Ministria e Punëve të Jashtme ruse i ka përcjellë ambasadorit të Letonisë në Moskë një kërkesë për t’u larguar nga vendi.
Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme thuhet se vendimi u mor pasi Letonia vendosi të ulë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë.
Duke theksuar se Letonia e mori këtë vendim me arsyetimin e “solidaritetit” me vendet e tjera baltike dhe kjo arsye nuk pranohet nga Rusia, ministria tha se ky solidaritet nënkupton ndërmarrjen e hapave armiqësorë kundër Rusisë dhe të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, shkruan Anadolu.
Në deklaratë u theksua se e gjithë përgjegjësia për situatën aktuale i takon qeverisë letone.
“Ambasadorit të Letonisë në Moskë Maris Riekstins iu kërkua të largohet nga Rusia brenda dy javësh. Lëvizjet provokuese të autoriteteve letone për të ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike do të kenë pasoja”, thuhet në deklaratë.