Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde kujtoi ditën e përkujtimit të Holokaustit, midis ndërtesës kryesore të BQE-së dhe një vendi të krimeve naziste.
“Frankfurt Großmarkthalle”, e cila tani është pjesë e ndërtesës së BQE-së, ishte një pikë grumbullimi për hebrenjtë e Frankfurtit përpara deportimit nën regjimin nazist.
“Në bodrumet e Großmarkthalle, zyrtarët nazistë poshtëruan dhe grabitën më shumë se 10,000 gra, burra dhe fëmijë hebrenj, përpara se t’i dërgonin në trenat e drejtuar drejt getove, kampeve të përqendrimit dhe kampeve të shfarosjes, për t’u vrarë. Vetëm disa prej tyre mbijetuan,” shkroi Lagarde.
Lagarde theksoi se këto akte nuk u zhvilluan në fshehtësi.
“Großmarkthalle ishte një vend shumë publik,” shkroi ajo.
“Dëbimi i hebrenjve, si heqja e të drejtave dhe shtypja e tyre në vitet e mëparshme nuk ndodhi në fshehtësi. Viktimat shpesh talleshin nga kalimtarët gjatë daljes nga qendra e qytetit”, tha ajo.
Gjatë zbulimit të një pllake përkujtimore në hyrje të BQE-së, Lagarde theksoi rëndësinë e kujtimit të viktimave të nazizmit.
“Tirania dhe padrejtësia shtetërore nuk duhet të mbizotërojnë. E megjithatë, disa qeveri kërkojnë të imponojnë vullnetin e tyre me forcë, duke mos i shmangur vrasjet masive dhe gjenocidin”, theksoi ajo. /DPA/