Trazirat në Burkina Faso: Franca pranon t’i tërheqë trupat e saj

Bota

Trazirat në Burkina Faso: Franca pranon t’i tërheqë trupat e saj

Më: 25 janar 2023 Në ora: 23:25
Burkina Faso

Franca ka pranuar një kërkesë nga udhëheqësit ushtarakë të Burkina Fasos për të tërhequr të gjithë trupat e saj nga vendi.

Burkina Faso, e cila aktualisht po lufton një kryengritje xhihadiste, thotë se dëshiron të mbrojë veten.

Aktualisht në Burkina Faso ndodhen 400 forca speciale franceze, të cilët kanë vetëm një muaj për t’u larguar.

Vitin e kaluar, Franca u largua gjithashtu nga shteti fqinj Mali, ku trupat e saj kishin kaluar tetë vjet duke luftuar militantët islamikë.

Franca ka mbajtur lidhje të ngushta ushtarake me shumë nga ish-kolonitë e saj në Afrikën Perëndimore dhe ka ndihmuar disa prej tyre të luftojnë xhihadistët që janë aktivë në të gjithë rajonin nën Operacionin Barkhane të përfunduar tani.

Si Mali ashtu edhe Republika e Afrikës Qendrore po punojnë tani me grupin mercenar rus, Wagner.

Burkina Faso ka mohuar raportimet se do të angazhojë gjithashtu grupin “Wagner” kundër xhihadistëve, por një ekip ndërlidhës nga mercenarët tashmë e ka vizituar shtetin, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme franceze konfirmoi se qeveria e Burkina Fasos kishte dërguar një kërkesë me shkrim që trupat e saj të largoheshin.

“Ne do të respektojmë kushtet e marrëveshjes duke respektuar këtë kërkesë”, tha zëdhënësi.

Burkina Faso është goditur nga një kryengritje dhjetëvjeçare që ka detyruar afro dy milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, shkruan BBC.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat