheqësi rus foli me komandantët e ushtrisë dhe ua dorëzoi flamujt e betejës formacioneve të reja ushtarake.

Edhe pse Rusia është goditur nga sanksionet perëndimore për vite me radhë, Putin mes tjerash tha se “një luftë e vërtetë sanksionesh është shpallur kundër tyre këtë vit”.

Rusia i shpeshton granatimet, e pësojnë ukrainasit

Granatimet ruse në javët e fundit duke synuar infrastrukturën kritike në të gjithë Ukrainën kanë lënë pjesën më të madhe të vendit pa qasje në ngrohje dhe energji elektrike, në mes të një sezoni të ashpër dimri.

Nga këto sulme u lënduan 20 persona, 14 janë shtruar në spital, ndërsa gjashtë të tjerëve iu është dhënë kujdes mjekësor në vend, tha kryetari Vitali Klitschko në Telegram, shkruan CNN, përcjell "Bota sot".

Disa ndërtesa shkollash në kryeqytet pësuan dëme të rënda nga shpërthimet, shtoi kryebashkiaku.

Sirenat e sulmit ajror, të cilat u aktivizuan më herët pas sulmeve, tani janë ndezur në Kiev.

Më tej në lindje në rajonet Donetsk, Kharkiv dhe Chernihiv, sulmet ruse vranë të paktën gjashtë persona.

Tre persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën në rajonin e Donetskut, tha në Telegram Zëvendës Shefi i Zyrës së Presidentit të Ukrainës Kyrylo Tymoshenko.

Një person është plagosur në rajonin e Zaporizhzhia. Dy u vranë dhe një u plagos në rajonin e Kharkiv. Dy persona u plagosën në rajonin Kherson, ndërsa një vdiq në rajonin e Chernihiv.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat