Shefi i grupit paramilitar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka thënë sot se po zhvillohen luftime të ashpra në pjesën veriore pranë qytetit ukrainas Bakhmut, që është në fokus të forcave ruse prej javësh.
Prigozhin që ndryshe njihet si themelues i grupit Wagner e njohur si ushtria private e presidentit rus Vladimir Putin, ka theksuar se ushtarët ukrainas po luftojnë për çdo rrugë, shtëpi e lagje kundër rusëve, duke refuzuar të tërhiqen.
Forcat ruse prej javësh po tentojnë të rrethojnë dhe marrin nën kontroll Bakhmutin, qytet në lindje të rajonit Donbas, e në këtë front po avancojnë tepër ngadalë dhe po u kushton shtrenjtë, pra me humbjen e qindra ushtarëve dhe mjeteve luftarake.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur disa herë ditëve të fundit, se situata është shumë e vështirë rreth këtij qyteti.
“Askush nuk dëshiron ta dorëzojë Bakhmutin. Do të luftojmë aq sa do të mundemi. Bakhmutin e konsiderojnë si kalanë tonë”, shtoi Zelensky të premten mbrëma.
Prigozhin ka përgënjeshtruar mediat ruse se forcat ukrainase po largohen nga Bakhmuti.
“Forcat ukrainase nuk po tërhiqen për asnjë moment. Po luftojnë deri në frymën e fundit. Në veri po zhvillohem luftime të ashpra, ata po mbrojnë qdo shtëpi, rrugë e lagje”, tha Prigozhin.