Ushtria amerikane ka rrëzuar balonën e dyshuar si “spiune kineze” mbi Oqeanin Atlantik. Kjo u bë e ditur për CNN nga një zyrtar amerikan.
“Presidenti Joe Biden miratoi rrëzimin e balonës”,- tha i njëjti zyrtar amerikan për CNN.
Asetet e marinës dhe ato të rojes bregdetare do të ishin në gatishmëri nëse do të bëhej fjalë për ndonjë përpjekje të mundshme rikuperimi, tha një zyrtar i mbrojtjes për CNN, përpara rrëzimit të balonës.
Balona u pa për herë të parë mbi qiellin e Montanas në fillim të kësaj jave.
Përpara se balona të rrëzohej, Administrata Federale e Aviacionit urdhëroi një ndalesë fluturimesh për aeroportet në Ëilmington, Karolina e Veriut, Charleston, Karolina e Jugut dhe Myrtle Beach.
FAA kufizoi gjithashtu hapësirën ajrore pranë Myrtle Beach "për të mbështetur Departamentin e Mbrojtjes në një përpjekje të këtij të fundit për sigurinë kombëtare".
Zyrtarët më të lartë ushtarakë kishin këshilluar që balona të mos rrëzohej ndërsa ishte mbi SHBA-në kontinentale, për shkak se mbeturinat mund të përbënin rrezik për civilët dhe pronat në tokë. Por zyrtarët pohuan gjithashtu se të gjitha opsionet ishin në tryezë.
Më herët, të shtunën, Biden u kishte thënë gazetarëve në Sirakuzë, Nju Jork, se administrata e tij "do të kujdesej" për balonën, kur u pyet nga CNN nëse SHBA do ta rrëzonte atë.
Ai kishte diskutuar për opsionet me ushtarakët, që kur u informua të martën për herë të parë për balonën.
Të premten, Pentagoni tha se balona nuk përbënte kërcënim ushtarak apo politik.
Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se balona ka hyrë aksidentalisht në hapësirën ajrore të SHBA-së.
Por Departamenti i Shtetit ka thënë se prania e balonës mbi territorin amerikan ishte "një shkelje e qartë e sovranitetit tonë, si dhe e ligjit ndërkombëtar, dhe është i papranueshëm justifikimi se kjo ka ndodhur rastësisht".
Zbulimi i balonës bëri që Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, të shtynte vizitën e tij të shumëpritur diplomatike në Kinë, duke thënë se incidenti "krijoi kushtet që minojnë qëllimin e udhëtimit". CNN