Rusia ka dëbuar ambasadorin e Estonisë dhe misioni diplomatik i vendit do të drejtohet nga një i ngarkuar me punë, tha të hënën ministria e Jashtme ruse, raporton Associated Press.
Ambasadori i Estonisë Margus Laidre u urdhërua të largohej nga vendi deri më 7 shkurt, tha ministria.
Ministria tha se vendimi ishte marrë si hakmarrje për “hapin e ri jomiqësor të Estonisë për të zvogëluar rrënjësisht madhësinë e ambasadës ruse në Talin”.
Ministria e Jashtme e Estonisë në fillim të këtij muaji urdhëroi Rusinë të zvogëlojë numrin e stafit të ambasadës së saj në tetë diplomatë dhe 15 anëtarë të stafit administrativ, teknik dhe të shërbimit, në mënyrë që të “arritet barazia në personelin e ambasadës” deri më 1 shkurt.
Estonia ka reduktuar marrëdhëniet e saj dypalëshe me Moskën “në minimumin absolut” që kur Kremlini dërgoi trupa në Ukrainë, tha në një deklaratë më 11 janar ministri i jashtëm estonez Urmas Reinsalu. “Tani ne po vendosim një kufi për numrin e diplomatëve rusë që punojnë në Estoni për të arritur barazi. Hapi i sotëm është në korrelacion me pikën e ulët të marrëdhënieve tona në përgjithësi”, tha ai.
Ministria e Jashtme ruse tha të hënën se “udhëheqja estoneze ka shkatërruar qëllimisht të gjithë gamën e marrëdhënieve me Rusinë”.